Goal paraqet profilin e Gashit

Goal.com ka paraqitur profilin e sulmuesit kosovar, Shkëlzen Gashi, para fillimit të ndeshjeve në Ligën e Kampionëve.
Sulmuesi kosovar, Shkëlzen Gashi, do të jetë vetëm nga disa që do të debutojnë nga nesër në Ligën e Kampionëve.
Anëtari i Baselit do të luajë kundër skuadrës të cilën e ëndërroi se do ta kishte kundërshtar, Real Madrid.
E, Goal.com e ka futur Gashin në listën e debutantëve, duke ia kushtuar atyre një hapësirë për paraqitjen e profilit.
“Shkëlzen Gashi mund të jetë një emër i njohur vetëm për tifozët e futbollit zviceran, por nënshkrimi i verës i Baselit sigurisht se do të jetë një për t’u shikuar para ndeshjeve të fazës së grupeve në Ligën e Kampionëve.
Mesfushori shënoi 19 herë në 32 ndeshje në Superligë stinorin e kaluar me Grasshopper dhe nuk është ndalur as në stinorin 2014-15, duke shënuar katër gola në nëntë paraqitje.
Real Madridi mund të jetë një kundërshtar i frikshëm të martën, por duke vënë në konsideratë formën jo të mirë defensive të kampionëve evropianë, a mund që golat e Gashit të shkaktojnë një rezultat shokues?”, shkruhet ndër të tjera për Gashin.