Gjilani nis përgatitjet për manifestimin “Flaka e Janarit 2019”

Gjilan – Drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport, Shpresa Hajdari, ka mbajtur konferencë për media, ku ka prezantuar aktivitetet e shumta të cilat janë realizuar nga dikaster të ndryshëm të kësaj drejtorie.

Drejtoresha Hajdari ka thënë se si drejtori janë të angazhuar maksimalisht për realizimin e kalendarit të aktiviteteve dhe planit të punës, konform edhe interes të qytetarëve të Gjilanit.

“Jemi qytet që frymën e aktiviteteve kulturore, sportive dhe rinore e mbajmë në nivelin më të lartë të mundshëm në nivel të Republikës. Kjo tashmë është dëshmuar me aktivitete të shumta dhe të larmishme për të gjitha moshat. Gjilani që nga teatri, trupa e së cilës është përfaqësuese e Gjilanit të festival të ndryshme brenda dhe jashtë kufijve e deri te festivalet për fëmijë që janë një shembull i organizimit dëshmon për gjallërinë e madhe”, ka thënë ajo.

Gjithashtu, sipas Hajdarit, aktivitetet sportive Gjilanit ia kanë rritur namin dhe e kanë vendosur në vendin e parë në nivel vendi dhe përfaqësuese e denjë në garat ndërkombëtare të futbollit.

“Futbolli është disiplinë e fuqishme dhe reprezentative në sport, mirëpo edhe disiplinat tjera janë vendimtare edhe në nivel vendi, për çka jemi shumë falënderues për të gjitha shkollat sportive që veprojnë në Gjilan dhe për angazhimin që bëjnë me kuadrot sportive”, ka potencuar ajo, duke shprehur gatishmërinë e mbështetjes së vazhdueshme.

Hajdari tha se për herë të parë këtë vit është bërë subvencionimi nga DKRS, në bazë të thirrjes publike, me qëllim që të krijohet një lidhshmëri dhe llogaridhënie për subvencionimin që marrin organizata të ndryshme për aktivitete të ndryshme.

Drejtoresha Hajdari ka potencuar që DKRS është në proces të përgatitjeve për organizimin e manifestimit shumëkulturor mbarëkombëtar, “Flaka e Janarit 2019” dhe shpresohet në mbështetjen edhe për këtë vit nga ana e Qeverisë së Kosovës./rajonipress/

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS

Vërejtje!

RajoniPress.com nuk do të botojë shkrime që nuk i përmbushin kriteret dhe standardet profesionale të gazetarisë bashkëkohore. Nuk do të ketë për askënd mbyllje apo censurë, por jemi të fokusuar që në këtë agjenci, lajmi, shkrimi, raporti, intervista dhe opinioni të plotësojnë kriteret profesionale. Gjithashtu opinionet, analizat, komentet, nuk duhet të shkelin parimet etike (gjuhën e urrejtjes, fyerjet, diskriminimet e çfarëdoshme).