Gjykata e Apelit e shpall përfundimisht të pafajshëm Nevzad Morinën
Gjilan – Gjykata e Apelit e Kosovës ka refuzuar ankesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit e cila ishte ankuar kundër aktgjykimit të shkallës së parë në Gjilan, e cila e kishte shpallur të pafajshëm Nevzad Morinën, i cili dyshohej se kishte mbytur gruan e tij në maj të vitit 2013. Por Gjykata e Apelit nuk ka gjetur shkelje esenciale siç ka pretenduar Prokuroria dhe përfundimisht e ka shpallur të pafajshëm Nevzad Morinën.
Gjykata e Apelit e Kosovës duke vendosur sipas ankesës së Prokurorisë Themelore në Gjilan kundër aktgjykimit të shkallës së parë, ka vendosur që përfundimisht ta shpallë të pafajshëm Nevzad Morinën i dyshuar për vrasjen e gruas së tij në maj të vitit 2013.
Avokatët mbrojtës Shemsedin Pira dhe Kadri Syla thanë se vendimi ishte i drejtë sepse në aktgjykimin e shkallës së parë janë dëgjuar të gjitha provat e faktet relevante dhe me asnjë detaj nuk është vërtetuar se Nevzad Morina është vrasësi i gruas së tij.
Në aktgjykimin e Apelit që e ka kryesuar Fillim Skoro, është thënë se refuzohet si e pabazuar ankesa e Prokurorisë Themelore në Gjilan. “Pretendimet e Prokurorisë Themelore se aktgjykimi i ankimuar është përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, janë pretendime të pabazuara” thuhet në aktgjykim.
Sipas Apelit janë të pabazuara pretendimet e prokurorisë se aktgjykimi është kundërthënës në brendinë e tij dhe se janë të pabazuara pretendimet e prokurorisë se aktgjykimi është në kundërshtim me faktet vendimtare. “Prokurori në ankesë nuk thekson asnjë provë të vetme nga e cila do të vërtetohej se i akuzuari Nevzad Morina, e ka shtyrë të ndjerën Arlinda Sejdiji dhe e ka rrëzuar në dysheme e nga kjo shtyrje ka pësuar lëndime vdekjeprurëse”.
Nga të gjitha rrethanat e vlerësuara dhe shqyrtuara me kujdes del se Gjykata e shkallës së parë në mënyrë të plotë ka vërtetuar gjendjen faktike, andaj me të drejt gjykata e shkallës ë parë të akuzuarin Nevzad Morina e ka liruar nga akuza meqë nuk është provuar se i akuzuari ka kryer veprën penale për të cilën është akuzuar.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Gjilan e kryesuar nga gjykatësi Hasan Sadiku e kishte liruar si të pafajshëm Nevzat Morinën nga Topanica e Kamenicës i dyshuar se në maj të vitit 2013 ka mbytur gruan e tij A.S. Por Gjykata ka konstatuar se gruaja e Nevzat Morinës është mbytur si pasoj e humbjes së vetëdijes e cila pasiqë ka rënë në tokë i ka humbur vetëdija dhe nuk i ka përballuar plagëve.
Morina ishte paraburgosur nën dyshimin se në mënyrë të dhunshme kishte mbytur bashkëshorten A.S.(1985). Viktima A.S. e lindur më 1985 nga Topanica e Kamenicës sipas aktakuzës kishte vdekur më 4 maj 2013, por pasi është kryer obduksioni kanë lindur dyshimet se fjala bëhej për vdekje të dhunshme. Nga të gjitha këto elemente dhe prova edhe ishte arrestuar bashkëshorti i saj Nevzat Morina.
Por trupi gjykues pasiqë ka vlerësuar të gjitha rrethanat, ka dëgjuar e shtjelluar provat dhe pasiqë ka marrë për bazë ekspertizën ka liruar nga akuzat Nevzat Morinën si të pafajshëm.
Ekspertiza ka konstatuar se viktima A.S. kishte përdorur një ilaç dhe i kishte humbur vetëdija ku edhe për pasojë ishte rrëzuar dhe ishte dërguar si rast i rëndë dhe me komplikime të mëdha dhe ishte dërguar menjëherë në qendrën e Mjekësisë Familjare në Kamenicë e më pastaj edhe në Emergjencën e Spitalit në Gjilan për tu transferuar pastaj në QKUK. Ajo nuk i kishte rezistuar plagëve./rajonipress/


