Gjilani shënon ditën botërore kundër duhanit

Gjilan – Në Gjilan, nën organizimin e QKMF-së, është shënuar dita ndërkombëtare kundër duhanit. Aktiviteti është përcjellë me një performancë të nxënësve të shkollës fillore “Abaz Ajeti” ku fëmijët me rekuizita me mbititull “Duhani vret” marshuan nëpër qytet.
Drejtori i QKMF në Gjilan, Fejzulla Berisha lidhur me aktivitetin u shpreh se qëllimi kryesor është që gjeneratat e reja të vetëdijesohen për dëmet që shkakton duhanpirja, “por njëkohësisht edhe si ditë që e shënon bota është në kalendarin e aktiviteteve tona e që ne konsiderojmë që ka efekt pozitiv”.
Infermierja Xhevahire Ymeri, përgjegjëse e grupit të edukimit në komunitet, theksoi se aktiviteti ka qëllim primar të pakësohet pirja e duhanit ngase është shkaktari kryesor që sot shkakton vdekjen, “por edhe kemi qëllim edukimin e gjeneratave të reja me dëmet nga duhanpirja”.
Pjesë e aktivitetit ishte edhe Kryeinfermierja e QKMF-së, Lutfie Ilazi, e cila theksoi se “ne për çdo vit e shënojmë këtë ditë dhe nga ana profesionale besojmë se po ndikon mirë tek gjeneratat e reja për çka meritë mjaft të duhur po japin edhe fëmijët që po marrin pjesë të cilët me performancën e tyre po ndikojnë në vetëdijesimin e qytetarëve për dëmet e shkaktuara nga duhanpirja”./rajonipress/