Gjysma e familjeve kosovare në krizë financiare

Sipas të dhënave nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) afër gjysma e familjeve kosovare shpesh nuk janë në gjendje të paguajnë në kohë pagesat siç janë qiraja, kreditë, tatimet, shpenzimet komunale – faturat, mirëmbajtje të rregullta etj.
Në anën tjetër njohësit e ekonomisë vlerësojnë se rritja e pagave në sektorin publik nuk do të ndikojë aspak në zbutjen e gjendjes së rëndë sociale të familjeve kosovare, pa pasur rritje të numrit të punësuarve.
Familjet kosovare vazhdojnë të përballen me kushte të rënda sociale. Gjysma e familjeve kosovare kanë deklaruar se gjatë vitit 2013 nuk kanë mundësi t’i kryejnë me kohë pagesat e shërbimeve të cilat i shfrytëzojnë. Sipas të dhënave nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ekonomitë familjare shpesh nuk janë në gjendje të paguajnë në kohë pagesat siç janë qiraja, kreditë, tatimet, shpenzimet komunale – faturat, mirëmbajtje të rregullta etj.
“Gjatë viti 2012, 48 për qind e ekonomive familjare dy here ose më shume nuk kanë mundur të përballojnë pagesat, ndërsa në vitin 2013 është vërejtur një rënie prej 4 për qind. Te ekonomitë familjare që një here nuk kanë mundur të përballojnë pagesat është vërejtur një rritje prej 4 për qind në vitin 2013 në krahasim me vitin 2012”, thuhet në Raportin e Anketës së Buxhetit të Ekonomive Familjare 2013 të ASK-së.
Sipas raportit gjysma e ekonomive familjare në Kosovë gjatë vitit 2013 kanë deklaruar se nuk kanë qenë në gjendje të përballojnë një shpenzim të papritur prej 500 euro përmes burimeve vetanake./Tribuna/.