Gjilani vazhdon fitoret në fushën e saj

Gjilan – Shënues: Salihu ‘7, ’25, Muja ’28, 72. Gjilani – Kosova (P) 4:0 (3:0). Stadiumi i qytetin në Gjilan: Shikues 200. Gjyqtarë: Batalli, Gegaj, Rexhepi. Kartonë të verdhë: Salihu, Bajraliu (Gjilani) – Krasniqi, Zeka ( Kosova P).
Gjilani: Gagica, Rexhepi, Arifi, Ramadani, Kastrati, Bajraliu, Shaqiri, Maliqi, Salihu (Hasani), Muja (Musliu), Beqiri (Murseli).
Kosova (P): Hajdini, Ismajli, Rama (Osmani), Statovci, Nwosu (Zeka), Hyseni, S.Krasniqi, Pacolli, Ternava, Durmishi, E.Krasniqi (Rama)
Futbollistët e Gjilanit kanë vazhduar fitoret në fushën e tyre duke mundur kësaj radhe skuadrën e Kosovës nga Prishtina me rezultat bindës. Skuadra vendase në çdo aspekt ishte ekip më i mirë, dhe sulmuesit gjilanas po të ishin më të vëmendshëm në rastet e tyre do të shënonin edhe po aq gola.
Nuk vonoi shumë dhe vendasit kanë kaluar në epërsi në minutën e shtatë përmes sulmuesit Shkumbim Salihu, që bukur ka reaguar pas harkimit të Bajraliut, duke shënuar gol nga afërsia për epërsinë fillestare të vendasve.
Rastin e vetëm në 90 minuta, mysafirët e patën në minutën e 22, pasi Besnik Tërrnava nga një distancë 25 metra ka gjuajtur fuqishëm, por për fat të portierit Gagica topi kalon pranë horizontales.
Yll Maliqi që në këtë ndeshje ishte lojtari më i mirë i ndeshjes edhe pse nuk shënoi asnjëherë, ishte protagonist i tre golave të radhës dhe më i merituari që shënuan shokët e tij. Fillimisht në minutën e 25, Salihu ka shënuar golin e dytë të tij, duke u gjendur bukur në harkimin e këmbëshpejtit Maliqi , ndërsa 3 minuta më vonë, ishte situata identike, por që në këtë rast shënon kapiteni Premton Muja, që nuk i mbeti tjetër veç ta fus topin në rrjet pas harkimit milimetrik të Maliqit nga e djathta.
Edhe përkundër epërsisë së lartë, Gjilani nuk ndali sulmet për të shënuar gola dhe nga një muri rastesh ka arritur të shënojnë vetëm edhe një gol në minutën e 72, ndërsa protagonist ishin përsëri kapiteni Muja dhe i pandalshmi Yll Maliqi që i ka ikur Ramës, për të harkuar drejt te sulmuesi Muja, derisa ky i fundit shënon golin e katërt dhe të fundit për Gjilanin./rajonipress/