Grabovci: Kemi raporte edhe me “Vetëvendosjen”
Zhvillimet e fundit në Grupin Parlamentar të PDK-së kanë filluar të zbehin seriozisht funksionalitetin e këtij subjekti politik në punën e Kuvendit të Kosovës, por edhe vetë fuqinë përfaqësuese të grupit në Kuvend.
Pozicioni i Jakup Krasniqit dhe Fatmir Limajt kundër politikave qeverisëse të PDK-së, mbështetja dhe kalimi në iniciativa të reja qytetare, së bashku me largimin zyrtar të Nijazi Idrizit nga PDK-ja dhe funksionet e tjera në këtë parti politike, de fakto e lënë grupin parlamentar të PDK-së me vetëm 31 deputetë, që edhe në këtë kuotë numerike kanë një koordinim shumë të brishtë brenda Kuvendit të Kosovës.
Kuota e tërsishme e deputetëve të koalicionit qeverisës mbi bazën e kësaj matematike të thjeshtë bie në vetëm 60 deputetë , por që në fakt kjo shifër nuk është e sigurt për proceset vendimarrëse, ngase numri i deputëtëve të luhatshëm në PDK që nuk i mbështesin më shumë raste politikat qeveritate, tanimë shkon përtej tri figurave të para Krasniqi, Limajt e Idrizit, që publikisht janë pozicionuar në krahun e kundërt, shkruan Kosova Sot.
Shefi i Grupit parlamentar të PDK-së nuk ka folur për shifra se sa deputetë do t’i mbesin besnik PDK-së për të shkuar deri në fund të mandatit legjislativ pa ndonjë tërmet në koalicionin qeverisës, por tha se falë bashkëpunimit që ka edhe me subjektet politike në opozitë Qeveria dhe Kuvendit do të fuksionojnë, pavarësisht lëvizjeve të disa individëve që kanë krijuar karrierë me PDK-në dhe tani dëshirojnë ta provojnë forcën politike në krijesa të tjera.
“Jam i sigurt që të gjithë ata që kërkojnë dicka më mirë do të zgjënjehen”, është shprehur ai.
“Koalicioni do të mbijetojë 100% sepse unë kam raporte të mira edhe me subjektet politike opozitare, madje edhe me “Vetëvendosjen”, me disa nga anëtarët e këtij grupi parlamentar, të cilët jo rrallë më kanë votuar për vendimet serioze për shtetin dhe interesin e përgjithshëm të Kosovës”, ka thënë Grabovci./ Kosova Sot/