Gjykata Komunale larg transparencës

/ 5 minuta lexim

Gjilan – Çdo frikë, apo çdo tendencë për t’i ikur publikut, do të thotë ikje nga përgjegjësia, jo profesionalizëm dhe ngulfatje e procesit të demokratizimit të institucionit publik thotë profesori universitar Flamur Hyseni.

Është folur , shkruar e debatuar qindra herë për reformën gjyqësore, për transparencën që duhet të ketë sistemi i drejtësisë në përgjithësi ndaj publikut. Por këto reforma dhe hapje ndaj publikut si duket nuk i kanë bërë përshtypje kreut të Gjykatës Komunale në Gjilan Ramiz Azizit.

Nëse kërkon të takohesh me Azizin atëherë përgjigja e vetmja që ai jep përmes rojës së sigurimit është se “nuk pranojë gazetarë”. Ky gjest jashtëzakonisht i pamatur i Ramiz Azizit ka revoltuar gazetarët gjilanas të cilët edhe kanë kërkuar sugjerime nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.

Jetish Maloku kryeprokuror publik i Qarkut në Gjilan dhe anëtar i Këshillit Gjyqësor të Kosovës tha se fatkeqësisht përgjegjësit e gjykatave kosovare ende nuk e kuptojnë rolin e medieve. “Mediet gjithmonë duhet të shihen si partner dhe senzibilizues të punës së sistemit të drejtësisë, e kurrsesi pengesë “ tha Maloku.

Sipas Malokut sistemi i drejtësisë nuk mund të reformohet ose të ecë përpara pa përkrahjen konstruktive të medieve. “Tek e fundit të gjithë kryetarët e gjykatave e kanë të ditur se në mungesë të zëdhënësve, ata vet janë të parët që duhet të flasin me gazetarët”.

Maloku thotë se transparenca ndaj publikut dhe puna afirmative që bëhet në gjykata e prokurori është në interes të vet këtyre institucioneve. “Të stoposh mediet donë të thotë të stoposh një mekanizëm shumë të fuqishëm dhe një transmetues të fjalës nga institucioni deri tek publiku” u shpreh Maloku.

Edhe Flamur Hyseni profesor universitar tha për rajonipress se në përgjithësi institucionet publike duhet të jenë transparente dhe transparenca është një nga parimet fundamentale që institucionet publike duhet ta respektojnë.
“Te rasti i gjykatave dhe rasti i Gjykatës Komunale të Gjilanit, duhet patjetër të respektohet transparenca se, tanimë institucionet publike edhe me ligj janë të obliguara të respektojnë transparencën, sidomos kur është fjala për gjykatat, e në këtë rast edhe për Gjykatën Komunale të Gjilanit”.

Mobi Casa

Sipas Hysenit secili institucion publik duhet ta ketë përgjegjësin (zëdhënësin) për media, apo në raport me media, gazetarët në përgjithësi, sepse bërja publike e aktiviteteve të institucioneve publike, sidomos në këtë rast të gjykatave do të thotë edhe informim për publikun lidhur me punën e institucionit publik, në këtë rast të Gjykatës Komunale në Gjilan.

Disa institucione e kanë të rregulluar me aktet e tyre se, kush është i autorizuar për marrëdhënie me publikun, në këtë rast me mediet se, çfarë mund të bëhet e ditur për publikun, por kjo gjithsesi bëhet mbi bazën ligjore dhe duke ruajtur çështjet shumë intime dhe të karakterit personal (çfarë mund të konsiderohet konfidencionale e bazuar në ligj) e raste tjera që janë të mbrojtura me ligj, ndërsa për të gjitha çështjet tjera që gazetarët, organizatat e ndryshme të shoqërisë civile që eventualisht mund të kërkojnë diçka për të bërë publike, institucionet publike, gjykatat, prokuroria, komuna, etj kanë për obligim të përgjigjen dhe bëjnë publike.

“Ndoshta, fakti pse gjykatat ngurrojnë të kenë një raport të mirëfilltë me mediet, mund të jetë se, pikërisht sistemi gjyqësor në këtë rast është shumë i përfolur për afera të ndryshme dhe është instaluar modeli që t`i iket transparencës, e cila në rastin tonë po e dëmton shumë zhvillimin e vendit tonë si në aspekt politik, social dhe më së shumti në atë ekonomik” sqaron Hyseni.

Mos respektimi i transparencës nga ana e institucioneve publike, gjykatave, është momentalisht shumë sfidues për të pasur qasje, me një formë gjykata dhe sistemi gjyqësor është ende i mbyllur dhe për atë kemi vetëm një zëdhënës në nivel sistemi gjyqësor dhe atë si zëdhënës i Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

“Po ta krahasojmë këtë me vendet e rajonit prapë del se në kë aspekt sistemet gjyqësore të tyre kanë avancuar, si p.sh. sistemi gjyqësor i Shqipërisë ka përparim në aspektin e transparencës dhe një komunikim të afërt me mediet dhe në përgjithësi gazetarët, thuajse të gjitha gjykata dhe prokuroritë kanë zyrën e informimit e cila mban raportet me publikun përmes medieve, ka monitorime të vazhdueshme nga shoqëria civile dhe mekanizma tjerë, të cilët ndikojnë edhe në rritjen e rezultateve pozitive në sistemin gjyqësor” mendon profesor Hyseni.
“Çdo frikë, apo çdo tendencë për t’i ikur publikut, do të thotë ikje nga përgjegjësia, jo profesionalizëm dhe ngulfatje e procesit të demokratizimit të institucionit publik” .

Ndërkaq zëdhënësja e Këshillit Gjyqësor të Kosovës Ajshe Qorraj- Ramadani në interesimin e rajonipress është deklaruar se “përgjegjës për Gjykata janë kryetarët e gjykatave, bazuar në Doracakun mbi menaxhimin e gjykatave”./rajonipress/