Gjini: S’ka koketim me pushtetin, VV po bën akuza për interesa të ngushta
Nënkryetari i Parë i AAK’së, Ardian Gjini i është përgjigjur akuzave të Vetëvendosjes, duke thënë se Partia e Ramush Haradinajt s’ka kurrfarë koketimi, as flirtimi me pushtetin. Ky zyrtar i AAK’së ka thënë se këto deklarime të Vetëvendosjes po bëhen për interesa të ngushta të tyre.
Këto deklaratë po i bëjnë për interesa të ngushta të veta. S’ka koketim, s’ka flirtim me pushtetin”, ka thënë Gjini, për Gazetën Express, të dielën.
Lëvizja Vetëvendosje përmes një deklarate i ka bërë thirrje AAK’së për ribashkim me opozitën në një Alternativë të përbashkët për të rrëzuar Qeverinë. Në të njëjtën deklaratë kanë thënë se koketimi, flirtimi e bisedat e fshehta me pushtetin nuk ndihmojnë në rrëzimin e Qeverisë. Madje, VV ka kushtëzuar pjesëmarrjen në protestën e thirrur nga AAK me bashkimin e Opozitës.
“Po na vjen keq që VV po e përdorë këtë fjalor”, ka thënë Nënkryetari i AAK’së.
Mirëpo, Ardian Gjini, nuk i sheh si serioze këto deklarata. Thotë se AAK e ka të qartë se e vetmja zgjidhje është shkuarja në zgjedhje të reja dhe rrëzimi i Qeverisë.
“Nuk shkojmë në këtë Qeveri në kurrfarë rrethanash. I vetmi synim i AAK janë zgjedhjet dhe dorëheqja e Qeverisë”, ka shtuar ai.


