Gjilani mbetet lider
Gjilan – Shënues: Ferati 20’, Morina 63’, 89’. Gjilani ka shënuar një fitore të radhës për të mbetur lider në Ligën e Parë të Kosovës në futboll. Në një ndeshje në terren të rrëshqitshëm fitorja e Gjilanit mund të duket bindëse, por djelmoshat e Musa Selimit u deshën të djersitën shumë, ngase mysafirët patën disa raste të mira shënimi, por të cilat i ndali mrekullisht portieri Faton Maloku. Gjilani – Lepenci 3:0 (1:0).
Që në minutën 17 Gjilani bëri me dije se do të kërkojnë fitoren, kur Maliqi harkoi në zonë e Salihu gjuajti, por u shqua portieri mysafir. Tre minuta më pas erdhi goli i parë për vendas, kur Morina, iu shmang një pozite jashtë loje dhe harkoi në shtyllën e dytë, ku më së larti kërceu Ferati dhe me kokë futi topin në rrjetë. Deri në fund të pjesës së parë, Gjilani pati edhe një rast të mirë shënimi, e mysafirët i patën dy raste të tilla, por rrjetat ngelën të paprekura.
Dhjetë minuta pasi kishte filluar pjesa e dytë, Osmani pati një rast të shkëlqyeshëm për të shënuar, por Maloku i vendasve shpëtoi gol të sigurt. Kjo iu hakmor mysafirëve, ngase në minutën 63, pas një shpërthimi të shpejtë të Morinës, sulmuesi gjilanas u gjet i vetmuar dhe me urti dërgoi topin në rrjetë.
Në fund të ndeshjes Morina ia doli të shënojë edhe një herë për ekipin e tij, kur Maliqi pasi ka shpërthyer mirë nga e djathta ka gjetur Morinën që nga afërsia e futi topin në rrjetë.
Kjo fitore është shumë e mirëseardhur për kryetrajnerin Musa Selimi, ekipi i të cilit tashti mbetet në pozitë të parë dhe sërish do të luaj në vend të vet kundër Rahovecit, derisa kryetrajnerin mysafir Ferdi Ismaili e pret një detyrë e vështirë për të ruajtur statusin në Ligën e Parë të Kosovës, pasi që Lepenci radhitet i parafundit.
Gjilani – Lepenci 3:0 (1:0)
Stadiumi i Qytetit në Gjilan. Shikues: 200. Arbitra Mustafa, Gashi, Llallo. Shënues: Ferati 20’, Morina 63’, 89’. Kartoni i verdhë: Hyseni, Haklaj – Zeneli.
Gjilani: Maloku, Hyseni, Kastrati, Xhemajli, Maliqi, Morina, Kosumi (Haklaj), Ramadani (Jetullahu), Sermaxhaj, Salihu, Ferati (Leka). Trajner: Musa Selimi.
Lepenci: Jakupi, Luri, Tafili, Hasani (Brruti), Bela, Xhika, Rogaqi, Zeneli, Troni (Teneqja), Mulaku (Çaka), Osmoni. Trajner: Ferdi Ismaili./rajonipress/


