Gjykata: Kosovarja mund të qëndrojë në Zvicër edhe pas ndarjes nga zvicerani

Gjykata Federale e Zvicrës, e ka hedhur poshtë vendimin e Gjykatës Kantonale, kështu që gruaja nga Kosova, së paku tash për tash, mund të vazhdojë qëndrimin në Zvicër.

Autoritetet e Lucernit, kishin dashur që një kosovareje, pas shkurorëzimit të saj nga një shtetas zviceran, t`ia heqin lejen e qëndrimit në Zvicër. Por, duke qenë se në lidhjen mes të dyve është ushtruar dhunë ndaj saj, rasti duhet të shqyrtohet edhe njëherë, në mënyrë më të detajuar.

Në rrethanat normale, kur prishet kurora në mes të një të huaje/i dhe një zvicerani/eje, shuhet edhe leja e qëndrimit në Zvicër për të huajën/in, shkruan gazeta Luzerner Zeitung.

Një rast i tillë kishte ndodhur edhe në Zyrën për Migracion të Kantonit të Lucernit, kur kosovares që kishte kërkuar vazhdimin e lejes së qëndrimit, në korrik të vitit 2016, i ishte refuzuar kjo, transmeton albinfo.ch. Departamenti për Siguri dhe Drejtësi ashtu si dhe Gjykata e Kantonit, e kanë mbështetur këtë praktikë.

Por, tani Gjykata Federale e Zvicrës, si shkalla më e lartë e gjyqësisë në vend, e ka hedhur poshtë vendimin e Gjykatës Kantonale, kështu që gruaja nga Kosova, së paku tash për tash, mund të vazhdojë qëndrimin në Zvicër.

Kosovarja kishte ardhur në Zvicër në shkurt të vitit 2014 dhe ende pa u mbushur tri javë të qëndrimit të saj këtu, ishte martuar me një shtetas zviceran. Martesa ishte prishur dy vite më vonë. Në këtë rast ishte konstatuar ekzistimi i dhunës familjare. Për këtë arsye, gruaja kishte ngritur padi për tashmë ish bashkëshortin e saj, përcjell albinfo.ch. Ajo e akuzonte atë për rrahje, kërcënime dhe shtrëngim.

Sipas Gjykatës Federale tani duhet të sqarohet nëse kosovarja në momentin e ndarjes ndodhej para dilemës në mes të vazhdimit të pamundshëm të jetës martesore dhe përfundimit të të drejtës së saj të qëndrimit në Zvicër. Gjykata Kantonale ka dështuar të sqarojë a ka pasur dhunë familjare dhe nëse po, në çfarë mase ka qenë e pranishme ajo në këtë rast, transmeton albinfo.ch. Lidhur me këtë çështje, gjykata e përmendur duhet të përërisë procesin. Derisa kjo të ndodhë, kosovarja mund të qëndrojë në Zvicër.

Gjykata: Kosovarja mund të qëndrojë në Zvicër edhe pas ndarjes nga zvicerani

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS

Vërejtje!

RajoniPress.com nuk do të botojë shkrime që nuk i përmbushin kriteret dhe standardet profesionale të gazetarisë bashkëkohore. Nuk do të ketë për askënd mbyllje apo censurë, por jemi të fokusuar që në këtë agjenci, lajmi, shkrimi, raporti, intervista dhe opinioni të plotësojnë kriteret profesionale. Gjithashtu opinionet, analizat, komentet, nuk duhet të shkelin parimet etike (gjuhën e urrejtjes, fyerjet, diskriminimet e çfarëdoshme).