Goshica shumë kërkesa për investime kapitale
Gjilan – Komuna e Vitisë ka mbajtur një debat në Goshicë të Vitisë për të diskutuar për planifikimin e buxhetit komunal për vitet 2014-2016 me këtë rast banorët janë njohur me investimet kapitale të cilat po zhvillohen gjatë këtij viti në territorin e Vitisë si dhe projektet tjera të cilat do të realizohen gjatë këtij viti por edhe në vitin në vijim.
Përfaqësues të Komunës së Vitisë i njoftuan Goshicasit se për këtë vit është planifikuar ndërtimi i ujësjellësit ndërsa për vitin në vijmë parashihet ndërtimi i kanalizimit fekale.
Ndërsa banorët gjatë këtij takimi kanë pasur kërkesat e ndryshme për investime kapitale, si renovimi i shkollës, rregullimi i oborrit saj dhe vendosja e rrethojës në shkollën e fshatit, por edhe disa kërkesa të tjera si shtruarjen e rrugëve bujqësore.
Zëvendëskryetari i Komunës së Vitisë, Abdyl Bajrami duke folur për planifikimin e buxhetit komunal tha se jemi në fazën e planifikimit të buxhetit komunal dhe se për këtë komuna është duke i mbajtur këto diskutime publike me qëllim që të marrim mendimin e qytetarëve se në cilat fusha janë të interesuar të investohet në lokalitetet e tyre. “Më parë planifikimi i buxhetit është bërë në zyre, me një numër të vogël të zyrtarëve , por që tri vjet këtë planifikim e bëjmë së bashku me banorët, kjo me qëllimin më të mirë që qytetarët tanë të jenë pjesë të përcaktimit investimeve kapitale në lokalitetet e tyre” u shpreh Bajrami.
Ai gjithashtu gjatë këtij vuri re se për fshatin Goshicë është paraparë projekti i ujësjellësit ndërsa për vitin në vijim rrjeti i kanalizimit fekal. Bajrami gjithashtu i njoftoj Goshicasit se komuna si një ndër kriteret kryesore për investime në një lokalitet të caktuar është shkalla e pagesës së tatimit në pronë, andaj edhe ju bëri thirrje banorëve të paguajnë faturat e tatimit në pronë.
Ndërsa Fatmir Zeqiri banorë i këtij fshati tha se përveç këtyre projekteve të cilat parashihen nga komuna është e nevojshme që të shikohen të gjitha mundësitë buxhetore që sa më parë të bëhet renovimi i shkollës si dhe të vendosën rrethojat për skaj të saj.
Elmaz Zeqiri theksoi se fshati ka kërkesa të shumta por megjithatë u është mirënjohës komunës që gjatë këtij viti dhe vitit në vijim ka paraparë investime në këtë lokalitet.
Ndërsa Kryetari i këtij fshati Muhabi Zejnullahu kërkoj nga komuna që të jetë më e kujdesshme në ndarjen e buxhetit për investime kapitale dhe ta ndajë atë në mënyrë të drejtë dhe të barabartë duke theksuar se nevojat e këtij fshati janë të mëdha.
Ndërsa edhe banorë të tjerë patën kërkesat e ndryshme si shtruarjen e disa rrugëve bujqësore ku ndër to janë përmendur rruga që çon në vendin e quajtur bashkimi i lumenjve.
Ky takim është organizuar nga Zyra për informim e Komunës së Vitisë në bashkëpunim me Zyrën e Kryetarit, Drejtorinë për Ekonomi, Financa dhe Zhvillim dhe është moderuar nga Zyrtari për Informim Mustafë Mehmeti./rajonipress/


