Fundamenti

Gjurulldia e AKP-së

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Agjencia Kosovare e Privatizimit po i ritenderon edhe ato lokale që janë shitur një herë dhe për të cilat ka konteste gjyqësore në Oden e Veçantë të Gjykatës Supreme.

Madje, edhe nëse zbatohen të gjitha rregullat e procesit të privatizimit në një tender, Bordi i AKP-së pa asnjë arsye mund ta anulojë atë.
Rasti i fundit është me lokalin afarist, Galentaria Mode 1 në Pejë, i cili ishte privatizuar më 30 nëntor të vitit 2007.

Pronari Arzen Bytyqi thotë se është hera e tretë që AKP’ja po e qet në privatizim këtë lokal, edhe pse për të njëjtin ai është palë në një kontest gjyqësor me këtë agjenci. Krejt çka kërkon ky biznesmen pejan është që AKP-ja ta presë vendimin e gjykatës, para se ta shesë lokalin, shkruan express.
“Më 2007 e kam blerë këtë lokal me çmim 23 mijë e 400 euro. Bordi i AKP-së nuk e ka aprovuar dhe unë rastin e kam dërguar në gjykatë. Por, AKP-ja, edhe pse në kontest gjyqësor, është hera e tretë që po e qet në privatizim lokalin”, ka thënë Bytyqi.

Bytyqi shton se lokalin e ka blerë përmes tenderit të rregullt. Ai është shpallur fitues në garën, ku kanë qenë tre apo më shumë ofertues. Shitja është konsideruar si e rregullt dhe është shpallur fituesi.
Pas disa kohësh, Bordi ka marrë vendim se, edhe pse procedura ka shkuar në rregull, çmimi ka qenë i lirë dhe duhet të anulohet shitja. Fituesi ka paraqitur një padi në Odën e Veçantë për arsye se nuk ka pasur ndonjë kriter që i përcakton ofertuesit çmimin më të ulët në këtë proces tenderi.
Në procesin e shitjes së këtij lokali, kriter kryesor ka qenë oferta më e shtrenjtë.

Mobi Casa

Me legjislacionin në fuqi, i vetmi organ që mund të ndalojë procesin e privatizimit të një aseti ose ndërmarrje është Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme që ka juridiksion të plotë mbi AKP-në. E të cilin AKP-ja s’po e respekton.

Por zëdhënësi i AKP-së, Ylli Kaloshi thotë se në rastet kur palët e pakënaqura mund të ankohen të dhoma, parashtrimi i ankesës, sipas legjislacionet në fuqi, nuk e ndalon procesin e privatizimit, por vetëm vendimi i gjykatës, që është obligues për agjencinë.

“Deri më tani, Oda e Veçantë nuk ka lëshuar masë të përkohshme që ta ndërpresë procesin e shitjes se këtij aseti”, ka thënë Kaloshi.
Ndërkaq sa i përket privatizimit pa vendim gjyqësor, Kaloshi thotë se këtë të drejtë e ka të garantuar Bordi i drejtoreve të AKP-së, sipas ligjit të Agjencisë.
Për rastin konkret, ai shton se tenderi është zhvilluar vite më parë, ndërsa është refuzuar shitja dhe çmimi i ofruar nga ana e Bordit të drejtorëve me arsyetimin se çmimi është shumë i ulët krahasuar me çmimet e shitjeve në ato zona.

Por, Bytyqi thotë se që kur është shpallur fitues, në atë lokal ka bërë dhjetëra mijëra euro investime.
“Jam shpallur fitues, kam investuar në lokal dhe tash po e shoh se e kanë hedhur në valën e 42-të të privatizimit, edhe pse kam paraqitur padi për këtë punë”, tha Bytyqi.
Ai ka pritur tash sa kohë që kjo çështje të zgjidhet përmes rrugëve gjyqësore. Kur kanë mbetur edhe pak ditë deri në privatizimin e lokalit që pretendon se është pronar i ligjshëm, Bytyqi iu bën thirrje ofertuesve të mundshëm që të mos ofertojnë për një pronë që është në kontest gjyqësor.
Ndryshe, ky lokal ishte privatizuar më 30 nëntor të vitit 2007. Më vonë AKP-ja e futi për privatizim në valën 42-të privatizimit. Në mungesë të ofertuesve, kjo agjenci e ka qitur të njëjtin në ritenderim.