Gjilani nderon kryetarin dhe kolosin historik të Hendbollit kosovar, Mexhit Devajën

/ 4 minuta lexim
Fundamenti

Gjilan – Në teatrin e Gjilanit është promovuar dokumentari dhe libri i Artan Muhaxhirit i titulluar “Një jetë me hendbollin” kushtuar kolosit dhe kryetarit historik Mexhit Devaja. Të gjithë folësit duke filluar nga Lutfi Haziri, Tarik Cengiz, Zoran Kojiqiq, Besim Hasani, Astrit Memia e të tjerë thanë se Mexhit Devaja është kontribuuesi, dhe njeriu kryesor që dërgoj Kosovën dhe hendbollin kosovar në familjen evropiane.

Një dokumentar kushtuar Mexhit Devajës ishte përgatitur nga Artan Muhaxhiri autor edhe i librit ku në mënyrë kronologjike ishte dhënë e tërë veprimtaria, aktiviteti, lobimet, takimet e Devajës me personalitete të njohura vendore e ndërkombëtare në interes të Kosovës dhe sportit e në veçanti hendbollit.

Në dokumentarin televiziv gjithkund shihej Mexhit Devaja entuziast, optimist dhe këmbëngulës që hendbollin kosovar ta dërgojë në arenën ndërkombëtare. Dhe pas këtij filmi të shfaqur vijnë fjalë të mëdha e të sinqerta për punën mbi 16 vjeçare të kreatorit, ideologut, menaxherit, e sponzorisueit të madh të sportit kosovar.

I pari i komunës Lutfi Haziri tha se Gjilani ia ka borxh Mexhit Devajës t`i bëjë këtë nder dhe këtë organizim. “Mexhit Devaja dha sakrificën më sublime për sportin kosovar – hendbollin. Kosovën e dërgoj atje ku duhet në arenën ndërkombëtare dhe me të drejtë ne e quajmë kryetari historik i hendbollit të Kosovës”.

Haziri ka folur edhe për shumë merita që ka pasur dhe ka dhënë Mexhit Devaja nëpër vite duke qenë edhe sponzorizues vetjak i shumë takimeve dhe zhvillimeve që lidheshin me hendbollin kosovar.

Kurse Tarik Cengiz ish kryetar i Federatës së hendbollit të Turqisë tha se ishte nder për të që të punojë me Mexhit Devajën. “Mexhit Devaja është një hero dhe arkitekt i hendbollit kosovar dhe këtë meritë e ka fituar me punë, nder dhe respekt të ndërsjellë” tha Cengiz.

Edhe Zoran Kojaqiq ish kryetar i federatës së hendbollit jugosllav tha se Mexhit Devaja ka dhënë kontribut të pamohueshëm për ta bërë realitet ëndrrën e Kosovës. “Unë bëra për Malin e Zi kurse Mexhiti më parë se unë e bëri për Kosovën. Isha xheloz, por gjithmonë mirënjohës për punën e tij vetëmohuese” tha Kojaqiq.

Uji Dea

Edhe Besim Hasani tha se Devaja do të njihet si kolos i sportit kosovar, si njeri shembullor e menaxher i dalluar.

Kurse Astrit Memia nga Shqipëria tha se emri i Mexhit Devajës do të mbetet pa dyshim i ngulitur në hendbollin kosovar.

Autori i dokumentarit dhe librit Artan Muhaxhiri tha se kjo ishte më e pakëta që ka mundur të sjell para sportistëve kosovar për figurën, veprën dhe jetën sportive që i dha Kosovës, Mexhit Devaja.

Kurse Mexhit Devaja ashtu si gjithmonë fjalëpakë tha se e kishte obligim që ëndrrën e gjeneratave të reja ta dërgojë në majat e sportit evropian.”Të gjithëve nga zemra u jam mirënjohës e falënderues. Kosova dhe sporti i saj për mua ishin dhe do mbeten momentet më të lumtura të jetës sime” tha Devaja.

Ndryshe libri “Një jetë me hendbollin” sjell në një formë më ndryshe fakte, prapaskena interesante, opinione të atyre që e njohën punën dhe bashkëpunuan për gjatë rrugëtimit të tij me hendbollin.

Libri përmban momente interesante, zhvillime nga më të ndryshmet duke filluar nga lobimi, kontaktet, njohjet me delegacionet e huaja, angazhimi maksimal në ndërkombëtarizimin e hendbollit. “Karakteri i fortë, morali brilant, guximi dhe trimëria e pashembullt e Mexhitit, bëri që ai dhe hendbolli i Kosovës të krijoj miq dhe përkrahës në gjithë Evropën dhe më gjerë. Prandaj emri i Mexhitit do të mbetet i respektuar në analet e historisë jo vetëm të hendbollit, por në përgjithësi të sportit të Kosovës” është thënë në hyrje të librit.

Kurse vet Mexhit Devaja ka thënë se “jam krenar për punën të cilën e kam bërë, për të mirën e Hendbollit dhe shtetit tim. U trasua një rrugë shumë e mundimshme për gjeneratat e ardhshme që t`i bashkëngjiten familjes së madhe evropiane e botërore, sepse nëpërmjet sportit vlerësohet edukata e një shteti. Këtë mundësi tani e kanë hendbollistët e hendbollistet e Kosovës”./rajonipress/