UBT

Goditet me predha të dasmorëve vetura e mërgimtarit

/ 2 minuta lexim

Gjilan – Mërgimtarit Mevlduin Sabedini i ka ndodhur një situatë e pakëndshme këtë të premte derisa me familje po qëndronte në ballkon të shtëpisë. Një predhë e ka goditur veturën e tij Audi 6 ku ka pësuar dëme të konsiderueshme. Ismet Hashani zëdhënës i policisë tha për rajonipress se vetura është dëmtuar si pasojë e gjuajtjes me armë të zjarrit nga ahengjet dhe dasmat.

Mërgimtari Mevludin Sabedini ka përjetuar momente të pakëndshme ditën e premte.“Punojë në Luzern të Zvicrës dhe ka 10 ditë që ndodhem me familje në shtëpinë time. Sot derisa po rrija me fëmijët në ballkon kam vërejtur se mbi veturën time ka rënë me shpejtësi të madhe një plumb i cili ka shkaktuar dëme të mëdha në veturë, meqë plumbi ka depërtuar në motorin e veturës” sqaron Sabedini.

Sipas tij plumbi ka ardh si rezultat i të shtënave të pakontrolluara nga dasmat e shumta dhe dasmorët e pandërgjegjshëm.”Isha i trishtuar nga kjo skenë sepse isha pak metra me fëmijët. I kam kontaktuar menjëherë policinë dhe jam shumë i interesuar që rastin ta zbardh policia në mënyrë që të parandalohen rastet tjera” tha ai.

Mobi Casa

Ismet Hashani zëdhënës i policisë rajonale në Gjilan tha për rajonipress se rreth orës 12 e 30 minuta në rrugën “Abdulla Presheva” në Gjilan viktima – ankuesi ka lajmëruar policinë e cila së bashku me ekipin e forenzikës menjëherë ka dalur në vendin e ngjarjes.

Hashani tha se vetura e mërgimtarit është goditur si pasojë e gjuajtjeve të pakontrolluara të armëve të zjarrit.”Vetura ka pësuar dëmtime kurse policia është në vendin e ngjarjes dhe shpresojë se shpejt edhe do të zbardhet ky rast. Pavarësisht se kjo predhë ka mundur të vijë pa ndonjë qëllim të caktuar ne u bëjmë apel të gjithë dasmorëve dhe familjeve që organizojnë ahengje e ndeja të kenë kujdes maksimal sepse ligji është shumë i sanksionueshëm për këto raste” tha Hashani./rajonipress/