Eko Higjiena

Grafitet poetike të Sabit Rrustemit

/ 9 minuta lexim
Fundamenti

Nga Nexhat Rexha – Sabit Rrustemi: “Grafite nënlëkurore”, SHB.”Beqir Musliu”, 2015, fq.163. Vepra më re e Sabit Rrustemit”Grafite nënlëkurore”, është artikulim i thellësive shpirtërore, që vjen si rezultat i stuhive kombëtare, të cilat bartin me vete, fate dhe ideale. Në këto dridhje të atdheut, e nëpër këto; poezi, ëndrra, dashuri, ekonomi, teknologji, vijnë gjakimet e pareshtura që nga libri i parë “Ku i la lisat era”, e deri te ky libër më i ri.

Sabit Rrustemi nuk ndalet me vargjet e tija, vjen si kërkimtar e ruajtës i substancës kombëtare. Poezia si realitet e përjetim imagjinativ i ka lidhjet e veta që nga lashtësitë, të cilat burim artikulimi kanë qenien njerëzore dhe fenomenet e natyrës.

Rolan Bart shkruan: “Gjuha, pra, është këndej Letërsisë. Stili është gati andej: imazhe, ritëm, leksik lindin nga vetë trupi dhe e kaluara e shkrimtarit dhe pak nga pak bëhen automatizma të artit të tij”1.

Poetët klasik të letërsive më të avancuara ,që nga Homeri e këndej kanë marrë frymëzimet e tyre nga ndodhitë e luftërave të ndryshme. Mirëpo, avancimin poetik e bënë zhvillimet shoqërore, krahas penave që ditën të saktësojnë kohën, e ngjarjet me tipizim të karakterit të veçuar njerëzor nëpër procese shoqërore. Si rrjedhim i përjetimeve, depërtimit sa më në thellësi poeti merr e pasuron vargun e tij me leksikun burimor. Këtë pasuri gjuhësore e gjejmë edhe në librin më të ri poetik të Sabit Rrustemit, ”Grafite nënlëkurore”, i cili ka funksionalizuar vargun e tij dhe kështu poezia, ruan dy elemente të rëndësishme, të cilat i japin ngjyrim e shije vargut me akustikën e përjetimit brenda leximit.

Konceptimi i trajtimit të veprës ka shtrirje kohore për një periudhë të shkurtër, ani pse datat e fillimit të vargjeve fillojnë më 29 korrik 2013 dhe përmbyllin me datën, më 11 shkurt 2015, ato i kanë ndërlidhjet e veta në brendi, që diktojnë rrethana brenda kësaj kohe.

Këto poezi sa të brumosura, po aq racionale për lexim, të japin fuqinë e mendimit sa letrar, po aq edhe filozofik, sepse Sabit Rrustemi, ka ruajtur konsolidimin artistik, që nga fillimi i shkrimeve të para, të cilat janë botuar nëpër revistat e kohës nga gjysma e dytë e viteve të 70-ta.

Ky vëllim poetik i ka ndarjet e kapitujve, si rezultat i ruajtjes së dashurisë metaforike e shpirtërore të autorit, sepse nuhatja e përjetimi i tij si poet ka njësitë e veta të nyjëtimit kohor. Nëpër këto ndarje veçohen pamjet e përjetimit të autorit, si në: Lexime në mur ( A-ZH), Polit (E) tik(A)-I, Polit (E) tik(A)-II, Mureve të palexuara-(I), Mureve të palexuara-II, në këtë trajtim objekti i lëndës krijon hapësirë në ndërlidhjet e sistematizimit artistik, me të cilat valojnë vargjet e kultivuara me fuqi shprehëse në reduktim të fjalës,duke e
individualizuar objektivën e mesazhit në specifikim të përkufizimit sa më realizues në tërësinë poetike të këtij vëllimi.

Objekti i njohjes në vargje parashtron diskutimin harmonizues të përditshmërisë sonë, si metamorfozë, e këtij pesëmbëdhjetë vjetshi të parë të fillimit me krijimin e shtetit.
Motivet e trajtuara nëpër këto ndarje, karakterizojnë dashurinë si kërkim e vazhdimësi për të ruajtur qenien tone. Ato nuk ndrydhin ,ato nuk janë të shprehura me eufemizëm, ato me buzëqeshje shpalosin ndjenjën e pastërtisë, skajshmërisht në të gjitha gjymtyrët e trupit, sa njerëzor, po aq edhe me ironi për ngushtimin e atdheut tone.

Njëkohësisht, këto dashuri të munguara shkrijnë ideale, kërkojnë zbërthimin e rrethanave politike në Kosovën e pas luftës së vitit 1999. Ato vazhdimisht, jo vetëm që shkrijnë idealizmin e kastës intelektuale më kreativitet e ndërgjegje, por se jeta e rëndë dhe specifikat e huazuara jokoherente, kanë krijuar kastën anti, e këto pamje nëpër zgjedhjet e këtyre viteve kanë krijuar absurdin.

Këto dukuri janë pa, e ditur botërisht, kurse njeriu ynë iu ka bashkangjitur këtyre lojërave absorbuse me retiçencë.

Mobi Casa

Në këto vlime ngjarjesh, sa të pritura me ofshama nga gjenerata në gjeneratë, vijnë edhe dëshpërimet shpërthyese. Kjo është edhe dëshmia më konstante se pena e Sabit Rrustemit është paraprijëse e të ndodhurave. Ai këtë e ka dëshmuar, që në shkrimet e para të tij.

Në këto procese shoqërore, që karakterizojnë vendin tonë dhe hapësirat shqiptare,shihen qartë përplasjet e ndasive të pakuptimta dhe shtresimet deri në pakuptimësi. Kështu ai me vargjet e tija qorton kohën e bartësit e tyre, me këtë klimë të krijuar shoqërore. Nga krejt këto pakënaqësi ndaj dijes e nivelit kombëtar, autori në vargjet e librit ka gërshetuar bukur e me dashuri, dashurinë si ndjenjë intime jo si satisfaksion, por si realitet për të cilën e vlen të jetohet e të mbijetohet,se vetëm bota e njeriut me shpirtin – dashuri jeton dhe mund edhe vdekjen.

Këto palosje dëshirash për të bukurën në jetë e art, Sabiti i ka shkrirë në vargjet e tija, ato kërkojnë të ruajnë peshën e dashurisë së papërsëritur për këtë botë:

zh)
Mbete Fjala Ime e Parë
të fundit fjalë
mos e thënça kurrë
krejt çka u hesht
mes shpirtrave u palos
mbaje në mendje
këtë botë të bukur e bëjnë
vetëm të dashuruarit

Fq.40.

Ndjeshmëria e kësaj bote i ka specifikat e veta, e këto specifika kërkojnë shpalosje nga brendia shpirtërore në përhapje e dukje universale, Sabit Rrustemi e ka këtë dhunti. Kështu, ai me stilin e konsoliduar artistik e me fjalën e zgjedhur i jep shkëlqimin estetik vargut të tij. Shembull I kësaj shihet në secilën poezi e sidomos në ”Gjurmët e shpirtit”, ku ai ka krahasuar shpirtin e njeriut në ideale të pamposhtura,sado që jeta në disa raste edhe të tij, edhe për shumë të tjerë i ka nëpërkëmbur. Mirëpo, në këtë poezi e disa të tjera pezmatimi i brendshëm shpërthen të gjitha ndalimet e kësaj kohe. Ai bashkëjeton me ndjenjën e pozitivitetit dhe shpërndanë rrezatimin shkëlqyes me anë të figurës së hiperbolës, çka i jep fuqi vargut dhe poezia krijon mundësinë e ruan vetë jetën tonë. “Gjurmët e shpirtit/ nuk i fshijnë as oqeanet”, fq.151.

Stili poetik në poezinë e Sabit Rrustemit, specifikon me gjuhën sa burimore, aq edhe artistike, me figuracion të kapshëm për lexuesin dhe impresiv për të depërtuar në të gjitha teoritë e kësaj bote. Ajo ka arealin autokton, që e ruan kujtesën për gjuhën, tokën, traditën dhe i jep gjallëri e optimizëm njeriut, që kap këto valë të kësaj kohe,me synim që e nesërmja të depërtojë kah ëndrrat sa më realizuese e konkrete për gjeneratat që vijnë. Ky edhe është misioni i artit letrar te të gjithë popujt, e kjo është bërë e arritur edhe përmes artit në shtetet që kanë arritur pavarësinë para nesh. Ai vrojton, përjeton të gjitha dramat e kohëve. E ndjen të veçantën për të idealizuar në konkreten, duke i dhënë asaj ngjyrën sa më origjinale, sa më autentike, e lexuesi i vëmendshëm e përjeton edhe vargun e dashurisë, edhe vargun e kristalizuar për të mirën e munguar në këtë atdhe.

Liria si mungesë e njohjes për të vlerësuar rolin e saj, për të saktësuar qëllimin e saj në ndërtimin e atdheut, sa shumë dilema mashtruese shtron liria. Ajo hapëron herë si bardhë , e herë zi, rezulton me prijësit tanë, që ngatërrojnë dashurinë, po cilën dashuri !?.cila është ajo? , Sabiti bukur ka ironizuar në disa poezi të këtij vëllimi. Po athua, cila shtresë pushtetarësh është kjo ? Ata të cilët shohin vetëm afër vetes, vetëm epshin ”Nëpër vithe femrash”, kurse lidhja e tyre me librin, diturinë janë pamjet krejtësisht të boshatisura në brendi, ani pse vitrinat e tyre mund të duken bukur me libra të dhuruara.

Ky paradoks i kësaj epoke me hipokrizi ndaj njeriut të librit të mirëfilltë, largon fuqinë mendore, lë anash atë për të mos u dukur miopsia e tyre.

Libri “Grafite nënlëkurore”, brenda vetes ka shtruar aktualen në leximin e grafiteve shpirtërore, si thesar i kësaj bote, që arrinë të mbijetojnë me frymën e idealin e këtij populli. Vargjet ngërthejnë e ruajnë dashurinë, për të ndriçuar rrugët, që nuk shterojnë, përkundër pakënaqësive të akumuluara brenda kësaj kohe, se po e ndjejmë, e përjetojmë dekandën e Parë të Pavarësisë së Shtetit tonë Kosovë./rajonipress/

1. Rolan Bart” Aventurat Semiologjike”,Botoi,” Rilindja” Prishtinë,1987. Fq.32.
Mars 2015

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.