Gjilani mbetet në garë për vend të parë

Gjilan – Shënues: Jashari 60’ (nga penaltia), Blakçori 61’ – Bushi 29’. Gjilani ka arritur edhe një fitore në fushë të vet, edhe kësaj radhe duke e përmbysur rezultatin, ngase pas pjesës së parë ishte në disavantazh. Vendasit që po e kërkonin golin, kanë qenë të parët që kanë pësuar në minutën 29. Pas harkimit të Shalës, Bushi ka qëlluar furishëm, duke qëlluar këndin e epërm të djathtë të Malokut. Gjilani pati rast të mirë të barazoj në minutën 38, kur portieri mysafir e rrëzoi Blakçorin dhe gjyqtari dha penalti. Statovci ia doli që të pres gjuajtjen e Morinës nga pika e bardhë.Gilani – Fushë Kosova 2:1 (0:1).
Edhe në pjesën e dytë, në minutën 60 është dhënë penalti për Gjilanin. Kësaj radhe Mjeku e ka rrëzuar Blakçorin në brendi. Detyrën për të gjuajtur tashti e mori Jashari, i cili ishte i saktë nga pika e bardhë. Kjo sikur iu dha vullnet vendasve që menjëherë pas një minute ia arritën të shënojnë edhe një herë. Pas harkimit në e majta të Sermaxhajt, Blakçori pas dy tentimeve ia doli që të qëlloj rrjetën. Mysafirët deri në fund të ndeshjes luajtën me nervozizëm dhe nuk ia dolën të shënojnë për të barazuar rezultatin.
Thënë pas ndeshjes:
Musa Selimi (Gjilani): “Patëm mungesa në ekip, ngase na munguan katër lojtarë. Po na përcjell avazi i vjetër, që së pari po pësojmë e më pas po na duhet t’a rikthejmë rezultatin. Mysafirët ishin shumë të mirë, kurse për ne përmbysja është shumë e rëndësishme, ngase na mban në garë për vend të parë”.
Astrit Ajeti (Fushë Kosova); “Loja ishte e mirë, por lojtarët tanë ranë nën ndikimin e gjyqtarëve e kryesori ishte katastrofal. Po punojmë shumë e gjyqtarët po na e humbin mundin. Dy penalti kundër nesh ishin shumë”.
Stadiumi i Qytetit në Gjilan. Shikues: 300. Gjyqtarë: Kastrati, Bala, Hysenaj. Shënues: Jashari 60’ (na penaltia), Blakçori 61’ – Bushi 29’. Kartoni i verdhë: Ibërdemaj, Kosumi, Blakçori – Statovci, Beqiri, Bushi, R. Krasniqi, V. Krasniqi.
Gjilani: Maloku, Hyseni, Arifi, Emini, Ramadani (Ibërdemaj), Maliqi, Morina, Kosumi, Sermaxhaj, Jashari, Blakçori (Marovci).
Fushë Kosova: Statovci, Kida, Beqiri, Mjeku, Demaj (Breznica), Pllana, Bushi (Dumoni), R. Krasniqi, V. Krasniqi. /rajonipress/