Fundamenti

Gjyqësori pika më kruciale e gjeneratave të reja

/ 4 minuta lexim

Nga Musa Sabedini- Nuk mund të synojmë shtet ligjor e funksional nëse akoma stagnojnë hallkat zinxhirore Polici-Prokurori dhe Gjykatë. Pa policë të aftë, pa prokuror të guximshëm e pa gjykatës apolitikë vështirë se mund të ecim në këmbë të shëndosha, aq më parë të bëhemi pjesë e standardeve dhe kritereve të Bashkimit Evropian.

Jemi mësuar tashmë kohëve të fundit të shohim edhe policë, edhe gjykatës e edhe prokuror duke u arrestuar e duke treguar lloj – lloj rrëfimi. Në shikim të parë kjo tregon një hap pozitivë për shoqërinë tonë se po merremi me të keqën, por në fakt kjo e keqe kështu ka qenë që nga viti 1999.

Pra na janë dashur plotë 13 vite që të vetëdijësohemi dhe të raportojmë. Rasti i fundit ku gjykatësi Miodrag Paviq ra në flagrancë, pasi u raportua nga një bashkëvendës i tij është lajm i mirë. Lajm i mirë në kuptimin se edhe në gjyqësor ka dhe ka pasur korrupsion të rangut më ekstrem. Madje ka çdo ditë raste ku qytetari goditet, ku qytetarit i hyhet në hak. Megjithatë arrestimi i Paviqit nuk ishte meritë as e policisë e as e prokurorisë, po ishte meritë e vet qytetarit-viktimës që në këtë rast nuk ka heshtur.

Askund në botë nuk ndodhë , madje as në shtetet më të pazhvilluara që qytetari të vrapojë pas gjykatësit, pas lëndës së tij. Askund nuk ndodhë që qytetari të vrapojë pas policit e prokurorit. Këtu tek ne në Gjilan e në Kosovë, po ndodhë pikërisht ky fenomen. Kot shteti i paguan këta gjykatës , polic e prokuror. Kot madje është kur atyre u krijon kushte, zyre, telefona, aparatura e çka jo tjetër. Sjellja e tyre prapë mbetet e njëjtë në raport me qytetarin e rëndomtë. Zvarriten lëndët me vite të tëra, humbin dosjet, zhduken rastet dhe askush nuk jep përgjegjësi.

UBT

Në fakt në kuadër të këtyre tri hallkave që janë të përfshira policia-prokuroria dhe gjykatat duhet të ndërrohet koncepti dhe mentaliteti në kokat e atyre që punojnë në këto institucione. Është thënë disa herë se sistemi i drejtësisë po reformohet, po ka transparencë më shumë, punë profesionale më të madhe, po në fakt në praktikë po ndodhë e kundërta. Kemi sërish mbyllje të këtyre institucioneve, kemi mos transparencë të këtyre institucioneve, papërgjegjësi totale ndaj punës.

Dhe viktimë sërish mbetet qytetari i rëndomtë. Këto fakte pastaj ndikojnë që gjyqësori të akuzohet dhe të mbetet i fundit për kah besueshmëria. Kam qenë dhe jam gjithmonë ithtar i një pune të guximshme, profesionale dhe përkushtuese. Sepse vetëm këto tri elemente e bëjnë punën e gjyqësorit më të afërt me publikun, e bëjnë më të afërt me kriteret e krijuara dhe të standardizuara nga shtetet e Bashkimit Evropian.

Miodrag Paviq mund të ketë edhe shumë koleg të tjerë që e kanë kryer apo e kryejnë të njëjtin zanat, vetëm duhet që qytetari ta aktivizojë guximin dhe të raportojë për dukuritë e tilla. Gjyqësori vazhdon të mbetet sfida më kruciale për gjeneratat e reja, për ato gjenerata që nuk i binden politikës dhe që nuk ndikohen nga politika, për ato gjenerata që nuk njohin autoritete e institucione politike, për ato gjenerata që nuk e njohin dhe nuk kanë frikë nga krimi i organizuar politikë e ekonomikë, për ato gjenerata të reja që janë në gjendje në çdo kohë ta mbrojnë viktimën, dëshmitarin e mbrojtur, qytetarin e thjeshtë.

Në këtë rrugë për ta disiplinuar, profesionalizuar dhe bërë më të përgjegjshëm hallkën e drejtësisë kemi shumë punë, kemi shumë punë dhe mbi të gjitha na duhet më shumë guxim e kurajo për ta luftuar të keqën që po sillet rreth gjyqësorit.