ARKATANA

Grantet milionëshe, në xhepat e korrupsionit

/ 8 minuta lexim
FIDANISHTJA

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë një vizite që i ka bërë Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë , ka akuzuar drejtuesit e saj për ndarjen në baza politike të subvencioneve.

Ai e ka porositur kryeshefin ekzekutiv të Agjencisë, Elhami Hajdari, që mos të mendojë se kjo Agjenci është mbretëri në vete.

“Përkrahja, grantet, subvencionet duhet që të mbërrijnë tek ata që i meritojnë, tek ata që iu takojnë”, ka deklaruar kreu i Qeverisë. Shi për këtë, analistët e kësaj fushe po dyshojnë se me dhjetëra miliona euro janë vjedhur dhe keqpërdorur me grante dhe subvencione në bujqësi, Ata pyesin se përse Haradinaj nuk po kërkon hapjen e hetimeve për keqpërdorimet e deritashme që janë bërë me subvencionet. Ende nuk dihet se a do të kërkojë llogaridhënie kryeministri se kush ka shpërdoruar këto fonde deri më tash. Veç të tjerash, analistët kanë pyetur se përse Prokuroria e Shtetit e Kosovës po hesht edhe ndaj këtyre keqpërdorimeve të kësaj Agjencie të dhjetëra miliona eurove që janë bërë për shumë vjet. Ndërsa sindikalistët e bujqve janë të mendimit se grantet dhe subvencionet e kësaj Agjencie të pavarur, kanë përfunduar në xhepat e nëntokës kriminale kosovare, si edhe politikanëve të inkriminuar në pushtet dhe nëpër ministritë e Kosovës.

Kryeministri të kërkojë llogaridhënie nga zyrtarët përgjegjës

Lideri i Sindikatave të Bujqve të Kosovës, Tahir Tahiri, për gazetën” Kosova Sot”, ka thënë se pa asnjë fije dyshimi janë të drejta vlerësimet e kryeministrit Haradinaj për punën e deritashme të krerëve të Agjencisë për Bujqësi të Kosovës. “Në këtë Agjenci që nga themelimi i saj e deri më sot dihet botërisht dhe ka dyshime të mëdha, por edhe fakte se janë me dhjetëra miliona euro që janë vjedhur dhe keqpërdorur me grantet dhe subvencionet e ndara për bujqësinë. Këto mjete kryekëput janë ndarë si grante e subvencione në baza partiake të koalicioneve që kanë qenë gjatë asaj kohe në pushtet “, theksoi ai.

Shi për këtë, Tahiri porositi se kryeministri Haradinaj nevojitet që urgjentisht “exofficio” të kërkojë nga ana e institucioneve të drejtësisë, prokurorisë e gjyqësisë, që të bëjnë hapjen e hetimeve për keqpërdorimet me subvencione dhe grante bujqësore që janë bërë ndër vite. “Kryeministri Haradinaj do të duhej që të kërkojë llogaridhënie nga drejtuesit e kësaj Agjencie se kush ka shpërdoruar deri tash këto para të buxhetit të Kosovës”, potencoi ai.

Pa reforma, nuk luftohet korrupsioni

Analisti Milazim Abazi, në prononcimin e tij për gazetën “Kosova Sot”, ka thënë se korrupsioni dhe kapja e agjencive të pavarura nga ana e klaneve mafioze që janë të veshura me pushtetin, ka vite që janë bërë një sëmundje serioze e shtetit të Kosovës. Por, Abazi tha se ka besim të plotë se Qeveria e kryeministrit Ramush Haradinaj e ka synim të saj që të luftojnë korrupsionin dhe kapjen e shtetit. “Por, për ta bërë këtë Kosovës i duhen reforma të thella politike edhe në sistemin e drejtësisë”, vlerësoi ai. Sipas Abazit, pa këto reforma të thella politike, kadrovike dhe të sistemit të drejtësisë, luftimi i këtyre dukurive do të jetë si lufta me mullinjtë e erës. Specialisti i Integrimeve Evropiane në fushën e ekonomisë, Ardian Nokaj tha për gazetën ” Kosova Sot”se grantet dhe subvencionet kanë përfunduar në xhepin e nëntokës kriminale dhe politikanëve të inkriminuar që janë në pushtet dhe nëpër ministri. Ai ka thënë se në asnjë mënyrë nuk duhet që të çuditemi se përse Prokuroria e Kosovës dhe ajo Speciale po heshtin edhe ndaj këtyre keqpërdorimeve dhjetëra milionëshe që janë bërë në këtë Agjenci të pavarur për shumë vjet.

Akuza të shumta për keqpërdorime

HW

Analisti Luzim Beqiri tha për ” Kosova Sot”, se subvencionet e ndara nga Agjencia për Zhvillim të Bujqësisë kanë marrë kritika të ashpra nga të gjithë aktorët në Kosovë, ngase ka akuza të bazuara me fakte në medie se janë keqpërdorur këto subvencione. “Në këtë Agjenci kanë marrë grante njerëz që as ia kanë haberin me ato grante, dhe madje unë personalisht di edhe personat që kanë fituar grantin për stallë të lopëve dhe i njëjti jeton midis Prishtinës dhe nuk ka tokë, nuk ka kurrfarë kushti që të jetë fitues i një granti të tillë”, theksoi ai.

Analisti Beqiri vlerëson se me të drejtë kryeministri i vendit ka adresuar këtë problem dhe duhet të shkarkohen përgjegjësit e atyre dikastereve që e kanë shkatërruar vendin. “Kryeministri Haradinaj ka vullnet për t’i luftuar këto dukuri negative, edhe pse të shumta, por jam i bindur se ka për t’i luftuar, dhe për ta bërë këtë duhet edhe mbështetje e ministrive dhe organeve të tjera përgjegjëse që një herë e përgjithmonë të linçohen ata njerëz që keqpërdorin detyrën zyrtare”, potencoi Beqiri.

Dominon importi i produkteve bujqësore

Deputeti i dikurshëm i Kuvendit të Kosovës, Xhevdet Neziraj tha për “Kosova Sot’, se gëzon fakti se Haradinaj është duke bërë përpjekje që të instalojë një qeverisje të re që ndryshon nga qeveritë e kaluara. “Qeveria ‘Haradinaj’ e ka kuptuar se në këtë vend në qeverisje duhen të bëhen ndryshime rrënjësore nëse dëshirojmë që t’i kemi dyert e hapura në familjen e gjerë evropiane. Është mirë që Haradinaj ka kërkuar që grantet dhe subvencionet të shkojnë në duart e atyre që merren me bujqësi e jo t’u ndahen subvencionet njerëzve që nuk kanë as tokë bujqësore dhe me çdo gjë merren vetëm me bujqësi jo dhe këta kanë qenë deri më tani përfituesit më të mëdhenj”, u shpreh ai. “Me vite të tëra, qeverisjet në Republikën e Kosovës e kanë anashkaluar rolin e rëndësishëm që e ka ekonomia bujqësore për vendin tonë, mbështetja financiare nga qeveritë e kaluara jo vetëm që janë keqpërdorur, por ndihma financiare ka qenë më e ulëta në rajon dhe për këtë arsye kemi ngecje në një sektor shumë të rëndësishëm të vendit”, vijoi më tutje Neziraj. Sipas tij, Republika e Kosovës afro 80 për qind të sipërfaqes së përgjithshme e ka zonë rurale dhe në këtë zone jetojnë 60 për qind e popullatës së përgjithshme. Kurse popullata rurale si aktivitet kryesor duhet të ketë bujqësinë,mirëpo sipas të dhënave statistikore vetëm 10 për qind e të ardhurave të përgjithshme sigurohen nga ky sektor. “Afro 40 për qind të buxhetit të vendit harxhohet për produkte bujqësore që importohen nga vendet e rajonit, me një pjekuri më të mirë dhe me shpërndarjen e drejtë të granteve për njerëzit që merren me këtë punë gati të gjitha produktet bujqësore do të prodhohen në vendin tonë dhe kështu kjo do të kishte ndikuar edhe në përmirësimin e bilancit tregtar të vendin tonë”, theksoi ai.

Dyshimet prej vitesh, drejtësia nuk bëri asgjë

Ndërsa Selatin Kaçaniku (“Konsumatori”) tha për ” Kosova Sot”, se me vite të tëra ka dyshime për keqpërdorimin e politizimin e subvencioneve që jepeshin e po jepen nga buxheti i gjeneruar nga qytetari konsumator, ndërsa MPZHR-ja, AZHB-ja dhe agjencitë e tjera heshtnin, ndërsa sistemi i drejtësisë as ” ex officio ” kurrë nuk ndërmori asgjë, e do të duhej të ndërmerrte. “Përkundër kësaj, si qytetarë konsumatorë, dhe si organizatë ‘Konsumatori’ nuk shijojmë edhe aq transparencë, llogaridhënie e ndarje përgjegjësish. Për më shumë, përkundër faktit se MBPZHRja e AZHB-ja menaxhojnë mjetet e qytetarit konsumator nga buxheti, të cilin e gjeneron, asnjë projekt nuk është ndarë për arritjen dhe rritjen e cilësisë së produkteve dhe performancave të shërbimeve nga ky sektor, përkundër ankesave të shumta nga fermerët për cilësinë, për dampingun, për yndyrën bimore, por MBPZHR-ja Ligjin për standardizimet e ” përqafon ” akoma si ligj fakultativ e vullnetar. Veç saj, Ligjin për vezët e konsumit,të miratuar më 2008, e ka penguar së zbatuari për 7 – 8 vjet, kurse aplikimi nisi para 2 vjetësh” “, u shpreh ai.

Sipas Kaçanikut, kjo sjellje e MBPZHR-së, e AZHB-së dhe e agjencive, komisioneve, komiteteve e grupeve punuese të tjera dëshmon se aty fshihet diçka ose, të paktën, se ka çka të fshihet dhe se transparenca, llogaridhënia e ndarja e përgjegjësive ” mund t i dëmtonte “.

(Kosova Sot)

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.