Mobi Casa

Gjilani në përmbyllje të projektit të Spitalit të Qytetit, do të ofrohen 6 shërbime të reja për qytetarët

/ 3 minuta lexim
Hidromorava

Gjilan – Komuna e Gjilanit gjithnjë e më shumë është duke investuar në sektorin e shëndetësisë kryesisht në infrastrukturë, objekte të reja e renovime dhe në shërbime më të shpejta pranë qytetarëve të Gjilanit.

Në këtë fazë është në përmbyllje projekti i objektit të ri të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, apo Spitalit të Qytetit, projekt të cilin e solli për gjilanasit Imet Rrahmani, në kohën sa ishte ministër i Shëndetësisë, i cili u jetësua me angazhimin edhe të Fejzulla Berishës.

Haziri tha se arsimi dhe shëndetësia janë prioritete të pandashme dhe për këtë arsye me këtë objekt do të ndikohet në rritjen e shërbimeve shëndetësore dhe njëkohësisht shkarkimin e Spitalit të Përgjithshëm.

“Bëhet fjalë për 5 mijë metra katror, një objekt që do të jetë funksional dhe me një numër shumë të madh të shërbimeve. Është objekt i ri i ndërtuar në bashkëpunim me qeverinë e Kosovës dhe me mbështetjen e ministrave Imet Rrahmani dhe Armend Zemaj, të cilët i falënderoj që e kanë mbështetur projektin e Komunës së Gjilanit për rritje të efikasitetit, shërbimeve dhe hapësirës në sektorin primar të shëndetësisë. Krahas këtij projekti, e kemi ndërtuar Ambullantën në Llashticë, sikurse edhe në të gjitha ambulantat tjera është bërë investimi në infrastrukturë dhe renovime të domosdoshme”, ka theksuar kryetari Haziri.

Uji Dea

Më tej ai ka thënë se në bazë të programit dhe kërkesave të mjekëve, por edhe këshillave të fshatrave, investimet do të zgjerohen, sepse shëndeti i përgjithshëm dhe shërbimet shëndetësore duhet të jenë pranë qytetarit dhe në shtëpi kur kërkohet nevoja.

“Shërbimet shëndetësore në shtëpi, shërbimet e stomatologjisë, laboratorit, vaksinimi, pediatria, kontrollat e përgjithshme etj., duke i shtuar edhe kujdesin e vazhdueshëm për pacientët në këtë fazë të përballjes me pandeminë, e vendosin mjekun e nivelit primar të shëndetësisë në një gardian të shëndetit të përgjithshëm publik. Prandaj prioriteti i shëndetësisë dhe arsimit janë të pandashëm sepse njëra pa tjetrën nuk kanë kuptim”, ka thënë ai ndër të tjerash.

Ai ka shprehur falënderim të veçantë për të gjithë mjekët, infermierët, teknikët dhe stafin tjetër, që japin shërbimet e tyre në shëndetësinë primare, në 22 qendra si në Qendrën Kryesore te Mjekësisë Familjare, në “Ramiz Cërrnicë”, në “Dardani”, në “Dheun i Bardhë”, në “Arbëri”, “28 Nëntori”, në Dobërqan, Pogragjë, Malishevë, Zhegër, Bresalc, Përlepnicë, Cërrnicë, Verbicë e Zhegocit, Livoç i Epërm, Livoç i Poshtëm, Llashticë, Uglarë, Shurdhan, Kishnapole dhe dy në vendbanimet serbe./rajonipress/