Gjilani shpall aktivitetet për ndërtimin e Monumentit të Gruas dhe të Gurbetçarit

Gjilan – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, në konferencën me gazetarë, të mbajtur të premten, ka potencuar se angazhimi i Komunës është në bazë të prioritetit më të lartë, atë për ruajtjen e shëndetit publik në këtë kohë pandemie, duke mos lënë anash në asnjë moment edhe mirëmbajtjen e hapësirave publike dhe dinamikën e investimeve.

Gjithashtu, një angazhim maksimal është duke u dhënë edhe për fushën e arsimit dhe procesin e fillimit të vitit shkollor, për çka kemi marrë raportin dhe drejtorët e shkollave janë duke organizuar takime të rregullta, duke bërë përgatitjet maksimale për kthimin e nxënësve në shkolla.

Kryetari Haziri ka bërë shpalljen publike të aktiviteteve, sikur që është monumenti i gruas, i iniciuar nga gratë deputete dhe gratë këshilltare komunale, për çka Komuna e Gjilanit në shenjë respekti, ka ndarë edhe çmimin “Heroina e Qytetit”.

“Ky monument është për ta respektuar, vlerësuar dhe çmuar aktivitetin e gruas në gjitha periudhat e historisë së qytetit tonë. Monumenti i dytë është i “Gurbetqarit”, që është po ashtu në respekt për punën, solidaritetin, mbështetjen, pjesëmarrjen dhe ndërtimin e ëndrrës sonë, që e bënë baballarët tanë. Njëkohësisht, në 6 vende të ndryshme të qytetit, do të bëhet vendosja e skulpturave, punimeve dhe veprave artistike që identifikojnë dhe i japin pamje Gjilanit, që do të udhëhiqet nga ekipi profesional prej Deniza Limanit, Bekim Bajramit, Erson Zymberit dhe Bekim Korça, që bëjnë përshkrimin dhe gjetjen e vendeve për to”, ka thënë kryetari në fjalën e tij.

Aktiviteti i dytë i prezantuar nga kryetari Haziri, është faza e dytë e bulevardit të qytetit, ku do të hapet konkurs për pamjen dhe prioritetet në largimin e ndërtesave të vjetra.

“Kjo parasheh largimin e objektit të Policisë Regjionale, ish-Ekzekutivit të Komunës, 70 përqind e ndërtesës së burgut ngase pjesa tjetër do të jetë e konzervuar për kujtesë dhe muze të qytetit, si dhe riorganizimi, apo lidhja e bulevardit të qytetit me rrugën “Madeleine Albright”, rrugën “Adem Jashari”, “Mulla Idriz Gjilani” dhe rrugës së Tregut, kjo për arsye që në të ardhmen një pjesë e madhe e qytetit do të jetë e mbyllur dhe në funksion të qytetarëve”, ka thënë ai.

Fokusi i tretë është riorganizimi i brendshëm, në bazë të standartizimit që ka aprovuar Kuvendi Komunal, për pozicionet e punës, pozicionet e shërbyesve civilë, gradat e tyre, emërimet dhe shkallën e përgjegjshmërisë.

Haziri ka bërë të ditur se është liruar nga detyra drejtori i QKMF’së, në kuadër riorganizimit në shëndetësi, urbanizëm, prokurim dhe tatim në pronë, në fazën e parë.

“Sa i përket tatimit në pronë, Komuna ka inkasuar në nivelin prej 102 për qind dhe jemi falënderues për qytetarët që edhe në këtë kohë pandemie janë lojal me institucionin e shtetit duke paguar obligimet e tyre”, tha ai./rajonipress/

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS

Vërejtje!

RajoniPress.com nuk do të botojë shkrime që nuk i përmbushin kriteret dhe standardet profesionale të gazetarisë bashkëkohore. Nuk do të ketë për askënd mbyllje apo censurë, por jemi të fokusuar që në këtë agjenci, lajmi, shkrimi, raporti, intervista dhe opinioni të plotësojnë kriteret profesionale. Gjithashtu opinionet, analizat, komentet, nuk duhet të shkelin parimet etike (gjuhën e urrejtjes, fyerjet, diskriminimet e çfarëdoshme).