Gjilani qendër e afirmimit kulturor

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Në hapjen e panairit të librit në Gjilan i 40 me radhë kanë folur Salih Bashota, Shefki Osmani, Daut Demaku, Fatmir Toçi kurse hapjen e panairit e ka bërë Qemajl Mustafa i cili tha se Gjilani po vazhdon me traditën e librit.

Panairi i Librit është hapur zyrtarisht të martën kurse mbyllet më 19 tetor. Në hapjen e panairit morën pjesë shumë botues, krijues, poet e shkrimtar nga Kosova e Shqipëria kurse nderin më të madh këtij panairi ia ka bërë prezenca e akademik Idriz Ajetit.

Në emër të organizatorit ka folur Shefki Osmani i cili tha se panairi i librit , manifestim ky tashmë tradicional po mbahet për të 40 herë me radhë dhe me pjesëmarrjen e shumë shtëpive botuese nga trevat shqiptare.

Osmani tha se është i kënaqur që në këtë panair i cili mbahet nën patronatin e kryetarit të Komunës , po marrin pjesë mbi 50 shtëpi botuese. Osmani tha se pos prezantimit të librave dhe titujve të shumtë që janë të pranishëm në këtë panair janë paraparë të organizohen aktivitete të shumta kulturore, duke përfshirë edhe veprimtarinë shkencore të Idriz Ajetit, me rastin e 95 vjetorit të lindjes si dhe do të organizohet një takim për nder të veprimtarisë profesionale të dr. Bahtijar Kryeziut.

RCCOLA

Kurse në emër të bibliotekave të Kosovës ka folur Salih Bashota i cili tha se Gjilani po kontribuon në afirmimin e kulturës shqiptare kudo në trevat shqiptare. Edhe Fatmir Toçi në emër të botuesve shqiptar tha se panairi është një ngjarje e madhe për botën shqiptare , meqë ka një simbolikë të madhe. Toçi tha se nuk mund të shkojmë e të integrohemi në botën evropiane pa e zhvilluar dhe avancuar kulturën.

Panairin e ka përshëndetur edhe Daut Demaku kryetar i botuesve të Kosovës derisa hapjen e panairit e ka bërë Qemajl Mustafa i cili tha se Gjilani po e ruan traditën e librit dhe po kultivon e afirmon krijues e njerëz të artit e krijimtarisë. “Gjilani këto ditë do të promovojë libra të rinj, krijues të rinj dhe nga këto promovime dhe nga kjo pjesëmarrje e madhe ne synojmë edhe ta ngrisim masën e lexuesve. Leximi i librave, dhe njohja me botën e krijuesve dhe të titujve të rinj na mundëson që ta njohim më mirë kulturën, historinë dhe të ardhmen tonë” tha Mustafa.

Panairi pastaj ka vazhduar me një takim kushtuar akademik Idriz Ajetit./rajonipress/