Fundamenti

Gjini: Nëse s’rrëzohet tash Qeveria, zgjedhjet mbahen në fund të vitit

/ 14 minuta lexim
RCCOLA

AAK është duke i pritur LDK’në dhe Vetëvendosjen të reflektojnë për rrëzimin e Qeverisë. Nëse nuk largohet Qeveria me votëbesim atëherë zgjedhjet do të shtyhen për fundvit. Na ka kushtuar me vota mbështetja e bisedimeve me Serbinë sikurse edhe interpretimi për afërsinë e z.Haradinaj me z.Thaçin. Shumica e njerëzve të AAK’së mendojnë se PDK duhet të shkojë në Qeveri. Nënkryetari i AAK’së, Ardian Gjini flet për Express.

Express: Çka është duke ndodhur me mocionin e AAK’së për rrëzimin e Qeverisë?

A. Gjini: Po mundohemi me i bindë partitë tjera në opozitë, LDK’në dhe Vetëvendosjen që ta nënshkruajnë mocionin, që ta kemi mocionin e gatshëm, dhe që ta procedojmë kur e shohim bashkërisht të arsyeshme që ta bëjmë një gjë të tillë. Kjo është çka po ndodh tash.

Express: Cili është disponimi i LDK’së dhe Vetëvendosjes për rrëzimin e Qeverisë?

A. Gjini: Kanë konsiderata të ndryshme sa i përket kohës. Mirëpo, nuk kam parë ndonjë disponim, i cili do të na tregonte shenja se dëshirojnë të mbajnë këtë Qeveri në pushtet. Kanë disponim që kjo Qeveri të shkoj sa më shpejt që të jetë e mundur. Por, i kanë disa konsiderata që i shpjegojnë edhe vetë dhe të shohim në ditët në vazhdim.

Express: A fitoi opsioni i PDK’së që zgjedhjet të mbahen në qershor?
A. Gjini: Bindja ime është që nëse zgjedhjet nuk mbahen në fillim të prillit ose në fund të majit, atëherë rrezikojmë që të shkojmë deri në fund të vitit me këtë Qeveri që e kemi. Shkuarje deri në fund me këtë Qeveri do të thotë degradim i mëtutjeshëm i mëtejmë i situatës në Kosovë në të gjitha aspektet. Zhvatje edhe më e madhe, përdorim edhe më i madh i buxhetit dhe instrumenteve të shtetit për me i fitu zgjedhjet edhe një herë.

Express: Pse LDK dhe Vetëvendosje s’po e përkrahin mocionin për rrëzimin e Qeverisë?

A. Gjini: I kanë konsideratat e veta dhe nuk kisha dëshiru me spekulu. Të shohim edhe pak se a do të reflektojnë çka themi ne. Unë sot ju kam treguar se është i sinqertë mocioni, se është serioz. I kanë letrat përpara. Krejt çka duhet të bëjnë është të nënshkruajë mocionin. Do të presim edhe një kohë dhe do të shohim si po reflektojnë.

Express: Çka jeni marrë vesh me Kryetarin e LDK’së, Isa Mustafa, në takimin që keni pasur dje?
A. Gjini: Praktikisht ka pasur marrëveshje në parim krejt të sinqertë se është e domosdoshme se Qeveria, sa më shpejt që të jetë e mundshme, që të largohet. Që të mbahen zgjedhje të lira dhe fer. Që nëse është e mundshme të procedojmë shumë shpejt me ligjin për zgjedhjet. Këto janë çështjet për të cilat jemi dakorduar. Që mocioni mbetet si opsion nëse nuk do të ketë rrethana tjera të krijuara për përfundimin e mandatit të kësaj Qeverie.

Express: Megjithëkëtë, mbetet muaji qershor edhe për LDK’në për të shkuar në zgjedhje?
A. Gjini: Sipas LDK’së, muaji qershor mbetet data më e largët. Ne besojmë se nëse kjo punë do të vazhdohet dhe të shkoi deri në qershor, atëherë, rrezikojmë që të shkojmë deri në fund të vitit me të njëjtën Qeveri.

Express: Pse po kërkoni të rrëzohet kjo Qeveri, kur Nënkryetari i Parë i AAK’së, Blerim Shala, është pjesë e një ekipi brenda Qeverisë?
A. Gjini: Një gjë e kemi bërë të qartë me vite. Shumë kujt i ka ikur ky detaj. Kur kemi vendosur që të kontribuojmë në bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë, kemi treguar se një gjë të tillë do ta bëjmë edhe prej opozitës. Pra, nuk kemi dilema se kjo është një çështje e rëndësisë nacionale. Kemi refuzuar që të jemi vetëm vëzhgues në këtë proces. Por, gjithmonë e kemi ndarë qeverisjen e vendit prej bisedimeve me Serbinë. Disa procese të mëdha, siç janë, shpallja e pavarësisë, Kushtetuta, aspektet integruese janë çështje shumë nacionale. Cilado Qeveri i kish ba. Është gabim me mendu se ndonjë Qeveri do të ishte sjell ndryshe në këto tema tepër të mëdha për vendin. Ne kemi problem me qeverisjen në vend. Po degradohen edhe temat e mëdha për shkak të qeverisjes së keqe. Qeverisjes kamufluese dhe mashtruese. Këto janë tema të ndara, shumë të ndara. Ne mendojmë se kjo Qeveri duhet të përfundojë mandatin e vet jo për shkak të bisedimeve. Por, për shkak të keqqeverisjes me vendin, për shkak të korrupsionit, papunësisë, krimit të organizuar dhe çështje të tjera që nuk është nevoja me i përmend.

Express: Por, vlerësimet prej udhëheqjes së AAK’së, përfshirë z. Haradinaj, se procesi i bisedimeve është shëndërruar në mjet abiziv. Në të njëjtën kohë z. Shala vazhdon të jetë pjesë e këtij procesi?

A. Gjini: Absolutisht, ne e kemi përsëritur disa herë – e ka përsëritur edhe Kryetari Haradinaj – edhe shumë prej nesh, edhe tani po mendojmë se ndoshta bisedimet po shfrytëzohen edhe si mjet për me mbet në pushtet kjo Qeveri. Roli jonë nuk është me i udhëheq bisedimet. Roli i z. Shala nuk është me i udhëheq bisedimet. Roli i tij është me qenë prezentë, me kuptu çka po ndodh, edhe me dhanë ndonjë imputë pozitive që mund të jetë i mirë për Kosovën. Ne mendojmë se kjo qeverisje duhet me i përfundu mandati dhe nuk lidhet me negociatat në formën çfarë pretendohet me z. Shala.

Express: A e dëmton AAK’në prezenca e z. Shala në krah të z. Thaçit në bisedimet me Serbinë?

A. Gjini: E kemi një bindje se mbështetja jonë për bisedimet me Serbinë nuk ka reflektuar me më shumë vota për AAK’në. E kemi të qartë këtë gjë dhe nuk jemi naiv dhe kuptojmë. Mirëpo, kemi këmbëngulur në këtë vendim tonin përkundër jopopullizmit, ose antipopullizmit, për shkak se besojmë se Kosova nuk është një vend në të cilin çdo gjë bëhet siç thonë në anglisht “bussnis and usually”, opozita me qenë vetëm opozitë, pushteti me qenë vetëm pushtet. Edhe me ba luftë mes veti kinse nuk kemi tema tjera. Kosova është një shtet, i cili ende nuk e ka konsoliduar plotësisht sovranitetin e vetë. Kemi varësi prej vendeve që e kanë sponzorizuar pavarësinë e Kosovës. Kemi çështje të hapura, çështje të cilat po i kushtojnë Kosovës shumë siç është Veri i Kosovës dhe kemi parë se kemi interes me e ndihmu Kosovën. Dy aspektet i kemi përmend në vazhdimësi, edhe z. Haradinaj, edhe gjithë të tjerët për të cilat ne do ta mbështesnim cilëndo Qeveri. Ajo është çështja e bisedimeve dhe e shtrirjes së sovranitetit të Shtetit në Veri të Kosovës, në pjesën në të cilën s’kemi pasur sovranitet. Dhe, çështja e integrimeve europiane, ku përfshihet edhe libralizimi i vizave. Nuk do të dërgojshim goditje të ulëta drejt Qeverisë për këto dy çështje.

Express: A keni reflektuar për humbjet që i keni pësuar në zgjedhjet e fundit, ku e humbët Pejën, Gjakovën, Suharekën, Rahovecin?

Uji Dea

A. Gjini: Absolutisht, e kemi parë se ka pasur një diskrepancë e madhe, e cila nuk na ka pëlqyer. Kemi marrë vota më tepër, kemi marrë komuna më pak. Diku në total me pesë ose gjashtë mijë vota i kemi humbur katër komuna. Për një parti politike, kjo nuk është situatë e këndshme. I kemi bërë analizat tona. Pak a shumë i dimë se cilat kanë qenë gabimet.

Express: Cilat janë ato gabime?
A. Gjini: Mendoj se këto janë çështje, të cilat janë paksa më të brendshme dhe reflektimi me të cilat do të ndodhin do të tregojnë qartë. Do të tregojmë me veprime e jo me fjalë ato që i kemi kuptuar. Nuk është korrekte prej anës time me tregu tani. Por, e dimë se ka pasur gabime. Nuk jemi konsultuar vetëm me vetveten. Jemi konsultuar edhe me qytetarin, edhe me institucione të pavarura në mënyrë që me pas një tablo sa më të pastër të asaj se pse i kemi humbur katër komuna.

Express: Blerim Kuçi ka thënë në një intervistë për Express se afërsia e z. Haradinaj me z. Thaçi i ka kushtuar me vota AAK’në?

A. Gjini: Po, është e vërtetë. Është intepretu si afërsi. Mbështetja për proceset e mëdha të cilat i përmenda më përpara prej një numri të mediave dhe prej opinionit publik është intepretu si afërsi me z. Thaçi. Kjo tregon se sa jopopullor është z. Thaçi. Do të thotë se edhe nëse dikush i afrohet pëson dhe merr goditje e lërë më me shku më tutje. E kemi të qartë edhe këtë temë. Ajo që ne provojmë të bëjmë tani është me i shpjegu popullit të Kosovës se ajo që është interpretuar si afërsi në fakt ka qenë synim strategjik me i ndihmu vendin e jo diçka tjetër.

Express: Pas rezultateve të zgjedhjeve lokale, a e synon AAK pozitën e Kryeministrit?

A. Gjini: Zgjedhjet lokale në total të votave, nëse ishin interpretuar si votë popullore, do ta kishin nxjerrë Aleancën fuqishëm në pozitën e tretë prej forcave politike në Kosovë. Në anën tjetër duhet të shihen edhe elementet tjera. Para dhjetë vitesh, diferenca mes partisë së parë dhe partisë së tretë, që kemi qenë ne, ka qenë 20 përqind, tani është 11 përqind. Dallimi mes partisë së parë dhe të tretës është ngushtuar shumë. Edhe kjo na bën me besu se AAK me një opsion të qartë qeverisës, me vizion të qartë, me opsionet të cilat do të jenë shumë lehtë të kuptueshme se çka do të bëjmë ne kur të vijmë në pushtet, ka mundësi me u avancu si forcë politike dhe me marrë besimin e qytetarëve të Kosovës me qeverisë me vendin. Një gjë që e dijmë ne në AAK, dhe besoj se një shumica e qytetarëve e dinë, se Kosova ka nevojë për ndryshime serioze. Ka nevojë për ndryshime thelbësore. Nuk ka nevojë për ndryshime të vogla.Nuk ka nevojë për një Qeveri që punon pak më mirë se Qeveria aktuale. Ka nevojë për një Qeveri, e cila bën ndryshime rrënjësore në Kosovë. Mendojmë se vetëm AAK mund ta jap një Qeveri e cila mund të bëjë ndryshime rrënjësore në Kosovë. Ne mendojmë se Kosovës i duhet një Qeveri, e cila i sjell energji të jashtëzakonshme në luftë kundër korrupsionit, në luftë kundër krimit të organizuar, në luftë me të gjitha elementet që kanë degraduar. Kosovës i duhet një energji e jashtëzakonshme për të ndërtuar ekonominë e Kosovës. Nuk mundet Kosova me ec pak më mirë ngadalë.

Express: AAK ka bërë disa eksperimente me koalicione. Në zgjedhjet nacionale lidhët koalicion me Ukë Rugovën e në zgjedhjet lokale me Nexhat Dacin.Tash me cilën parti do të bëni koalicion?
A. Gjini: Aleanca është e vetmja parti politike e cila ka kalu në periudhë tepër të vështirë. Mos harroni se asnjëherë s’kemi shkuar në zgjedhje të përgjithshme me Kryetarin Haradinaj që nga viti 2004. Po bëhen dhjetë vite që asnjëherë ne nuk kemi shkuar në zgjedhje të përgjithshme si parti e plotë. Viti 2004 është viti i fundit kur ne kemi marrë pjesë në zgjedhje dhe Kryetari Haradinaj ka qenë këtu. Nuk duhet me harru publiku këtë çështje. Është partia që më së gjati ka mbetur në opozitë. Asnjë parti tjetër s’ka qëndruarnë opozitë për shtatë vite sa jemi ne. PDK po provon me intepretu se ka qenë dy mandate në opozitë, por po harrojnë se Bajram Rexhepi ishte Kryeministër. LDK është në këto tri vitet e fundit në opozitë. Ne kemi reflektu, por rrethanat në të cilat jemi gjendur kanë qenë shumë të vështira për Aleancën. Mendoj se një gjë e meritojmë. E meritojmë një anticipim, jo simpati, pra një anticipim të publikut të Kosovës se cila parti kish mundur të rezistonte për dhjetë vite me shku në zgjedhje pa Kryetar të Partisë.

Express: Ka ardhur koha që AAK të mos rrijë më në opozitë?
A. Gjini: Mendoj se koha ka ardhur që Kosova ta sheh se e kemi tepër seriozisht. Ne e kemi tepër me interes me dëshmu, bëjmë çmos me dëshmu para popullit të Kosovës, se e kemi seriozisht dhe se mundemi me ndryshu këtë vend për të mirë.

Express: Cila parti është opsion i AAK për koalicion pas zgjedhjeve nacionale?

A. Gjini: Kur them ndryshime rrënjësore, kjo do të thotë se unë personalisht dhe një numër i madh i njerëzve në Aleancë mendojnë se Partia Demokratike duhet të shkojë në opozitë.

Express: Më herët keni qenë kategorik kundër një koalicioni me PDK’në, më vonë edhe më PDK’në vetëm të keni pozitën e Kryeministrit?

A. Gjini: Edhe kjo është formë se si interpretohet.

Express: Por, dihet se z. Haradinaj ka ardhur prej Hagës dhe i ka thënë PDK’së se bëjmë koalicion vetëm se e dua pozitën e Kryeministrit?
A. Gjini: Edhe ky është interpretim – mënyra se si e interpretojmë këtë që e thatë ju – është se ne i kemi ofruar z. Thaçi ta lëshojë pozitën e Kryeministrit. Kjo është qysh e kemi parë ne. Nuk kemi krejt naiv as atëherë dhe e kemi ditur sa zor e ka z. Thaçi ta lëshojë pozitën e Kryeministrit. Po, kushti jonë për bashkëpunim në atë kohë për me i përshpejtuar proceset në Kosovë ka qenë me i thanë z. Thaçi largohu prej pozitës së Kryeministrit. Kjo ka qenë çka ka bërë Aleanca. Krejt kanë thënë se AAK po donë pushtet. Ok, krejt partitë donë pushtet. Tregomani një parti që nuk donë pushtet, atëherë unë po pajtohem me ju.

Express: Me cilën parti AAK planifikon të bëjë koalicion pas zgjedhjeve nacionale?

A. Gjini: Do të provojmë të bashkëpunojmë me të gjitha forcat. Nuk e kam në planë me dhanë emrat tash. Ne mendojmë se duhet të gjejmë bashkëpunim me të gjitha forcat që dëshirojnë ndryshim rrënjësor. Kjo është çka po dëshirojmë ne. Ndryshim rrënjësor për Kosovën. Nuk guxon me pas as ngjashmëri Qeveria e ardhshme me këtë Qeveri për shkak se kemi humbur shumë energji dhe shumë kohë në shumë tema. Do të duhet tepër shumë energji për ta kthyer Kosovën në binarë.

Express: Cili është vlerësimi juaj për themelimin e një partie të re nga Fatmir Limaj e Jakup Krasniqi?
A. Gjini: Ju urojmë suksese.