Grabitësit e kazinosë “Merkuri” marrin 10 vite e gjashtë muaj burgim
Gjilan – Gjykata Themelore në Gjilan e kryesuar nga Emine Salihu kryetare e trupit gjykues ka dënuar dhe shpallur fajtor të hënën grupin e grabitjes së kazinosë “Merkuri”. Gjykata ka dënuar duke dhënë mbi 10 vite e gjashtë muaj burgim për Rasim Sylën, Nijazi Spahiun, Azem Spahiun, Shkëlzen Uruqin dhe Ardian Bajramin raporton rajonipress.
Duke shpallur aktgjykimin kryetarja e trupit gjykues Emine Salihu tha se Rasim Syla dënohet me 3 vite burgim, Nijazi Spahiu me 3 vite e një muaj burgim dhe 700 euro gjobë, Ardian Bajrami me 3 vite burgim dhe 1000 euro gjobë për armëmbajtje pa leje, Azem Spahiu është dënuar me 600 euro gjobë për armëmbajtje pa leje, dhe Shkëlzen Uruqi është dënuar me 1 vit e pesë muaj burgim.
Ky grup është akuzuar se më 24 shkurt 2012 kanë grabitur kazinonë “Merkuri” duke plaçkitur mbi 16 mijë euro. Grupi është akuzuar për veprat penale të “grabitjes”, “Armëmbajtje pa leje” dhe shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”.
Aktakuza e ngritur nga prokurori Shaban Spahiu i ngarkon Nijazi Spahiun, Azem Spahiun, Ardian Bajramin, Shkëlzen Uruqin dhe Rasim Sylën për veprën penale “vjedhje grabitqare”.
Sipas aktakuzës të dyshuarit më 24 shkurt 2012 në lagjen “Dardania” në Gjilan në bashkëveprim me njëri tjetrin kanë kryer grabitjen në kazinonë “Merkuri”. Grupi sipas aktakuzës ka pasur një plan dhe marrëveshje paraprake, duke i ndarë edhe rolet duke siguruar edhe mjetet e përshtatshme për kryerjen e veprës si dorëza, maska.
Të pandehurit në kazinonë “Merkuri” kanë hyrë të armatosur dhe me maska dhe duke i drejtuar armët automatike nën kanosje e godasin të dëmtuarin Rr.Sh. dhe nën kanosjen e armëve grabisin shumën e të hollave prej 16 mijë eurove. Të pandehurit pas grabitjes të hollat i kanë ndarë mes veti derisa si udhëheqës i grupit sipas aktakuzës është cilësuar Rasim Syla.
Ky grup akuzohej për veprat penale grabitje, shfrytëzim të paautorizuar të armëve dhe shkaktim të rrezikut të përgjithshëm. /rajonipress/


