KD-gjilan

Gjobat ndaj biznesit rriten 284 për qind

/ 3 minuta lexim
KD-gjilan

Bizneset në Kosovës janë vënë në shënjestër të inspektoreve të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), ndaj të cilav po aplikohen gjoba të larta.

Gjatë nëntëmujorit të këtij viti, ATK-ja ka rritur të hyrat nga gjobat ndaj bizneseve për 284 për qind, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Sipas nëntëmujorit të këtij viti të publikuar para pak ditësh nga Ministra e Financave (MF), shihet se gjatë vitit 2012 në emër të gjobave, ATK-ja ka inkasuar 1 milion e 398 mijë e 158 euro, derisa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar në emër të gjobave, ATK-ja ka grumbulluar 364 mijë e 240 euro.

Derisa ATK-ja shihet se ka rritur të hyrat nga gjobat për 284 për qind, në anën tjetër ky institucion ka pasur shumë më pak të hyra sa i përket tatimit në fitim, ku gjatë këtij viti të hyrat janë 95 për qind më të vogla se sa vitin e kaluar.

Sipas të dhënave të MF-së, gjatë këtij viti, ATK-ja në emër të tatimit në fitim ka mbledhur 84898 euro, derisa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, ATK-ja ka arritur të mbledhë hiç më pak se 1 milion e 791 mijë e 203 euro.

KD-gjilan

Në anën tjetër, përfaqësues të bizneseve në vend, thonë se rritja e të hyrave nga gjobat për 284 për qind është shqetësuese. Sipas tyre, përmes gjobitjes së bizneseve, ATK-ja po mundohet ta arrijë planin e vet sa u përket të hyrave të planifikuara vjetore.

Berat Rukiqi, sekretar i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), thotë se ATK-ja për të arritur rezultat e veta, po i dëmton në masë të madhe bizneset, duke iu shqiptuar gjoba, nganjëherë edhe pa arsye. Sipas tij, një veprim i tillë i ATK-së ka prodhuar vetëm efekte negative, si për ATK-në, ashtu edhe për biznesin. “Duke parë bizneset një trajtim të tillë nga ana e ATK-së, ata po mundohen dhe po gjejnë mënyrë për bërë biznes, duke i ikur tatimit. Rritja e gjobave nga ana e ATK-së në mënyrë automatike e rrit evazionin fiskal në vendin tonë. Këto veprime të ATK-së duhet të shikohen mirë”, tha ai, shkruan “Zeri”.

Edhe Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve, thotë se rritja e gjobave po e pengon në masë të madhe zhvillimin e bizneseve, por edhe ndikon në rritjen e evazionit fiskal në vendin tonë. Shahini thotë se ATK-ja në mënyrë të vazhdueshme duhet ta edukojë e jo ta dënojë biznesin në Kosovë. “Rritja e gjobave prodhon efekt negativ te biznesi, pasi që në momentin kur ato gjobiten për një gjë shumë të vogël, atëherë ato shikojnë mundësi për të punuar në të zezë e jo për t’u përmirësuar. Edukimi është forma më e mirë për të zhvilluar biznesin dhe për të eliminuar evazionin fiskal”, tha ai.

Gjatë periudhës janar-shtator 2012, Administrata Tatimore e Kosovës ka grumbulluar mbi 203 milionë euro, krahas planit për grumbullimin e të hyrave dëri në fund të vitit prej 287.8 milionë euro.Sipas Ministrisë së Financave, pranimet nga ATK-ja në nëntëmujorin e vitit 2012 janë më të larta për 5 për qind, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.