Fundamenti

Gjuha e urrejtjes në rrjete sociale – mungesë e kulturës, laik ndaj leximit si dhe paraqitje reale e karakterit të njeriut

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Blerim Sherifi – Është për çudi që interneti u ka dhënë të drejtën dhe privilegjin si një “analfabeti” ashtu edhe një akademiku të shprehin mendimet për çështje caktuara.

Teknologjia apo thënë më shkurt interneti është bërë pjesë e pandashme e jetës sonë, dhe më shumë se kaq, njeriu i shek XXI as që të mund të paramendojë jetën pa internet e pa qasje në rrjete sociale si fb, instagram, twiter, viber, whatsapp e deri së fundi tiktok.

Duke u nisur nga kjo, mund të themi se interneti apo thënë më shkurt rrjetet sociale, padyshim kanë ato anët pozitive dhe negative në saje të përdorimit të tyre. Rreth asaj se përdorimi i rrjeteve sociale po ka më shumë të mira apo po i sjellë dëme njerëzimit, është folur gjerë e gjatë dhe shumë herë nga njohës të ndryshëm, nga kënde të ndryshme me pikëpamje të ndryshme.

Sot, dua të sjellë para jush një pjesë të asaj në lidhje me gjuhën e përdorur nga përdorues të internetit të shtresave të ndryshme me përgatitje të ndryshme edukativo-arsimore. Është për çudi dhe për të u habitur gjuha vulgare e përdorur nga përdorues të rrjeteve sociale e aq më keq kur kemi përdorim të shprehjeve fyese, ofenduese denigruese, linçuese e deri te kërcënimet dhe e tëra kjo si shkak i asaj, që teknologjia u ka dhënë mundësinë e të shprehurit duke shkruar e postuar prej një analfabeti e deri te ai në niveli akademiku. Siç edhe thoshte i madhi Umberto ECO duke folur për invazionin e imbecilëve, “Mediat sociale u japin të drejtën e fjalës edhe legjioneve të imbecilëve të cilët më parë flisnin vetëm në një kafe-bar pas një gote vere, pa dëmtuar kolektivin. Dikur ata heshtnin shpejt, ndërsa tani kanë të drejtën e barabartë të fjalës për të folur edhe me një fitues të Nobelit”.

Sapo të qasesh në rrjete sociale do shohësh statuse, postime, shkrime, komente nga më të ndryshmet e për tema nga më të ndryshmet, që në shumë ato tema e çështje edhe jemi laik, por prapë se prapë për çudi marrim guximin dhe atë trimërinë të replikojmë, komentojmë duke fyer e njollosur individë të caktuar pa pasur fare njohuri për atë se çfarë replikojmë, vetëm e vetëm se nuk pajtojmë për çështje ndryshme, për të cilat as nuk jemi kompetentë fushe, as që kemi njohuri bazike mbi atë temë, por të shtyer nga egoja, vetëbesimi e vetëvlerësimi i gabuar, besimi i verbër apo simpatia e sëmurë që kemi ndaj individëve të caktuar.

Uji Dea

Dhe krejtë kjo vjen si shkak i asaj që jemi shoqëri që nuk lexojmë, shoqëri laike ndaj leximit, kjo, lehtë e kuptueshme kur lexon komentet dhe postimet me dhjetëra e më shumë gabime drejtshkrimore në një fjali të vetme.

Shoqëria jonë ende nuk ka arritur atë pjekurinë që duhet pajtojmë dhe pranojmë mendimin e tjetrit ndryshe nga ne, shoqëri e cila nuk pranon diversitetin si vlerë që edhe nëse dallojmë në mendime, gjuhë, besim, kulturë e traditë, prapë dhe para se gjithash jemi qenie njerëzore.

Është për të ardhur keq, kur sot ka të drejtën secili përdorues interneti të shkruaj dhe ofendoj, njollos, denigroj njerëz e personalitete të ndryshme, profesionistë e ekspertë të fushave të ndryshme pa pasur fare në konsideratë apo menduar se, sa e sa mund ai apo ajo ka kaluar për të marrë titullin e asaj fushe apo lëmie caktuar e tani del një analfabet dhe ka mundësinë fatkeqësisht të shpërfaq dhe tregoj karakterin e tij real.

Nuk është thënë se koti, më trego çfarë lexon të tregoj sa di!
Është shqetësuese fakti kur sot sapo të qasesh në rrjete sociale do shohësh komente e postime nga më të ndyrat, shprehje denigruese, dhe kur kjo vjen nga të rinjët, rinia e këtij vendi që normal është e ardhmja e këtij kombi, të bën të dyshosh dhe kesh frikë për të ardhmërinë e këtij vendi.

Dhe në fund, uroj që shoqëria jonë të i kthehet leximit e të ushqejmë mendjen me dituri, fjalorin me shprehje, shpirtin me dashuri e tolerancë, të i shmangemi fyerjeve, ofendimeve në baza gjinore, besimi, përkatësie etnike, bindjeve, politike dhe themi mjaftë bullizimit e stigamtizimit.
Blerim SHERIFI
Prof Gjuhës Angleze