Eko Higjiena

Gjykata vazhdon skandalin me shkelje flagrante në rastin “Ferizi Petrol”

/ 5 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Vazhdimi i procedurës që është caktuar për sot me 24 janar 2020, pa tjetër duhet përsëri të ndërpritet sepse, nuk ka kushte ligjore ose dikush përfundimisht duhet të jep përgjegjësi penale për këto veprime, ka thënë avokati Hamdi Jashari.

Rasti i njohur si “Ferizi Petrol” që është në zhvillim e sipër në procedurë përmbarimore (kundër përmbarimore) pranë Gjykatës Themelore në Gjilan-Dega në Novobërdë, sipas avokatit Hamdi Jashari po vazhdon të procedohet edhe përkundër një pengesë tejet të madhe ligjore për një gjë të tillë, e që në këtë fazë me shumë siguri dhe bindje të thellë lirisht mund t’a quaj “si skandal dhe abuzim me ligjin”.

Debitori Bekim Mustafa ka kërkuar ndërprerjen e përmbarimit dhe ka ushtruar ankesë për shkak të parregullsive në procedurë përmbarimore, për të cilat që nga data 24 tetor 2019 nuk kishte marrë asnjë përgjigje me shkrim nga gjykata, e për më tepër ato parashtresa as që ishin “parë fare” nga gjykata, gjë që tregon një ç`asje jo profesionale apo ndoshta edhe të një anshme të gjykatës në këtë rast.

Avokati Hamdi Jashari tha se këto parregullsi pasqyrohen qysh në elementet fillestare, ku fillimisht është shumë e pa kuptueshme për ne dhe nuk e dijmë se kundër përmbarimin a është duke e kryer Gjykata Themelore në Gjilan si gjykatë bazike apo dega e saj në Novobërdë, pasi që disa shkresa lëshohen në emër të Gjykatës Themelore në Gjilan e disa në emër të degës së kësaj gjykate në Novobërdë, e që në bazë të “Ligjit për Gjykatat”, në rastet civile dhe përmbarimore, dallon esencialisht gjykata bazë me një degë të saj, kur kemi të bëjmë me kompetencën ekskluzive territoriale.

Edhe përkundër faktit që ka parregullsi të mëdha, të cilat është kërkuar dhe kërkohet vazhdimisht nga avokati i debitorit Bekim Mustafa, Av. Hamdi Jashari, parregullsitë në fjalë, lërë që nuk janë evituar por, sipas avokatit tani më është shkaktuar një skandal i cili po të analizohet me kujdes, në vehte ngërthen edhe elemente të veprave penale, nga akterët e këtij procesi.

Debitori Bekim Mustafa, ka ushtruar kërkesë për përjashtimin e gjyqtarit përmbarimor dhe dy nëpunësve dhe lënda aktualisht ende nuk është përmbyllur përfundimit, pasi që një kërkesë e tillë tash më do të duhej të ishte në Gjykatën e Apelit të Kosovës si gjykatë e shkallës së dytë, pasi që me 15 janar 2020 brenda afatit ligjor kemi ushtruar ankesë për Gjykatën e Apelit, ndërsa nga kjo gjykatë ende nuk kemi përgjigje.

Hidromorava

Deri sa lënda do të duhej të ishte në shqyrtim në Gjykatën e Apelit, e që në bazë të LPK-së e tërë lënda fizikisht do të duhej që të përcillej te kjo gjykatë, Gjykata Themelore në Gjilan-Dega në Novobërdë, për datën 24 janar 2020, me fillim në orën 10:00 ka caktuar ekspertizën për vlerësimin e cilësisë së naftës që posedon debitori Bekim Mustafa edhe përkundër faktit që para vetes ka një pengesë fundamentale ligjore.

Avokati Hamdi Jashari vlerëson se në rastin konkret, sikur “dikujt po i ngutet jashtëzakonisht shumë procedimi i kësaj lëndë dhe përfundimi i saj në çfarë do forme” andaj edhe vazhdimisht po hasim në parregullsi dhe momente tejet amatoreske dhe jo profesionale. Ligji i parasheh të gjitha situatat, andaj kërkojmë që të na mundësohet përdorimi i të gjitha mjeteve ligjore në procedurë, e jo një gjë e tillë të na mohohet pa drejtësisht, duke i shkelur të drejtat themelore të njeriut, si kategori kushtetuese, që në rastin konkret veç se është duke ndodhur. Ende pa u vendosur për përjashtimin e gjyqtarit, pasi që lënda ndodhet në Gjykatën e Apelit, gjykata e shkallës së parë del vendos që të vazhdojë me procedurë, e kjo sipas avokatit Hamdi Jashari është skandal juridik dhe praktikisht për t’a kuptuar opinioni i bije sikur “njëherë të falësh namazin, e pastaj pas një kohe të marrësh abdes dhe të mendosh se je në rregull”.

Debitori Bekim Mustafa me datën 24 nëntor 2019, ka ushtruar kallëzim penal ndaj gjyqtarit përmbarimor dhe dy nëpunësve të cilët ishin duke e proceduar lëndën në fjalë dhe ende vazhdojnë ta procedojnë dhe njëkohësisht po atë ditë me 24 nëntor 2019, kishte ushtruar kërkesën për përjashtimin e tyre nga procedimi me këtë lënda, pasi që ndaj të njëjtëve kishte ushtruar kallëzim penale dhe aktualisht lënda do të duhej të ishte në Gjykatën e Apelit të Kosovës por, Gjykata Themelore në Gjilan-dega në Novobërdë vazhdon procedurën, duke e injoruar një fakt të tillë, që ligjërisht është shkelje flagrante e ligjit, sepse kur ka kërkesë për përjashtimin e gjyqtarit “stopohet çdo veprim me procedurën” deri në vendosjen definitive sipas kësaj kërkese, e që në rastin konkret po ndodhe e kundërta.

Ndryshe rasti i njohur si “Ferizi Petroll” vazhdon të shokojë shoqërinë civile dhe qytetarët të cilët me të drejtë pyesin se si është e mundur që një sistem gjyqësor tërësisht mafioz, në këtë rast të vendos kundër fëmijëve jetimë dhe të shkatërrojë tërë besimin në sistemin e drejtësisë.

Për këtë rast madje janë paraparë edhe protesta për të demaskuar të korruptuarit dhe ata që janë zhytur thellë në krim dhe korrupsion në këtë rast./rajonipress/