Uji Dea

Grabovci: Nuk ishin në pyetje as votat e as dënimi i grupit “Drenica”

/ 3 minuta lexim
RCCOLA

Shefi i grupit parlamentar i PDK-së, Adem Grabovci, ka thënë se kërkesa për shtyrjen e seancës për Gjykatën Speciale është parashtruar vetëm për shkak të mungesës së materialeve, konkretisht për shkak të Projektligjit për këtë gjykatë.

Në këtë intervistë për “Epokën e re”, Grabovci ka deklaruar se shtyrja e seancës për Gjykatën Speciale nuk kishte të bënte me mungesë të votave në Kuvend siç po pretendon opozita.

“Në asnjë moment nuk kanë qenë në pyetje votat. Ne nuk jemi duke biseduar për vota, por për materie dhe drejtësinë”, ka deklaruar Grabovci.

Ai ka thënë se shtyrja e kësaj seance nuk ka të bëjë me dënimin e grupit “Drenica”, ani pse ka deklaruar se vendimi për dënimin e këtij grupi është shembulli i vetëm në botë ku nuk respektohet drejtësia.

Fundamenti

“Këto dy çështje janë të ndara. Vendimi për dënimin e grupit ‘Drenica’ është vendim ekstrem. Pa pretenduar fare të ndikojmë te drejtësia, rasti ‘Drenica’ është shembulli i vetëm në botë se si nuk respektohet drejtësia. Nëse ka diku që nuk ka pasur drejtësi dhe ka pasur shkelje flagrante të drejtësisë dhe mohim të saj, atë e gjejmë tek grupi ‘Drenica’”, ka thënë ai.

Sipas Grabovcit, ka gjasa që të hënën e javës së ardhshme Kryesia e Kuvendit të vendosë se kur do të trajtohen dokumentet për themelimin e Gjykatës Speciale. Pavarësisht kësaj, Grabovci ka kërkuar nga opozita mos të bëjë përpjekje të fitojë politikisht me çështje të ndjeshme siç është Gjykata Speciale. “Sinqerisht unë e kuptoj opozitën se duhet të bëjë politikë, por me disa çështje nuk duhet të bëhet politikë”, është shprehur Grabovci.

“Epoka e re”: Z. Grabovci, për ç’arsye e shtytë seancën për Gjykatën Speciale?

Grabovci: Të enjten kam paralajmëruar se gjykata nuk mund të trajtohet ende përderisa nuk e kemi draftligjin apo materialin e nevojshëm për ta shikuar dhe analizuar. Për shkak të mungesës së materialit nuk ka mundur të shkohet më tutje. Deputetët nuk janë vetëm një mekanizëm i votimit, por vërtet duhet të dinë se për çfarë dhe si po votojnë. Prandaj, kërkesa jonë për shtyrjen e seancës ka të bëjë ekskluzivisht me mungesë të materialit. Natyrisht se deputetët duhet ta marrin materialin, pastaj të kenë kohë për ta analizuar. Pas kësaj ne do t’i koordinojmë qëndrimet tona në mes të deputetëve. Besoj se ata do të votojnë në përputhje me interesat shtetërore.