RCCOLA

Gjykata dënon me 50 ditë burg mjekun Zijadin Hasani

/ 3 minuta lexim
RCCOLA

Gjilan – Gjykata Komunale në Gjilan e ka dënuar mjekun Zijadin Hasanin me 50 ditë burgim të cilat i janë shndërruar nga burgu në të holla në vlerë të 750 eurove si dhe dënimi plotësues ndalimi i veprimtarisë – private si mjek në ordinancën e tij për gjashtë muaj.

Gjykata Komunale në Gjilan e ka dënuar dhe shpallur fajtor pediatrin Zijadin Hasanin për veprën penale “shpërdorimi i pozitës zyrtare ose autorizimit”. Në aktgjykimin e gjyqtarit Ramiz Azizi që e ka siguruar rajonipress thuhet se i akuzuari Zijadin Hasani dënohet më dënim burgu prej 50 ditësh, ku i njëjti dënim i shndërrohet në të holla në vlerë të 750 eurove. Të akuzuarit gjithashtu i shqiptohet edhe dënimi plotësues edhe atë ndalimi i veprimtarisë – private si mjek në ordinancën e tij private për gjashtë muaj.

Në aktgjykim thuhet se Zijadin Hasani është fajtor sepse që nga viti 2010 e deri më 13 shtator 2012 në vazhdimësi në Spitalin Rajonal të Gjilanit, saktësisht në repartin e Pediatrisë, me qëllim të përvetësimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, ka shpërdorë pozitën e tij zyrtare, në mënyrë që privatisht pacientëve në këtë repart në vazhdimësi u ka ofruar shërbime, duke u dhënë injeksione, dhe duke pranuar nga të njëjtit nga 5 euro, për çdo injeksion, derisa vetëm nga e dëmtuara Ganimete Aliu nga Zhegra ka marrë 215 euro.

UBT

Në shqyrtimin kryesor dhe sipas aktgjykimit i akuzuari Zijadin Hasani ka thënë se e ka kuptuar propozim akuzën dhe se vullnetarisht e pranon fajësinë si dhe ka përkrahur fjalën e mbrojtësit të tij dhe lus gjykatën që të më shqiptojë një dënim sa më të butë.

Ndërkohë avokati mbrojtës Shabi Isufi ka thënë se klienti i tij nuk e ka ditur se po e shpërdor pozitën zyrtare, meqë ka menduar se po bënë një gjest human. Edhe e dëmtuara Ganimete Aliu në fjalën përfundimtare nuk i është bashkangjitur ndjekjes penale dhe nuk ka kërkuar kompensim material me arsyetimin se mjeku është sjellur mirë me të.

Ndaj këtij aktgjykimi menjëherë ka bërë ankesë përfaqësuesi i Prokurorisë i cili nuk është pajtuar me këtë dënim tepër të butë./rajonipress/