Fundamenti

Gjykata Speciale u soll në mënyrën më shpërfillëse, fyese dhe përjashtuese ndaj Policisë së Kosovës

/ 6 minuta lexim
KKVITI

Nga Behgjet Shala – Gjykata e Apelit e Gjykatës Speciale Ndërkombëtare në Hagë së fundi refuzoi kërkesën e mbrojtjes së z. Hashim Thaçi, që po mbahet peng në Njësinë e Paraburgimit, bashkë me shtatë shtetas të Kosovës, të gjithë ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, themelues, dhe pas përfundimit të luftës bartës të posteve më të larta shtetërore, kërkesën për zëvendësim të paraburgimit me një masë tjetër.

Para refuzimit të kërkesës së avokatëve të ish-presidentit dhe ish-kryeministrit Hashim Thaçi, po kjo Gjykatë refuzoi të gjitha kërkesat e të burgosurve tjerë, pa asnjë përjashtim ndonëse kishin kërkuar zyrtarisht garanci nga Policia e Kosovës nëse kishin kapacitete të mjaftueshme profesionale dhe logjistike për administrim të masës tjetër në Kosovë nëse do të miratohej kërkesa e mbrojtjes sikur që kishin edhe garancitë e shteteve të treta që kishin shfaqur gatishmëri t’i pranojnë të liruarit eventualë, shtetas të Kosovës.

Të gjitha nivelet e kësaj Gjykate, jo që nuk miratuan garancitë e Policisë së Kosovës dhe vendeve të treta por, përkundrazi u sollën në mënyrën më shpërfillëse, fyese dhe përjashtuese ndaj Policisë së Kosovës, institucion që gëzon besueshmëri të lartë në Kosovë dhe jo vetëm në Kosovë, pikërisht për shkak të profesionalizmit të dëshmuar.Për të gjithë njohësit e kësaj fushe është e qartë se kur bëhet një kërkesë për zëvendësim të masës së paraburgimit me një masë tjetër kuptohet se masa tjetër duhet të jetë më e favorshme për të burgosurin, në përputhje me të drejtat e njeriut të personave të privuar nga liria sikur edhe në përputhje me dokumentet ndërkombëtare shkaku se ato kombëtare përbuzen skajshmërisht nga kjo Gjykatë që nënkupton se, pa e paragjykuar parimin e pafajësisë, të burgosurit duhet të mbahen të privuar nga liria sa më afër familjes dhe vendbanimit ku kanë jetuar.

Kjo e drejtë dhe standard ndërkombëtar dhunohet brutalisht nga Gjykata Speciale, politika aktuale kosovare sikur edhe nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që, me heshtjen apo mosveprim ndaj kësaj shkeljeje flagrante të drejtave të njeriut po bëhen pjesë aktive e këtij dhunimi. Politikanët aktualë të Kosovës nuk mund dhe nuk duhet ta paragjykojnë parimin e pafajësisë por mund dhe duhet të mbrojnë institucionet e Kosovës që po shpërfillen apo turpërohen nga kjo Gjykatë siç është rasti me garancitë e Policisë së Kosovës.Deputetët e Kuvendit të Kosovës, që nën masa të dhunës psikologjike dhe shantazhimit u detyruan ta votojnë këtë Gjykatë duhet ta shtrojnë këtë çështje në një nga seancat, nëse vërtetë mendojnë se Kuvendi i Kosovës është themelues i kësaj Gjykate.

Nuk mjaftojnë vizitat familjare që i bëjnë zyrtarë të institucioneve dhe të cilat gjithashtu injorohen nga kjo Gjykatë për të dëshmuar përkushtimin dhe interesimin për shtetasit e arrestuar e që po mbahen peng. Përkundrazi, këto vizita janë të dëmshme për të burgosurit sepse krijon një iluzion publik se ata po trajtohen mirë dhe se respektohen të drejtat e njeriut e që nuk është aspak e vërtetë.Deputetët e Kosovës duhet të thërrasin në interpelancë këta zyrtarë, përfitues të çastit dhe të marrin përgjigje për rezultatet konkrete që ndikojnë në përmirësimin e kushteve dhe transferimin e të burgosurve në Kosovë, më afër familjeve me ç’rast edhe do të ruheshin lidhjet familjare sikur edhe do të kursehej Buxheti i Kosovës.

UBT

Nuk ka asnjë logjikë dhe kuptim që Nasim Haradinaj, Hysni Gucati të mbahen në paraburgim në Hagë kur gjykimi i tyre ka përfunduar për një vepër për të cilën më shumë kanë përgjegjësi Zyra e Prokurorit të Specializuar që për shkaqe korruptive apo politike kanë lejuar, mundësuar dhe menaxhuar rrjedhjen e dokumenteve të ndjeshme, prejardhja e të cilave është kryesisht nga Serbia.

As Salih Mustafa nuk ka nevojë të mbahet në Hagë për faktin se gjykimi ndaj tij thuaja ka përfunduar.Në kohën kur deputetët e Kuvendit të Kosovës do të detyrohen shumë shpejt ta votojnë një Marrëveshje kriminale dhe raciste për shitje të sovranitetit të një pjese të Kosovës përkatësisht Burgut në Pasjak të Gjilanit ku do të vendosen 300 shtetas jodanezë të dënuar në Danimarkë të cilët ia shet Kosovës sepse nuk i do të jenë në Danimarkë e të heshtësh ndaj diskriminimit që iu bëhet shtetasve të Kosovës përmes mohimit të drejtës të jenë afër familjeve të tyre, nuk është vetëm përgjegjësi morale dhe njerëzore por, në radhë të parë është përgjegjësi institucionale sepse me votën për themelim të kësaj Gjykate kanë krijuar mundësinë për shkeljen e të drejtave të njeriut.

Në mes të asaj se a do të lejohet mbushja e Buxhetit të Kosovës duke importuar krim dhe kriminelë nga Danimarka dhe të drejtës që shtetasit e Kosovës që mbahen peng në Njësinë e Paraburgimit në Hagë të janë më afër familjeve të tyre, për një deputet të përgjegjshëm nuk do të duhej të kishte mëdyshje.Është mashtrim i radhës, sikur ne rastin e votimit të Demarkacionit se, nëse votohet Marrëveshja kriminale dhe raciste me Danimarkën me të cilën do të legalizohej importimi i krimit dhe kriminelëve do të jemi më afër liberalizimit të vizave shkaku se Danimarka nuk do ta përdorte veton.

Shtetasve të Kosovës, të arrestuar dhe të syrgjynosur në Hagë nuk ka kush t’ua mbrojë të drejtat për të qenë më afër familjeve, me çfarëdo mase të shqiptuar nga arbitrariteti i burokratëve të Gjykatës Speciale dhe nga mosveprimi i KNKK nga Gjeneva dhe i ashtuquajturi Ombudsperson i Gjykatës Speciale që kanë ekskluzivitet për këtë. Viktimave duhet t’iu sigurohet qasja dhe përmbushja e drejtësisë kurse të privuarve nga liria të drejtat që iu takojnë.

(Shërbimi për Informim i KMDLNJ-së)