Hidromorava

Glawogger thotë se me film nuk ndryshohet bota

/ 4 minuta lexim

Prizren- Për filmbërësin, shkrimtarin e fotografin austriak, Michael Glawogger, një filmbërës nuk duhet të bëjë një dokumentar duke menduar se do ta ndryshojë botën, shkruan sot “Koha Ditore”.

Përkundrazi, sipas tij, një filmbërësi mund ta humbë subjektin që është duke e zhvilluar në dokumentar. Në një ligjëratë që ka mbajtur të enjtën pasdite në kuadër të debateve në edicionin e njëmbëdhjetë të “DokuFest”, Michael Glawogger ka folur për më shumë se një orë për filozofinë e tij të të bërit dokumentar.

I njohur për trilogjinë e dokumentarëve për prostitucionin në tri vende, me tri gjuhë dhe tri religjione, Michael Glawogger, ka ardhur në “DokuFest” për të shfaqur po këtë film dokumentar të titulluar “Whores Glory”, që është dhënë të enjten mbrëma në kuadër të programit “View from the World”. Në fakt dokumentari i shfaqur është pjesa e tretë e trilogjisë së rrëfimit të tij për globalizmin përderisa aty përfshihen edhe këngë të kantautores shumë të njohur PJ Harvey, e cila ishte mysafire e edicionit të kaluar të “DokuFestit”.

Por pesë orë para se projeksioni i tij të shfaqej, ai ka dhënë disa deklarata të cilat kanë nxitur goxha debat. Përderisa dokumentari i tij është duke e bërë namin nëpër botë ku në shumë vende ka hapur temën mbi prostitucionin, në Prizren, ai nuk ka dhënë qëndrim të prerë për këtë çështje.

“Mund të them jam pro ose kundër. Por kjo nuk e ndryshon asgjë çështjen. Prostitucioni ka qenë aty dhe do të mbetet gjithmonë. Jam kundër kriminalizimit të prostitucionit”, ka thënë Glawogger, i cili ka studiuar në Institutin e Arteve në San Francisco dhe në Akademinë e Filmit në Vjenë.

Duke folur para një audience, shumica filmbërës nga vende të ndryshme të botës, Glawogger ka thënë se të bësh një dokumentar duhet të qëndrosh shumë gjatë me personazhet e zgjedhura. “Nuk është dokumentar nëse e merr personazhin dhe e vendos në një karrige dhe e xhiron. Ajo është intervistë. Dokumentar është normaliteti dhe ajo çfarë njerëzit bëjnë në jetën e zakonshme”, ka thënë Glawogger.

Uji Dea

Sipas tij, nëse dëshiron të bësh një film artistik, atëherë duhet të bësh shumë për aktorët. “Nëse vendos të bësh dokumentar, atëherë duhet të kesh pamje të mira. Pamjet duhet të flasin”, ka thënë ai. I njohur për filmat e tij “Kill daddy Good night”, “Slugs”, “Contact high”, dhe dokumentarët “Megacities” e “Workingman’s Death”, Glawogger ka thënë se është budallallëk që një filmbërës të mendojë se duke bërë një dokumentar do të ndryshojë botën. Madje, sipas tij, filmi nuk ndryshon botën. Ai thotë se një artist vetëm mund t’i nxisë njerëzit të mendojnë.

“Sikurse që një person mund të hyjë në mendime para një pikture dhe kushedi se çfarë mund të mendojë”, ka thënë Glawogger.

Ai ka përmendur shumë dokumentarë, përkatësisht filmbërës të cilët, sipas tij, kanë nisur të xhirojnë për diçka në tentim që të ndryshojnë gjendjen. Në atë moment që një regjisor i hyn punës për të bërë një dokumentar me idenë se do të ndryshojë diçka, sipas Glawoggerit do të humbasë edhe nëse ka idenë më të mirë dhe më interesante në botë.

“Janë bërë filma se në Amerikë përdoren armët dhe asgjë nuk ka ndryshuar në lidhje me këtë. Dokumentar i tillë mbetet një video. Sikurse dokumentari të ishte bërë se përse qytetarët i përdorin armët, së paku do të ishte një vepër arti. Prandaj është budallallëk që të hysh xhrimit të një dokumentari me këso pretendimesh”, ka thënë Glawogger.

Duke folur për interesimin e madh të audiencës për të kuptuar se si Glawogger i ka bindur prostitutat dhe klientët që t’i xhirojë për dokumentarin “Whore’s Glory”, në të cilën ka shumë skena me akte seksuale, ai ka thënë se për të arritur këtë u ka treguar se çfarë lloj dokumentari është duke e bërë. “Me çfarëdo njeriu që ke punë duhet të tregohesh i sinqertë duke i thënë atë se çfarë dëshiron të bësh me këtë dokumentar dhe asnjë nuk do të të refuzojë. Mund edhe t’i paguash ose tua kthesh me diçka atë që ata të japin”, u ka thënë Glawogger, të pranishmëve.