Uji Dea

Gjykata që na pastron

/ 5 minuta lexim
Uji Dea

​Nga Imer Mushkolaj – Shoqëria dhe institucionet kosovare kanë dështuar të ballafaqohen seriozisht me përgjegjësinë për të kaluarën. Gjykata Speciale do të jetë një favor për vendin dhe të ardhmen. Deputetët nuk kanë çare pa e votuar dhe duhet ta votojnë. Kosova duhet të lirohet nga barra për të kaluarën e errët
Plot nga politikanët që tash i dëgjoni duke kundërshtuar krijimin e Gjykatës Speciale, para pak muajsh e përkrahnin një gjë të tillë. Ishte kohë mundësish për të ardhur në pushtet dhe nuk kurseheshin premtimet e përkrahja edhe për këtë projekt.

Tash, kur ka ardhur koha që të votohet në Parlament, jo të gjithë ata që nuk e konsideronin problematike krijimin e saj janë pro gjykatës. Madje çdo ditë deklarohen kundër dhe nuk e kanë për gjë që i kanë ndërruar qëndrimet.

Përveç një pjese të opozitës që në mënyrë konstante ka shprehur qëndrimin kundër, për arsye jo gjithaq parimore, të tillë që s’e duan gjykatën gjen edhe në radhët e partive të koaliconit qeveritar. Aktualisht nuk është e sigurt se ndryshimet e nevojshme për krijimin e gjykatës do të kalonin në votim, andaj është shtuar presioni ndërkombëtar për t’ua ndërruar mendjen atyre që janë kundër.

Situata të ngjashme janë parë edhe më herët. Zakonisht kur është dashur të merren veprime të ndjeshme, bashkë me presionin janë shtuar edhe ofertat, bashkë me shkopin është propozuar edhe karrota.

Se po tregohen hipokritë dhe të pasinqertë është më e pakta që mund të thuhet për tipat që tash po shfaqen refuzues të pashoq të diçkaje që edhe vetë e dinë se nuk kanë çare pa e votuar. Për tipat që mbajnë pjesën e tyre të fajit pse duhet krijuar kjo gjykatë, për tipat që duhet të mbajnë pjesën e tyre të përgjegjësisë për krimet e pretenduara që pritet të jenë në fokus të gjykatës.

* * *

Shefi i diplomacisë gjermane, Frank-Walter Steinmeier, ishte shumë i qartë gjatë vizitës në Prishtinë. Ai tha se me krijimin e gjykatës Kosova i bën një favor historisë së saj dhe gjeneratave të reja. Duke përmendur shembullin e Gjermanisë, ai pohoi se ballafaqimi me të kaluarën është baza, që njeriu të jetë i vetëdijshëm dhe të lëvizë përpara drejt të ardhmes së tij. Pikërisht kjo është pika e kthesës që duhet ta kenë parasysh të gjithë ata që janë kundër. Ata që përpiqen të argumentojnë se gjykata do ta dëmtojë imazhin e Kosovës.

Kryesisht të tillët, me veprimet e veta, kanë kontribuuar shumë që imazhi i Kosovës të dëmtohet dhe të stërkeqet. Menjeherë pas luftës e gjatë gjithë viteve në vazhdim ata nuk kanë zgjedhur formë as mjete t’i realizojnë qëllimet e veta. Kanë bërë gjithçka në emër të luftës, e në kurriz të qytetarëve të pafuqishëm. Ndërkaq, sistemin e drejtësisë e kanë sjellë në gejndje të mjerë, duke e shndërruar në vegël për realizimin e dëshirave të tyre.

Tash, kur nuk e kanë në dorë të ndikojnë, kur mund të jenë edhe vetë shënjestra potenciale për gjykatën, na tregojnë përralla për imazhin.

Fundamenti

Tash, kur ndonjëri përpiqet të mbetet në pushtet e ndonjë tjetër edhe të jetë pjesë e tij, si kompensim për mbështetje gjykatës, na tregojnë përralla për drejtësinë. Për drejtësinë që e kanë kapur e politizuar skajshmërisht, për drejtësinë që nuk e ka guximin t’ia nisë pastrimit pikërisht ngë këta tipa që e kanë sjellë vendin në situatë të pashpresë.

E dinë që nuk kanë çare pa e votuar, andaj po i harxhojnë kreditë e fundit të foklorizmit, pseudopatriotizmit.

* * *

Politika, institucionet dhe shoqëria kanë dështuar gjatë gjithë viteve të pasluftës që ta adresojnë përgjegjësinë për krimet e kryera ndaj civilëve të pafajshëm. Ndaj atyre që i kanë takuar një tjetër etnie ose që kanë përkrahur tjetër opsion politik.

Ata që kundërshtojnë themelimin e gjykatës do të duhej që së pari të tregojnë cila është alternativa e ballafaqimit me të kaluarën, e pastrimit të të këqijave që kanë ndodhur. Veç mos ta përmendin drejtësinë kosovare, që nuk ka bërë deri tash e gjasat janë që të mos mundet të bëjë asgje në këtë drejtim në një të ardhme të afërt.

Krijimi i Gjykatës Speciale vërtet do të ishte një favor për të ardhmen e këtij vendi, në mënyrë që përfundimidht secili ta marrë atë që meriton për veprimet e veta, për krimet e veta.

Krijimi i Gjykatës Speciale do të bënte që shoqëria kosovare të ballafaqohet me të kaluarën jo të largët që nuk është e pastër dhe heroike ashtu siç pretendohet. Me të kaluarën që e kanë shënuar edhe krime mbi civilë të pafajshëm. Ata njerëz nuk kanë bërë vetëvrasje, ata i ka vrarë dikush dhe për këtë duhet dhënë përgjegjësi.

Për shumë familjarë të viktimave, Gjykata Speciale mbetet mundësia e fundit për të gjetur drejtësinë. E për Kosovën dhe kosovarët kjo gjykatë është rasti i fundit për të pastruar njollat e errëta të së kaluarës dhe për të parë nga e ardhmja. Pa barrën e krimeve që i kanë bërë individët, por që rëndojnë fort mbi shtetin dhe shoqërinë.