RCCOLA

Grabovci: Presim që Presidentja ta thotë fjalën e fundit për bllokadën

/ 8 minuta lexim

LDK, AAK, NISMA dhe VV për pushtet e kanë bllokuar Kosovën dhe nuk po e njohin as Kushtetutën, as Gjykatën Kushtetuese dhe as Presidenten. Blloku bllokues po dëshiron me çdo kusht pushtetin. Ne e përkrahim Presidenten dhe presim prej saj fjalën e fundit. PDK nuk i do por është e gatshme për zgjedhje të jashtëzakonshme. Nuk është problem t’i kemi 61 vota por dëshirojmë koalicion stabil dhe të qëndrueshëm. Akuzat e Kurtit bëhen me qëllim për të rënduar jetën e qytetarëve të Kosovës. Nënkryetari i PDK’së, Adem Grabovci, flet për Express.

Express: Cila është zgjidhja e PDK’së për të dalë nga kriza gati pesëmuajshe e bllokadës politike?

A. Grabovci: PDK ka dhënë maksimumin e vet për të mos ndodhur, së pari, kjo bllokadë, jo vetëm e institucioneve, por lirisht mund të quhet edhe bllokadë e Shtetit që pasojat do të jenë të pallogaritshme në secilën fushë të jetës. Që nga siguria, zhvillimi ekonomik, integrimet në BE e kështu me radhë. Kur them se ka dhënë maksimumin e vet, PDK asnjëherë s’ka qenë refuzuese në raport se subjektet tjera politike. Nuk ka refuzuar bashkëpunimin me shoqërinë civile dhe gjithë faktorët që kanë mundësi të kontribuojnë për fuqizimin e jetës institucionale në vend dhe në konsolidimin e shtetit. Por, pa dëshirën e PDK’së ka ndodhur një bllokadë e tillë, përkundër vullnetit të qytetarëve të Republikës së Kosovës, përkundër, të drejtës Kushtetuese dhe ligjore që e ka PDK dhe se fundi, lirisht mund të themi se Blloku opozitar, apo Blloku bllokues nuk po reflekton ndaj asnjë institucioni të vetëm. Nuk po reflekton ndaj institucionit më të lartë – vullnetit të qytetarëve të vendit – pra votën e popullit. Blloku bllokues nuk po e respekton Kushtetutën, Gjykatën Kushtetuese dhe institucionin e Presidentes. Blloku bllokues e ka vetëm një dëshirë për të ardhur në pushtet. Për ta marrë pushtetin pa zgjedhur format dhe mjetet, pa i respektuar fare interesat e qytetarëve të vendit dhe pa i llogaritur pasojat dhe dëmet që po i shkakton vendit në përgjithësi. Blloku bllokues duhet ta dijë se ardhja në pushtet nuk është dëshirë por ka procedura, ka ligje, ka rregulla që ta mundësojnë marrjen e pushtetit. Dhe, pushteti në kushtet e pluralizmit dhe të demokracisë merret nga qytetarët, të cilët përcaktojnë se kujt duhet t’i takojë besimi për të udhëhequr me vendin.

Express:A ka mbetur ndonjë opsion tjetër përpos zgjedhjeve të reja për të dalë nga bllokada politike?
A. Grabovci: Ne do të bëjmë përpjekje derisa ta thotë Presidentja fjalën e fundit. Do të bëjmë përpjekje për të gjetur zgjidhje dhe do ta përkrahim iniciativën e Presidentes deri në fund. Ne e kemi të qartë se opsioni i fundit janë zgjedhjet e jashtëzakonshme, edhe pse, PDK nuk ka dëshirë që vendi të shkojë në zgjedhje. Sidoqoftë, PDK do të jetë më e përgatitur se gjithmonë për procesin e ri zgjedhor. Nëse ndodhin, PDK do ta japë maksimumin që, së pari, të kemi një proces ashtu sikurse procesin e fundit zgjedhor. Do të bëjmë përpjekje që të shpalosim ofertën tonë, programin tonë dhe kemi besim të qytetari i vendit se PDK, edhe nëse mbahen zgjedhje, do të jetë e para dhe mbështetja do të jetë edhe më e fuqishme se sa herën e fundit.

Uji Dea

Express: Blloku po e akuzon PDK’në se e ka kapur shtetin, ndërsa, Ramush Haradinaj po thotë se PDK dhe Thaçi e ka kriminalizuar shtetin. Cila është përgjigja juaj?

A. Grabovci: Së kush e ka kapur shtetin dihet – shtetin e kapin të gjithë ata që veprojnë në kundërshtim me Kushtetutën, që nuk e respektojnë vullnetin e qytetarëve të vendit. Përderisa qytetari i vendit e përkrahë dhe i beson PDK’së, atëherë nuk më bëjnë përshtypje deklaratat e papërgjegjshme të kujtdo qofshin. Ne asnjëherë nuk kemi bërë dhe nuk do të bëjmë akuza të pabaza. Nuk jemi marrë me sharje, shpifje ndaj askujt dhe këtë do ta vazhdojmë. Ne nuk do ta fyejmë askënd, por, ne do të punojmë dhe do t’i shpalosim vlerat tona, ofertën tonë dhe mbi bazën e punës ne jemi shumë të sigurt se do ta fitojmë besimin e qytetarëve të vendit. Qytetari i vendit është ai që vlerëson se prej kujt frikësohet. Qytetari i vendit e ka vendosur PDK’në si parti të parë. Dhe, në kushtet tona, duke pasur parasysh sistemin tonë zgjedhor, duke pasur parasysh rregullimin kushtetues dhe ligjor të Kosovës, ajo parti, e cila fiton jo shtatë deputetë më shumë se partia tjetër, por vetëm një deputetë, atëherë, ajo parti është fituese dhe asaj partie i takon të formojë institucionet e reja. Ligjet tona nuk lejojnë alternativë tjetër. Disa subjekte që nuk frikësohen marrjes së përgjegjësive, që nuk frikësohen të ulën në tavolinën e bisedimeve, ne jemi të gatshëm të ulemi dhe të bisedojmë me cilindo subjekt që punon në mënyrë të sinqertë për Kosovën, jo vetëm me deklarata, por në mënyrë konkrete për zhvillimin e ekonomik të vendit dhe që punon dhe angazhohet sinqerisht për një Kosovë Europiane.

Express: Albin Kurti para dy ditësh e bëri një akuzë ndaj PDK’së duke thënë se hajnat e kësaj partie janë në superligë e hajnat e LDK, AAK, NISMA janë në ligën e dytë…?
A. Grabovci: Nuk meriton t’ia komentoj deklaratën Albin Kurtit sepse është e nivelit aq të ulët sa nuk meriton as të diskutohet. Mirëpo, kushdo që ka ndonjë argument të bazuar janë organet e drejtësisë që bëjnë vlerësimet. Neve nuk na takon ta vlerësojmë askënd. Nëse kemi argumente se dikush ka keqpërdor, ne do t’ju drejtohemi organeve të drejtësisë. Do të ishte e papërgjegjshme dhe e pandershme që ne ta terrorizojmë qytetarin e vendit me fyerje e akuza. T’ia rëndojmë jetën qytetarit të vendit, edhe ashtu të rënduar. Ne jemi të thirrur, si të zgjedhur të popullit, për t’ia lehtësuar jetën qytetarit të vendit. Jo për ta terrorizuar qytetarin e vendit dhe për të mbjellë huti, për të humbur besimin e qytetarëve në Shtetin e Kosovës. Të gjitha këto po i bëjnë ata që janë kundërshtar të Shtetit të Kosovës që vazhdimisht ëndërrojnë se do të prishet ky Shtet. Këto deklarata bëhen nga ata që nuk e duan fuqizimin e Shtetit, ata që duan ta pengojnë perspektivën tonë evropiane merren me akuza, me sharja e trillime. Prandaj, ky fjalor për PDK’në është i huaj. Ne gjithnjë fjalët tona, angazhimet tona i mbështesim në punën tonë, në projektet tona dhe mbi të gjitha në ofertën tonë. Në saje të kësaj, ne edhe kemi fituar një mbështetje të fuqishme dhe kjo mbështetje do të rritet dhe thellohet edhe më shumë sepse te Misioni i Ri çdo qytetar i Kosovës, secila familje kosovare e sheh perspektivën e vet, e sheh sigurinë e vet, e sheh stabilitetin e vet dhe e sheh zhvillimin e vendit.

Express:Nëpër deklarimet publike vazhdimisht keni thënë se i keni numrat për ndërtimin e institucioneve, por kur keni shkuar në Kuvend keni dështuar.A qëndron ende pas deklaratave se i keni numrat për ndërtimin e institucioneve të reja?
A. Grabovci: Së pari, atëherë kur ke dëshirë apo angazhohesh vetëm për të marrë pushtetin mund të arrish të marrësh pushtetin dhe në këtë rast ne i kemi numrat, 61 apo 62 numra, por edhe 64 numra. Mirëpo, për ne nuk ata numra nuk premtojnë stabilitet, nuk premtojnë perspektivë dhe nuk premtojnë vendimmarrje të sigurt, të fuqishme në interes të Shtetit. Por, ne nuk jemi duke punuar dhe angazhuar vetëm për të marrë pushtetin, por, jemi duke u angazhuar dhe duke dhënë maksimumin tonë për një Shtet stabil, për një Shtet me të ardhme evropiane, për institucione të fuqishme politike që do të jenë në gjendje të përballen me të gjitha sfidat të cilat e presin Shtetin e Kosovës. Ne do të angazhohemi të kemi një koalicion stabil, të fuqishëm dhe vendimmarrës.