Gjykatat refuzojnë paditë e luftës, Kuvendi rri “gojëmbyllur”
Refuzimi në masë i drejtësisë kosovare për të shqyrtuar e gjykuar paditë e qytetarëve të Kosovës, të ushtruara me bazë ligjore për dëme lufte, që i ka bërë regjimi kriminal serb në gjatë luftës në Kosovë, qoftë ato individuale e apo në cilësinë e personave juridikë, është një veprim skandaloz.
DËMET MILIARDËSHE, TË KRYERA GJATË LUFTËS SË FUNDIT, NUK I AKTIVIZOJNË LIGJVËNËSIT
Burjani: Edhe në Bruksel Kosova duhet të hapë, patjetër, çështjen e dëmeve të luftës
“Çështja e inkompetencës së gjykatave të vendit kundruall rasteve të dhunës dhe gjenocidit në Kosovë gjatë luftës është një çështje joligjore dhe shkon ndeshur me të drejtën pozitive në fuqi. Kompetencat caktohen për gjykatat, duke u mbështetur në kompetencën territoriale dhe lëndore. Mosrespektimi i kësaj baze ligjore nga gjykatat e vendit, të Kosovës, është “nikotinë” e vetë shtetësisë së shtetit të Kosovës dhe nënshtrimi ndaj politikës, që në fakt është tejet e padrejtë”, shprehet profesori Muhamet Kelmendi
Refuzimi në masë i drejtësisë kosovare për të shqyrtuar e gjykuar paditë e qytetarëve të Kosovës, të ushtruara me bazë ligjore për dëme lufte, që i ka bërë regjimi kriminal serb në gjatë luftës në Kosovë, qoftë ato individuale e apo në cilësinë e personave juridikë, është një veprim skandaloz.
Ende më skandaloz është Kuvendi i Republikës së Kosovës, që nuk po e sheh të arsyeshme që ta bëjë temë debati të gjithanshëm dhe me kërkim llogarie për këtë veprim të padrejtë të drejtësisë kosovare. Deputeti Zafir Berisha, nga nisma për Kosovën, thekson se një debat i tillë në Kuvendin e Kosovës është i pamundur të iniciohet dhe zhvillohet, pasi që shumica parlamentare është e ndikuar skajshmërisht nga Qeveria, prandaj në këtë rrafsh akoma nuk mund të ketë ndonjë veprim serioz, pavarësisht vullnetit të mirë nga ana e opozitës. “Kuvendi për arsye të arrogancës së votave të koalicionit dirigjohet nga Qeveria, kështu që shpeshherë si organi më i lartë vendimmarrës është i kufizuar. Drejtësia është e kapur nga parapolitika dhe për këtë nuk kemi hapa të duhur për të gjykuar krimet serbe në Kosovë, edhe përkundër shumë fakteve e padive që janë bërë nga qytetarët”, theksoi deputeti Zafir Berisha për “Kosova Sot”. E kur jemi në një situatë të tillë me të drejtë shtrohet pyetja se çfarë shteti është ai që nuk i mbron shtetasit e vet nga dëmet e shkaktuara nga Serbia fashiste e gjenocidale gjatë kohës së luftës në Kosovë, që nuk i gjykon ato krime dhe nuk kërkon kompensimin e tyre.
Prof. Riza Smaka thotë se është temë akute çështja e rimbursimeve të dëmtimeve fizike, materiale e morale të qindra e mijëra qytetarëve kosovarë, kryesisht shqiptarë, të cilët kanë pësuar nga aktet kriminale e monstruoze të autoriteteve serbe, veçanërisht gjatë periudhës 1998-9, por çuditërisht institucionet po e heshtin këtë çështje! Sipas prof. Smakës, përtej debatit që mund ta zhvillojë Kuvendi përgjegjësia kryesore bazë i bie Qeverisë së Kosovës, si organ ekzekutiv.”Është jo vetëm për t’u çuditur, por edhe për t’u vajtuar pikëpamja indiferente e Qeverisë aktuale në këtë drejtim. Qeveria e vendit tonë, po të ishte e mirëfilltë dhe kompetente, do të duhej t’i ndërmerrte të gjitha masat dhe të krijonte elaborate faktike të demonstrimit dhe argumentimit të akteve gjenocidiste dhe të krimeve të luftës të kryera nga autoritetet serbe në demin e shqiptarëve të Kosovës! Në anën tjetër, sistemi i drejtësisë së vendit tonë do të duhej që, konform me ligjin e aplikuar si dhe me praktikat legale ndërkombëtare të mira t’i procedonte rastet individuale të ngritura për rimbursime materiale, morale e fizike, të të dëmtarëve – qytetarëve të vendit tonë”, është shprehur profesor Smaka për “Kosova Sot”.
Sistemi i Drejtësisë, sipas tij, do të duhej që t’i klasifikonte të gjitha rastet dhe për të njëjtat të përcaktonte qëndrime parimore e së andejmi gjykatat t’i gjykonin rastet individuale konform me të njëjtat, si dhe me ligjin e aplikuar dhe praktikat legale të mira. Derisa një veprim i tillë institucional nuk po ndodh, Smaka thotë se qytetarët duhet t’i kërkojnë llogari Qeverisë dhe ta ndëshkojnë atë. Shteti i Kosovës është i obliguar për të vepruar Edhe profesor Muhamet Kelmendi thotë se falë ndikimit të politikës në institucionet e drejtësisë drejtësia kosovare po sillet me papërgjegjësi në trajtimin e padive për krimet dhe dëmet e luftës. “Çështja e inkompetencës së gjykatave të vendit kundruall rasteve të dhunës dhe gjenocidit në Kosovë gjatë luftës është një çështje joligjore dhe shkon ndeshur me të drejtën pozitive në fuqi. Kompetencat caktohen për gjykatat duke u mbështetur në kompetencën territoriale dhe lëndore. Vendi i krimit është bazë e caktimit të kompetencës së gjykatës për të zhvilluar procedurën dhe për të vendosur lidhje me krimin dhe gjenocidin. Mosrespektimi i kësaj baze ligjore nga gjykatat e vendit, të Kosovës, është “nikotin” i vetë shtetësisë së shtetit të Kosovës dhe nënshtrimi ndaj politikës, që në fakt është tejet e padrejtë. Vendi ku ndodhën krimi dhe gjenocidi është Kosova dhe vetëm organet e drejtësisë në Kosovë janë kompetente për të vendosur përfundimisht. Në të kundërtën shteti i Kosovës është i obliguar për të vepruar”, shprehet profesori Muhamet Kelmendi.
Burjani: Institucionet e drejtësisë në Kosovë nuk duhet të përulen
Edhe eksperti tjetër i fushës së të drejtës, Blerim Burjani, thotë se institucionet kosovare duhet të jenë më të angazhuara në drejtim të gjetjes së rrugëve për ta paditur Serbinë për krime lufte dhe dëme të bëra. Ai konsideron se institucionet e drejtësisë në Kosovë nuk duhet të përulen as të ndikohen nga politika në rastet që ngrihen dhe argumentohen nga qytetarët. “Drejtësia kosovare duhet të jetë me agile, më energjike për të kontaktuar institucionet ndërkombëtare dhe për të gjetur ndonjë rrugë se si të detyrojë Serbinë ta bëjë kompensimin e dëmeve të luftës. Edhe në Bruksel Kosova duhet të hapë patjetër çështjen e dëmeve të luftës, sepse kjo ka bërë që të shkatërrohet edhe ajo ekonomi e varfër e dikurshme e vendit, pastaj dëmet e shtëpive dhe dëmet e ndërmarrjeve private si dhe dëmet e bëra medieve siç është “Kosova Sot”. Pra, ka shumë gjëra në këtë temë, së paku ishte dashur të ketë një raport të gjerë të dokumentacionit mbi dëmet për t’i bërë ato publike më së pakut në Bruksel gjatë dialogut, që edhe nëpërmjet medieve të ushtrohet një trysni që të trajtohen dëmet dhe shkatërrimet ekonomike të luftës”, theksoi Burjani për “Kosova Sot”


