Grabovci: Thaçi President, nuk e përjashtojmë mundësinë që mandatin ta vazdojmë deri në 2022-tën

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së Adem Grabovci, është shprehur i bindur se zëvendëkryeministri i tanishëm i Kosovës, Hashim Thaçi, do ta marrë postin e presidentit.
Grabovci në një prononcim për Gazetën Blic, ka thënë se nuk ka rëndësi data se kur do të zgjidhet presidenti, ndonëse koha përfundimtare për ta votuar presidentin, siç ka thënë ai, është fundi i shkurtit.
“Thaci do të zgjidhet president, padyshim. Ne e kemi marrëveshjen me partner të koalicionit. Koalicioni është stabil dhe funksional. Nuk është shumë me rëndësi se kur do të votohet, por se do të zgjidhet. Deri ne fund të shkurtit është verdikti i fundit për zgjidhjen e presidentit”, ka thënë ai për Gazetën Blic.
Përpos kësaj, Grabovci është shprehur i bindur se me qeverisje do të vazhdojnë deri më 2018, e po ashtu, ai ka thënë se nuk duhet lënë anash mundësia që Kosovën ta qeverisin deri në 2022-tën.
“Do të ecim deri në 2018-ën. Nuk e përjashtojmë mundësinë që mandatin ta vazhdojmë deri në 2022-tën dhe opozita do të mbetet vetëm duke kërkuar zgjedhje”, ka theksuar shefi i grupit paralamentar të PDK-së.
Ndryshe, partitë opozitare kanë paralajmëruar se fundi i qeverisë aktuale do të vije së shpejti, e gjithashtu kanë paralajmëruar edhe bllokim të kuvendit edhe gjatë seancave në vazhdim, rrjedhimisht edhe gjatë seancës kur pritet të votohet Hashim Thaçi për president.