RCCOLA

Gjykata Komerciale afër funksionalizimit – gjyqtarët e pensionuar mund të kthehen, trajnimet të nevojshme

/ 4 minuta lexim
Fundamenti

Gjykata Komerciale do të jetë në funksion brenda dy muajve, krejt kjo nëse realizohet zotimi i kreut të Qeverisë, Albin Kurti dhënë ditë më parë, raporton Ekonomia Online.Madje Këshilli Gjyqësor i Kosovës në mbledhjen e fundit me shumicë votash e ka zgjedhur Mahir Tutulin në krye të kësaj gjykate.

Përderisa njohësit e çështjeve ekonomike thonë se Gjykata Komerciale është shumë e domosdoshme ngase do të merret me kontekstet ekonomike e shkeljet e të drejtave të punëtorëve.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini në një intervistë për Ekonomia Online tha se Gjykata Komerciale do të rrisë besueshmërinë nëse brenda këtij institucioni do të ketë ekspert të fushës.

Prandaj sipas tij, çdo gjykatës i Komerciales duhet të kaloj një fazë të trajnimeve e testeve për ta përvetësuar çështjen e zgjedhjeve të kontesteve ekonomike.“Tashmë është bërë një Gjykatë Themelore tashmë së fundi edhe Gjykata Komerciale e cila është shumë e rëndësishme për zgjedhjen e kontesteve mes operatorëve ekonomik në Kosovë. Kjo rrit besueshmërinë nëse aty do të jenë ekspert të fushës të gjyqësisë që e njohin spektrin ekonomik dhe atë juridik”.“Çdo gjykatës duhet të kaloj një fazë e cila është një fazë e trajnimeve në këtë fushë. Besoj që secili mund të përvetësoj këtë punë dhe secili mund të jetë gjykatës i suksesshëm nëse kalon fazat testuese, fazat trajnuese për çështjen e zgjedhjeve të kontesteve ekonomike”.

Fundamenti

Shahini tha se një gjykatë e tillë do të ndihmojë në rritjen e investimeve të huaja në Kosovë.“Natyrisht që kjo është edhe një shkallë e besueshmërisë dhe rritjes së besimit në gjyqësinë e Kosovës në kontestet e operatorëve ekonomik qoftë të huaj, qoftë ato të brendshëm sepse shumica e investitorëve të huaj janë të lidhur me biznese të Kosovës. Ka raste kur ata kanë konteste kjo do të jetë një mundësi e re, mundësi e mirë për besueshmërinë dhe rritjen e investimeve dhe investitorëve të huaja që të vijnë në Kosovë sepse këtu ekzistojnë shkallët e mjaftueshme të zgjedhjeve të çështjeve kontestimore mes operatorëve dhe bizneseve në Kosovë”, raporton EO.Ish-dekani i Fakultetit Ekonomik, profesori Musa Limani, për Ekonomia Online tha se Gjykata Komerciale do t’i trajtojë në mënyrë të drejtë në pikëpamjen ekonomike e juridike edhe shkeljen e të drejtave të punëtorëve.

“Normalisht që do të ju ndihmoj bile unë në fillim kur është propozuar si Gjykatë Komerciale unë kam reaguar në aspektin profesional dhe kam thënë se nuk duhet të quhet Komerciale por duhet të quhet Gjykata Ekonomike.Për arsye se kjo gjykatë merret me të gjitha problemet me të cilat ballafaqohen bizneset qoftë bizneset brenda vendit ose me firmat e jashtme, pra paraqet një Gjykatë Speciale e cila sigurisht do të trajtoj në mënyrë shumë të drejtë si në pikëpamje ekonomike ashtu edhe juridike çështjen e shkeljes së të drejtave të punëtorëve”, raporton EO.

Sipas tij, në vend kemi gjykatës të kualifikuar sa i përket çështjeve ekonomike që janë në pension e që mund të inkuadrohen në sistem, prandaj edhe do të jetë i lehtë trajtimi i rasteve.“Normalisht ne e kemi pasur gjykatën para luftës, na e kemi pasur Gjykatën Ekonomike prandaj i kemi gjykatësit. Në qoftë se ata do t’i marrim edhe pse janë në pension mund të kthehen, por normalisht që përvoja mund t’i aftësoj në këtë sferë, prandaj nuk është problem. Për fat të mirë ne në Kosovë kemi profile të kuadrave të të gjitha fushave, mirëpo një gjë që nuk është në rregull me politikën ekonomike tek ne është se kuadrat e mirëfillta përbuzen dhe lihen jashtë”.