Gjyqtari Berat Spahiu shpallet i pafajshëm
Berat Spahiu gjyqtar i Gjykatës Themelore në Gjilan është shpallur i pafajshëm nga Gjykata Themelore në Prizren, pasi nuk ka pasur prova për çka është akuzuar.
Aktakuza ndaj gjyqtarit ishte ngritur për deklarim të rrejshëm bazuar në kallëzimin penal nga Agjencia Kundër Korrupsion.
AKK-ja pretendonte se nuk është deklaruar saktë nga gjyqtari vlera e veturës në deklarimin e pasurisë për vitin 2012.
Në aktakuzën kundër tij përmendej se vetura e blerë ka vlerën prej 5 mijë e 600 eurosh dhe shuma e përmendur bazohet në katalogun doganor.
Por, pas ekspertizës që i është bërë veturës, është konstatuar se çmimi i saj është 3.800 euro.
Gazeta Tribuna ka mësuar se prokurorja e rastit pas ekspertizës që i është bërë veturës, ka hequr dorë menjëherë nga aktakuza me çka konsiderohet i mbyllur rasti.
Shpallja e aktgjykimit është konfirmuare për Gazetën Tribuna edhe nga vet gjyqtari Spahiu.
Ndërsa zëdhënësi i kësaj gjykate, Sabit Shkodra ka thënë se vendimi për shpalljen e aktgjykimit ende nuk ka arritur në Gjykatën Themelore në Gjilan, por menjëherë pasi që ai të arrij, gjyqtari në fjalë do të dal në vendin e tij të punës./Gazeta Tribuna/


