Gjykata Supreme kthen në rigjykim rastin e 12 ish policëve kufitar

Gjilan – Gjykata Supreme e Kosovës e ka kthyer në rigjykim rastin e 12 policëve kufitar të akuzuar për shpërdorim të detyrës zyrtare dhe marrje ryshfeti. Avokati Shemsedin Piraj tha se ky vendim ka konstatuar se ka pasur shkelje dhe parregullsi të procedurave penale.
Të arrestuar në nëntor të vitit 2009 dhe të akuzuar e dënuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrje të ryshfetit dhe moslajmërim të kryesve të veprës penale, 12 ish policët kufitarë tani e kanë edhe një shans për të paraqitur dëshmitë e tyre, pasiqë me një vendim të Gjykatës Supreme të Kosovës rasti i tyre është kthyer sërish në rigjykim.
Kryetari i trupit gjykues të Gjykatës Supreme Avdi Dinaj ka marrë vendim që rastin e ish policëve ta kthejë në rigjykim për shkak se aktgjykimet ndaj tyre janë të përfshira me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale.”Meqë aktgjykimi i shkallës së dytë përmban shkelje esenciale të karakterit absolut të dispozitave të procedurës penale, aktgjykimi i kundërshtuar u anulua, kurse çështja i kthehet gjykatës së shkallës së dytë për rivendosje, me vërejtjen që në rigjykim të eliminohet shkelja e lartpërmendur” thuhet në aktgjykimin e Gjykatës Supreme të Kosovës.
Ndryshe grupi i ish policëve ishte dënuar dhe shpallur fajtor nga ish Gjykata Komunale e Gjilanit në vitin 2010, me arsyetimin se tek shtatë të akuzuarit janë gjetur prova dhe janë dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 2 – 5 muaj, derisa tek gjashtë të akuzuarit e tjerë, përfshirë këtu edhe një oficer policie, në mungesë të provave janë shpallur të pafajshëm.
Sipas aktakuzës dhe sipas dënimeve për të akuzuarit gjykata ka shqiptuar dënimet për , Bajram Ramadanin me 5 muaj, Dragan Jovanoviqin e ka liruar, Berat Abdullahun me 5 muaj, Dragan Cvetanoviqin me 5 muaj, Nexhat Dakin me 2 muaj, Skënder Shalën me 3 muaj, Bajram Novobërdaliun me 3 muaj , Refik Bashën me 2 muaj, Miodrag Raiqiqin e ka liruar, Fatmir Idrizin e ka liruar, Bajram Gashin e ka liruar, Nadije Abdullahun e ka liruar dhe togerin Besim Kryeziun i cili mbrohej në liri gjithashtu e ka liruar.
Në të gjitha seancat gjyqësore të gjithë policët e dyshuar i kanë mohuar akuzat derisa prokuroria pati ofruar fakte dhe argumente për përfshirjen e tyre në raste të veçanta në pikat kufitare në rajonin e lindjes .
Policët e dyshuar akuzoheshin se kanë marrë ryshfet për të kaluar mallrat ilegalisht nëpër pikat kufitare si alkool , kafshë, cigare dhe të gjitha këto mitë marrje ishin të incizuara dhe të filmuara.
Njëri nga avokatët mbrojtës Shemsedin Piraj tha se vendimi i Gjykatës Supreme të Kosovës është pozitiv pasiqë në të gjitha fazat e procedurës kemi hasur në parregullsi dhe me kohë i kemi bërë vërejtjet tona profesionale./rajonipress/