Fundamenti

Gjilani mposhtet në fushë të vet

/ 3 minuta lexim
Eco Higjiena

Gjilan – Në ballafaqim me mëtuesin për dy vendet e para, Lirinë e Prizrenit, Gjilani ka pësuar në fushë të vet dhe në masë të madhe i ka zbehur gjasat për dy vendet e para që dërgojnë në Superligën e Kosovës. Në ndeshjen më të dobët të stinorit, Gjilani nuk ka treguar agresivitet për të shënuar fitore e për të qenë edhe më keq, për arsye tashti për tashti të panjohura në këtë ballafaqim, në bankinë ka munguar edhe kryetrajneri i Gjilanit, Musa Selimi.

Vendasit e kanë nisur lojën shumë mirë dhe që në minutën e pestë, Ferati u gjet ballë për ballë me Ruxhin e Lirisë, i cili e kishte lëshuar portën, por çuditërisht qendërsulmuesi gjilanas huqi portën e zbraztë. Vendasit ia kanë dalë që të shënojnë të parët, kur Morina nga thellësia e ka shërbyer Salihun e ky gjuajti për tokë dhe nën duar t e portierit mysafir e dërgoi topin në rrjetë. Gjashtë minuta më pas, mbrojtja e Gjilanit ka bërë një gabim trashanik, kur nuk u gjet si duhet e edhe portieri Maloku e lëshoi portën dhe këtë e shfrytëzoi sulmuesi mysafir Gashi, i cili e dërgoi topin në rrjetë.

Në pjesëlojën e dytë loja e Gjilanit ra tërësisht. Në minutën 50, mbrojtësi vendas Haklaj bënë një gabim të pakuptimtë, duke ia dhënë topin sulmuesit mysafir Fetahaj, kurse ishte sërish Haklaj që intervenoi dobët dhe sërish Gashi ia doli të shënojë, që doli se ky ishte goli i fitores.

Vendasit ia nisën të luajnë me nervozizëm, kurse edhe situata në publik u elektrizua dhe derisa po zhvillohej ndeshja, u pa kryetrajneri mysafir, Rafet Prekazi, i cili ishte shtrirë për tokë. Pandehej se ai ishte qëlluar me një shishe plastike. Ndeshja u ndërpre, për më shumë se 15 minuta, u desh të zbrazet edhe tribina prej nga pandehej se ishte dërguar shishja. Pasi ndeshja ka vazhduar, gjyqtari Hajriz Hajdari, i cili me disa vendime të tija e ka tensionuar gjendjen në fushë, gati se pa dhënë asnjë minutë shtesë e ka përfunduar ndeshjen.

Gjilani – Liria 1:2 (1:1)

UBT

Shënues: Shkëmbim Salihu 34’ – Qëndrim Gashi 40’, 50’.

Stadiumi i Qytetit në Gjilan. Shikues: 1500. Gjyqtarë: Hajriz Hajdari, Orhan Krasniqi, Nuhi Hysenaj. Shënues: Shkëmbim Salihu 34’ – Qëndrim Gashi 40’, 50’. Kartoni i verdhë: Haklaj, Kastrati, Shala.

Gjilani: Maloku, Haklaj (Xhemajli), Kosumi, Maliqi, Kastrati, Mustafa (Jetullahu), Shala, Salihu, Sermaxhaj, Ferati, Morina, Trajner: Afrim Ajdini.

Liria: Ruxhi, MAzreku, Karahoda (Bytyqi), rexhaj, Loshaj, Brando, Guci (Islamaj), Mullallari (Elezaj), Kryeziu, Gashi, Fetahaj. Kryetrajner: Skënder Shengyli./rajonipress/