Gjilani shënon 18-vjetorin e rënies se Shaban dhe Sami Ukshinit

Gjilan – Në Zhegër sot është shënuar 14 maji dita e rënies së dëshmorëve Shaban dhe Sami Ukshini, të cilët dhanë jetën e tyre si ushtarë të UÇPMB-së, në luftën kundër forcave serbe në Kosovën Lindore.

Në shenjë të nderimit dhe lavdisë sot pranë shtatoreve të tyre është bërë ngritja e flamurit kombëtar që do të jetë simbol mburojë dhe hije e vazhdueshme e sakrificës që kanë dhënë dëshmorët Shaban dhe Sami Ukshini.

Drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport, Shpresa Hajdari, ka thënë se vepra e dëshmorëve është një themel që përditë e më shumë po forcon lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Ajo, gjithashtu, ka potencuar se liria e Kosovës është trajtuar gjithmonë e përbashkët edhe me lirinë e Luginës së Preshevës, për çka edhe kanë ra dëshmorë dy qytetarë të Zhegrës.

“Sot është një ditë e dhimbshme për familjen dhe shokët e tyre, por njëkohësisht edhe ditë krenarie dhe e tillë duhet të mbetet gjithmonë sepse ata dhanë gjënë më të shtrenjtë për lirinë e shqiptarëve. Të gjithë së bashku do t’i kujtojmë me përulje, sepse ata deshën lirinë për shqiptarët dhe për këtë duhet të punojmë e të jemi unik që të punojmë më shumë në ndërtimin dhe zhvillimin e vendit”, ka thënë drejtoresha, Hajdari.

Para të pranishmëve ka folur edhe ish komandanti i Zonës Operative për Preshevë, Mustafë Shaqiri, shkrimtari Ibrahim Kadriu dhe kryetari i shoqatës ‘Kurexhaj”, Hamdi Sejdiu, të cilët i kanë kujtuar dy dëshmorët që nga koha e fëmijërisë, e shkollës, e angazhimeve të ilegales e deri të angazhimi i tyre i hapur në luftën për liri, deri në rënien e tyre dëshmorë në Rahovicë të Preshevës.

Kurse vajza e dëshmorit Shaban Ukshini, Haxhere Ukshini, i ka përshëndetur të pranishmit dhe mes tjerash ka thënë se si fëmijë dëshmori, krahas shumë vështirësive të jetës, mungesës së babait, ka dhembje, krenari dhe përgjegjësi që të jetë shembull i mirë në shoqëri.

Ajo ka bërë thirrje që të punohet më shumë në zhvillim të vendit, emancipim të shoqërisë dhe mbështetje të rinisë në rrugën e tyre drejtë arsimit dhe shkencës.

Përndryshe, Shaban dhe Sami Ukshini ranë heroikisht në luftën e Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë më 14 maj të vitit 2001./rajonipress/

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS

Vërejtje!

RajoniPress.com nuk do të botojë shkrime që nuk i përmbushin kriteret dhe standardet profesionale të gazetarisë bashkëkohore. Nuk do të ketë për askënd mbyllje apo censurë, por jemi të fokusuar që në këtë agjenci, lajmi, shkrimi, raporti, intervista dhe opinioni të plotësojnë kriteret profesionale. Gjithashtu opinionet, analizat, komentet, nuk duhet të shkelin parimet etike (gjuhën e urrejtjes, fyerjet, diskriminimet e çfarëdoshme).