Gjykatat dhe administrata, tmerri i qytetarëve
Duke parë faktin, që drejtësia kosovare vazhdon të jetë nën çdo nivel, ekspertët e kësaj fushe dhe analistët politikë konstatojnë se kontribuues të këtij joefikasiteti janë gjykatat dhe administrata publike e shtetit në të dy nivelet, që njëkohësisht paraqiten edhe si shkelësit më të mëdhenj të ligjeve, që janë bërë gangrenë e pashërueshme për qytetarët.
Shkelësit më të mëdhenj janë organet e thirrura për zbatimin e ligjit
Duke parë faktin, që drejtësia kosovare vazhdon të jetë nën çdo nivel, ekspertët e kësaj fushe dhe analistët politikë konstatojnë se kontribuues të këtij joefikasiteti janë gjykatat dhe administrata publike e shtetit në të dy nivelet, që njëkohësisht paraqiten edhe si shkelësit më të mëdhenj të ligjeve, që janë bërë gangrenë e pashërueshme për qytetarët.
Është një gjykim i analistëve se assesi nuk mund të pretendojmë se mund të zhvillohemi si shtet, kur të dy institucionet më kryesore të shtetit në Kosovë shkelin të drejtat e njeriut me të dyja këmbët në baza ditore dhe pandalshëm. E para është e kapur nga politika e oligarkët, kurse e dyta është e mbushur me militantë partiakë e familjarë, prandaj pa një pastrim të këtyre dy institucioneve nuk do të ketë kurrë funksionim normal të shtetit demokratik e ligjor!
Analisti Florim Zeqa pohon se në “gjysmë shtetin” e Kosovës, shkelësit më të mëdhenj të ligjeve janë vetë ata që thirren në emrin e drejtësisë dhe institucioneve shtetërore, pra gjykatësit dhe administrata publike, të shndërruara në gangrenë të korrupsionit në të dy nivelet e qeverisjes, prandaj edhe nuk kemi drejtësi të mirëfilltë.
Shteti i papërfunduar
Zeqa thotë se shkelja e ligjeve dhe drejtësisë nga mbrojtësit e saj, përveçse paradoksale, paraqet rrezik permanent për rrënimin e sistemit juridik dhe krijimin e gjendjes anarkike në vend. “Me mentalitetin aktual të qeverisjes së vendit, përmes shkeljes së ligjeve dhe të drejtave elementare të njeriut, siç është barazia para ligjit si element i një shteti demokratik, nuk kemi si të pretendojmë të zhvillohemi si shtet dhe si shoqëri njerëzore. Kështu siç jemi, me një drejtësi të kapur tmerrësisht nga politika, dhe me një administratë të stërmbushur me militantë partiakë dhe familjarë të tyre, jo vetëm që nuk do të kemi asnjëherë drejtësi në kuptimin e plotë të fjalës, nuk do të kemi as administratë efikase në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe kërkesat e qytetarëve”, tha Zeqa për “Kosova Sot”.
Sipas tij, bazuar në situatën e tanishme, në të cilën ndodhet sistemi i drejtësisë, as që mund të bëhet fjalë për funksionim normal të shtetit ligjor dhe demokratik. “Këtu pra, kemi të bëjmë me gjysmë shtet, të cilit i gëzohen vetëm shtresat e privilegjuara, familjarët e pushtetarëve dhe oligarkëve ekonomik së bashku me vartësit e tyre, ndërsa pjesa dërrmuese e popullatës, për afro dhjetë vite akoma nuk e kanë shijuar aromën e shtetit, drejtësinë dhe barazinë sociale që ofron një shtet i lirë dhe demokratik, siç është, të qerit i barabartë para ligjit, të barabartë në sistemin shëndetësor, atë arsimor, si dhe në të gjitha fushat e tjera të jetës shoqërore”, u shpreh Zeqa.
Qeveria e re të nisë reformat
Sipas Naim Kelmendit, nëse vërtet dëshirojmë të kemi shtet ligjor dhe funksional, pushtetit të ardhshëm i mbetet sfidë e madhe që të kemi reforma në drejtësi. “Duhet të kemi kuadro profesionale, edhe nga këto ekzistuese të gjyqtarëve dhe prokurorëve, por që është e nevojshme të bëhet edhe një rifreskim më gjykatës dhe prokurorë të rinj. Kjo punë duhet të bëhet edhe në administratën publike në të dyja nivelet. Reforma kërkon politika dhe strategji të qarta, të cilat përfshijnë një game të gjerë të institucioneve, përtej atyre gjyqësore dhe prokuroriale”, tha Kelmendi për “Kosova Sot”. Ai shprehet se reformat e kësaj natyre bëhen në çdo shtet demokratik, vetëm e vetëm për ta mbajtur në mënyrë konstante besimin e qytetarëve në organet përkatëse. “Pa llogaridhënie në mbarë sistemet, kështu edhe në drejtësi, nuk mund të kemi shtet normal dhe demokratik. Mospërgjegjësia dhe keqpërdorimet fatkeqësisht janë bërë mënyrë e jetës. Prandaj, edhe kanë ardhur në shprehje kaq shumë dukuritë negative, si dhe i mohimit edhe të drejtave elementare njerëzore. Të gjitha këto bashkë me krimin dhe korrupsionin e kanë zymtësuar të ardhmen e vendit. Fokusi i ardhshëm duhet të vendoset në forcim të llogaridhënies dhe përgjegjësisë”, potencoi Kelmendi për “Kosova Sot”.
Vrapi korruptiv pas pasurimit degradoi vendin
Politologu Bejtullah Ibrahimi vlerë- son se Republika e Kosovës si shtet i ri që nga formimi i saj është ballafaquar me probleme nga me të ndryshmet, ku theks të veçantë kanë zënë kryesisht korrupsioni, krimi i organizuar dhe nepotizmi. Ai thotë se shpresa tek qytetaret pas çlirimit ishte shumë e madhe, sepse besonin në moral dhe vlera njerëzore, por ky besim në moral dhe vlere u degradua aq rënde sa u kthye në mallkim, sepse vendi ynë dita-ditës po degradohej dhe po humbte vlerat dhe mirëqenien. “Lepurushat” e pasluftës në emër të vlerave kombëtare, menjëherë iu vërsulen “punës” dhe përdhosen vit pas viti çdo vlerë në këtë vend, duke marrë madje nën ombrellë edhe bashkëpunëtorët e ish-regjimit famëkeq, vetëm e vetëm për t’u pasuruar. Natyrisht që këtë qasje të tyre e arritën duke marrë nën “mbrojtje” edhe ish-gjyqtarët bashkëpunë- torët dhe kështu morën në duar komplet sistemin e drejtësisë. Një tjetër veçori e “lepurushave” ishte edhe propaganda dhe militantizmi i skajshëm i shoqërisë, ku militantët e tyre i ushqenin me punë në administratën e shtetit, edhe pse këta militantë ishin nivel zero, qoftë si aspekt profesional, qoftë si kulturë elementare”, tha Bejtullah Ibrahimi për “Kosova Sot”.


