“Gomarët e Babatasit” dhe hajvanë të tjerë

/ 10 minuta lexim

Nga Halil Matoshi- Po t’i lexosh fjalimet në Parlamentin shqiptar, përkatësisht shkrimet e Fan S. Nolit, Faik Bej Konicës, Hasan Prishtinës dhe Gjergj Fishtës, për jetën politike shqiptare të viteve ’20, përkatësisht nga viti 1924, të vizatohet peizazhi egërshan shqiptar i ditëve tona edhe pse kanë kaluar rreth 90 vjet. Asgjë s’ka ndryshuar – asgjë nuk është ndrequr…

Kanë ndërruar interesat, ideologjitë, elitat, njerëzit dhe kontekstet shoqërore, por sjellja dhe mendësia politike është po ajo, primitive, fshatareske dhe abuzive…
Shqipërinë e ngritën idealistët, e ruajtën rastet, e shkatërruan politikanët, është kjo një fjali që i vihet në gojë Faik Konicës, mendimtarit modernist dhe kritikut më të madh të shoqërisë shqiptare. Shqiptarët kurrë në histori për sa u përket raporteve politike ndërkombëtare nuk i kanë pasur punët më mirë, po kurrë s’kanë qenë në pozitë më të mjerë në shtëpi.

Sipas Giovanni Sartorit fjala greke oikos d.m.th. “katandi” dhe nomos “rregulla”, pra ekonomia është e përafërt me atë që shoqëritë tradicionale ballkanike e kanë konotacionin ‘me e mbajtë shtëpinë’, pra zotshpillëk.Porse shqiptarët nuk janë të lumtur, sepse u vidhet shtëpia nga të zotët e saj!?Shpërfillje ndaj realitetit, mallkim apo ironi e fatit?

Nuk po ndryshon shqiptari. Si për inat të vetvetes. Mbetet po ai që ishte këtu e një shekull më përpara, mosbesues ndaj tjetrit, mburravec e hakmarrës, që nuk ia do as me kanun as me ligj. Thjesht njeri që ia ka qejfi ta marrë ligjin në dorë.

Duke bërë fjalë për luftën e Kosovës, Ismail Kadare pati thënë: Ra ky mort e u pamë, madje kjo fjali i shërbeu si titull i një libri në të cilin përshkruan grindjet ndërveti, mungesën e organizimit si shoqëri politike, lakminë dhe mujshinë egërshane të krerëve shqiptarë, të cilët pështyjnë çdo gjë dhe gjithandej, secilin që mendon e flet, secili që nuk u shkon për qejfi e për ta kursyer vetëm vetveten, unin sederli.

U bë sebep një ndeshje futbolli (Zvicër-Shqipëri) për t’i nxjerrë në shesh pamendësitë shqiptare andej e këndej kufirit politik, lehtësinë e padurueshme për të folur për tjetrin si tradhtar, natyrisht duke ia ruajtur secili vetes piedestalin e patriotit.

I pyetur nga gazetarët se si e vlerësonte tifozërinë shqiptare në Basel, trajneri i Kombëtares zvicerane, gjermani Ottmar Hitcfeld, me një qetësi të pamatë nuk i përmendi thirrjet raciste në stadium, as qasjen e egër ndaj kosovarëve që kanë zgjedhur t’i mbrojnë ngjyrat e Kombëtares helvetike, por ai tha shkurt se shqiptarët janë qejfli!

Dhe disa shqiptarë fjalën e tij do ta kenë kuptuar si lëvdatë…

Shtypi gjermanishtfolës i Zvicrës, duke i pandehur shqiptarët si të dhunshëm në fushën e gjelbër, pasi që zvicerani me origjinë kosovare, Xherdan Shaqiri, kishte marrë disa gërvishtje në fyt, së këndejmi fjalën ‘albaner’ e lakoi edhe si ‘krallbaner” (grithës), “Schau mal, Mami… das waren die Krallbaner”, (shih nënë… ata ishin gërvishësat tanë!)

Ndërkaq që vetë Shaqirin e cilësonte në një titull ‘knallbaner’: “Shaqiri ist unser Knallbaner” (Shaqiri është kushtrimi ynë!) pa harruar që në gjuhën shqipe, në fund të një artikulli të shkruhej: Mirupafshim në Tiranë!

Sidoqoftë kjo ndeshje u harrua shpejt, por mes shqiptarësh mbeti shija e hidhur e sharjeve të ndërsjella, për një arsye shumë të thjeshtë, smirës ndaj tjetrit.

Mendësinë shqiptare sot, në kohën e një bote në lëvizje, që emërohet si globalizëm e dominon diskursi romantik dhe ideologjik identitar, pra konceptet arkaike dhe biologjistike identitare, për bashkësitë kombëtare ‘me gjak të pastër’ dhe për bastardë, e ky diskurs e ka rritur tejmase konfuzionimin identitar të shqiptarëve etnikë gjithandej dhe po e rikthen në skenë tributin patriot dhe tradhtar.

Ndërkaq që tradhtarët e njëmendët janë në Qeveri.

Shihni sot gazetat dhe televizionet kosovare, pothuajse i tërë sistemi ka probleme me ligjin, duke u nisur nga zyrtarët më të lartë të Qeverisë (zëvendësministra që duan ta blejnë Kosovën sipas kushteve të tyre, përmes një “skeme piramidale” të quajtur Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), e deri te kryetarët e komunave kosovare. Derisa zhvatës profesionistë e “vetëvranë” shefin e kësaj agjencie, kryeministri ndodhej diku jashtë shtetit, ose udhëtoi bash në ato çaste, për të mos u përballë me përgjegjësitë mbi sigurinë në vendin që e drejton. Ai në ndërdije duket se e ka të gdhendur sindromën: “Pasi t’më keni shërbyer, u bëfshi mish për korbat”, kjo dëshmon pikërisht atë që e tha Hitzfield, për qejflinjtë, që sipas një fjale të urtë shqiptare për nuset e pispillosura, i bie: “Rrini më qani burrin, se unë po shkoj në dasmë”!

Aq shumë zyrtarë kosovarë sot gjenden “në anën tjetër të ligjit”, saqë, po të ishte Kosova shtet ligjor, lirisht do të mbushej stadiumi Basel Sportarena, ku do t’u bëhej një gjyq publik! Natyrisht duke ua konfiskuar pasuritë e dhjetë vjetëve të fundit?

Dhe ata kanë ardhur në poste publike pikërisht duke trumbetuar bëmat e tyre, që i përkufizojnë me një patriotizëm arkaik, përderisa Kosovën askush s’e do e të gjithë e zhvatin.

Sipas logjikës së gjërave, tradhtarët më të mëdhenj duhej të ishin ata që e kanë zaptuar shtetin dhe po e mbysin në korrupsion, në bashkëpunim me krimin e organizuar, ata që ia kanë zënë pritën demokracisë dhe modernizimit të dy shoqërive paralele shqiptare, ata që e kanë marrë ligjin në duart e tyre, ata hajdutë e konservatorë, që Gjergj Fishta i përshkruan si “Gomarët e Babatasit.”

Aktualisht, duket ashiqare se në të dyja shtetet e shqiptarëve etnikë, ligji nuk është vendosur asnjëherë, ose ka rënë tërësisht.

Korrupsioni galopant dhe krimi i organizuar në nivele të larta shtetërore dhe mungesa e etikës së pushtetit është letërnjoftimi i këtyre dy shoqërive.

KKGJILAN

Më shumë se njëzet vjet pas rënies së komunizmit, gjakmarrja dhe vrasjet monstruoze janë në rritje në Shqipëri, në Kosovë pushtetin real e kanë kapo-bandat e ndërtuara jo më mbi fisin dhe gjakun si një “Comorra” siciliane, por mbi interesat grupore e partiake, që më tepër u shkon regjimeve të diktaturave moderne në Amerikën Latine, në të ashtuquajturat “Banana Republika”, që kanë ngritur struktura paraushtarake (shërbime private të inteligjencës) si OAS (Organisation de l’armée secrète) franceze pas tërheqjes nga lufta e Algjerisë, derisa De Gaulle i dërgoi në “plehun e historisë.”

Shqiptarëve u duhet një De Gaulle, i cili, mjerisht, kurrë nuk do të shfaqet mes tyre!

Sepse po të shfaqej një De Gaulle shqiptar, ai do të shpallej njëzëri nga “krerët” e kombit tradhtar dhe do të piqej i gjallë!

Pra, nuk janë veshur me pushtet kurrfarë patriotësh as romantikë e lëre më ligjor, kurrfarë liderësh kombëtarë të përgjegjshëm, por njerëz të dhunshëm, shantazhues profesionistë dhe zhvatës, këta e kanë pushtetin faktik në Kosovë.

Fare s’ka rëndësi për cilin politikan shqiptar të shekullit 20 dhe 21 është fjala, është krejt njësoj, secili nga ta portretizon tjetrin.

Unik në budallallëk!

Burrështetasit shqiptarë, kundërshtarët politikë, përkatësisht bashkëkohanikët i cilësojnë si armiq e tradhtarë, ndërsa paraardhësit në mënyrë jokritike i vlerësojnë me pietet si heronj dhe atdhetarë…

Në anën tjetër secili nga pasardhësit në majat e shtetit imiton për dreq veset më të shëmtuara e të errëta të pararendësve, hajdutërinë, natyrën abuzive, mburrjen dhe monopolin mbi historinë, agresionin dhe fukarallëkun mendor.

Një diagnostikim mjerisht perfekt të lëngatës që kishte pllakosur shoqërinë shqiptare në vitet ’20 dhe që e kishte shkaktuar luftën civile, e jep Atë Fishta në shkrimin programatik “Trazimet e qershorit 1924.”

Ndër shkaktarët e kësaj lufte, si fatalitete në historinë e shqiptarëve Fishta i sheh të gjithë politikanët 1921 -1924 që janë prodhues të të gjitha mbrapshtive tjera e të cilët ai i cilëson ‘politikanë biramela’ (njerëz injorant, pa kurrfarë kulture, pa kurrfarë edukacioni civil e tradicioni familjar për të mbarë e për të mirë, ata “ku me intriga, ku me rrena e kaçarrena e me dhunë e pabesi tue marrë mendësh popullin e mjerë, me do fjalë të mëdha oksidentalizmi, përparimi e lirie, mbërritën me i hy në trup e thellë me iu rrasë në mushkni së shuemes moj Shqipni, e kështu me ia helmatisë gjakun, jetën e shpirtin.”

Sipas Fishtës, janë pikërisht këta njerëz që u bënë shkëlqesa (deputetë) dhe ministra “kush me 50, kush me 60 e kush me 80 napolona ar në muej”, ndërkohë që një gjeneral brigade në Italinë e atëhershme kishte një mijë lira italiane rrogë mujore, afërsisht 10 napolona.

Pastaj, në ranglistën e shkaktarëve të luftës civile të vitit 1924, Fishta, sipas studiuesit Tonin Çobani, e rendit nepotizmin dhe batallat e papunë, ku pjesa më e madhe e administratës së shtetit është ngritur për të punësuar “shumë miq e dashamirë e kumbarë e akraba, që edhe këta të ndreqeshin e të fillojshin me u ushqye me gjak të Shqipnisë si shkëlqesat ministeriale e qeveritare”.

Hapi i parë drejt luftës civile, sipas Fishtës, ishte “gverra” ndërmjet parlamentarëve, pasi “secili deshi me shkye sa ma shumë për vete, e kështu u hyni gverra shoq me shoq e t’ia nisën me ia shti “gishtin” në sy njëni-tjetrit. T’u ngrehën “klika” e “kamorra” t’u ndërtuan “grupe” e “parti”; t’u çelën llogore e istikame e t’u kapërthyen njëni me tjetrin, si ata flokët e harapit…Ai i thotë vetes “Esadist”, ky “Zogollist”; ai “Gegë”, ky “Toskë”; njëni “kristian”, tjetri “muhamedan”; kush “popullor” e kush “përparimtar”, kush “oriental” e kush “oksidental” – “shqiptar”, por, kurrënjëni jo: përposë se kur shkojshin me nxjerrë rrogat ar në kasa të shtetit.”

Pastaj, hidhen hapat tjerë, smira e kopullëku; fushata e zgjedhjeve dhe vjedhja e tyre (sot në rrethanat kosovare do të thuhej: fabrikimi industrial i tyre!), kontestimi i asambleistëve, istikamet e ngrehuna nga Ahmet Zogu Kryeministër; për të mbrri tek hapi i gjashtë, anarkia totale, që Fishta ia përshkruan një force bashibozuke.

“E që se, porsa nisi më u mëkambë forca bashibozuke e Matit dhe e Dibrës, e të disa vendeve të tjera të Shqipnisë së Mesme, po fillojnë me u vërtetue ku në Kthellë, ku në Elbasan, ku në Kavajë, ku ngjetit, edhe do vrasje misterioze, të cilave s’u dihej, shkaku, as dorasi i vërtetë. Nisën me u ba do plaçka e do grabitje, për të cilat Qeveria s’çante kryet aspak…”

Ky tregim fishtian, në kontekstin e të sotmes kosovare nuk ka analogji me rajone, as persona konkretë, pra ngjashmëritë janë të rastësishme.

Vlerësoni vetë!

Jemi në fund të vjeshtës së pestë të pavarësisë së Kosovës dhe asnjëherë më afër trazimeve të qershorit 1924!?