Gjyqtarët serbë kërcënohen të vijnë në Kosovë
Gjykata Kushtetuese në Serbi ka marrë një letër me kërcënime me vdekje e adresuar gjyqtarëve të gjykatës dhe familjeve të tyre. Sipas letrës, gjyqtarët duhet të lënë postet e tyre dhe të lëvizin në Kosovë bashkë me familjet, përndryshe do të vriten.
Një grup i panjohur i ka dërguar të enjten një letër Gjykatës Kushtetuese në Serbi, duke e kërcënuar se do të vrasë 11 gjyqtarë.
“Në bazë të gjetjeve dhe deklaratave, aleanca pan-serbe në mbrojtje të interesave kombëtare serbe dënon me vdekje 11 gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese në Serbi që ka ndaluar organizatën Obraz”, thuhej në letër.
Grupi përcakton parimet bazë të tij si patriotizmi dhe besimi në Kishën Ortodokse Serbe. Ata e shohin veten si mbrojtës të pastërtisë së gjuhës serbe dhe alfabetit cirilik dhe vlerave familjare.
Grupi u bë i njohur në vitin 2001 për sulmin për Paradën e Parë Gay në Beograd që i la disa marshues dhe policë të plagosur.
Në prill të vitit 2011, një gjykatë në Beograd burgosi liderin e “Obrazit”, Mladen Obradovic, me dy vjet për organizim të protestave gjatë tetorit të vitit 2010 të Paradës Gay të Krenarisë në Beograd, në të cilën rreth 140 persona u plagosën.
Në qershor, gjykata ndaloi organizatën e djathtë “Obraz” e njohur për nxitje të dhunës kundër homoseksualëve.
Sipas letrës, gjyqtarët duhet të lënë postet e tyre dhe të lëvizin në Kosovë bashkë me familjet, përndryshe do të vriten.
Në letër thuhet gjithashtu se çdo hap i gjyqtarëve dhe familjeve të tyre do të ndiqet dhe se asnjë forcë nuk mund ta parandalojë grupin e panjohur nga ekzekutimi i dënimit.
Letra ishte nënshkruar nga “Gjykata Kangaroo, Gora e Zezë – Apis”. Nënshkrimi i referohet kolonelit Dragutin Dimitrijevic, i njohur si Apil [Bleta], lideri i organizatës sekrete terroriste para Luftës së Parë Botërore.
Lideri i “Obrazit”, Mladen Obradovic, ka mohuar çdo lidhje me letrën.
Gjykata Kushtetuese ka informuar autoritetet për përmbajtjen e letrës.(GJNK)