Gjilani mban mbledhje komemorative kushtuar jetës dhe veprës së Dr. Ramush Osmani

/ 4 minuta lexim

Gjilan – Nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, sot është mbajtur mbledhje komemorative, kushtuar jetës dhe veprës së doktorit Ramush Osmani, me rastin e ndarjes nga jeta.

Ne këtë komemoracion u tha se gjatë gjithë jetës, ai ka dhënë kontributin e tij në shëndetësi, respektivisht në Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit, për një shoqëri të moderuar dhe një familje të edukuar.

Në fjalën e tij, drejtori i Shëndetësisë, Selami Xhemajli, ka përcjellur telegramin e ngushëllimit që kryetari Haziri, që i ka dërguar familjes dhe stafit të shëndetësisë në Gjilan.

“Dr. Ramush Osmani ishte i të gjithëve dhe me punën e përkushtimin e tij ka lënë te të gjithë ne një boshllëk ta madh e të pazëvendësueshëm sepse vendosmëria e tij, puna, dashuria për sportin, muzikën dhe familjen, janë një veçanti që e ka karakterizuar doktorin Ramush. Ne gjithmonë kemi shembuj të mirë që ai ka lënë prapa për të gjithë ne. Dr. Ramushi ka qenë mësues dhe një profesionist shembullor që nga sot na ka lënë për të mos e harruar kurrë. Njerëzit e veçantë ikin shumë shpejtë, por prapa vetes lënë një enciklopedi të madhe të veprimtarisë, punës, edukatës, mësimeve dhe epiteteve të pafundme që janë udhërrëfyes për kolegët e tij, familjen dhe farefisin”, ka përcjellur drejtori Xhemajli, telegramin e kryetarit Haziri.

Dr. Agron Leka, bashkëpunëtor me doktor Ramush Osmanin, ka thënë se “ai ishte më i miri nder ne, sepse të gjithëve na mbushte me energji dhe vullnet për të punuar në mënyrën profesionale në shërbim të pacientëve dhe shëndetit të përgjithshëm me shërbime shëndetësore për qytetarët e 10 komunave që i drejtohen Gjilanit në Spitalin e Përgjithshëm”.

Fidanishtja

“Ramush Osmani ishte dhe gjithmonë mbetet një specialist, një humanist dhe veprimtar i shquar që kishte prioritet shëndetin dhe trajtimin në nivelin më të lartë të përgjegjësisë profesionale”, tha mes tjerash doktori Leka.

Shefqet Mehmeti, në fjalën e tij para të pranishmëve, në emër të stafit shëndetësor, ka theksuar se doktor Ramushi ishte gjenerata e tretë e intelektualëve në familjen e tij dhe njëkohësisht gjenerata e tretë e funksionarëve të Gjilanit, karshi gjyshit të tij që e udhëhoqi Gjilanin si kryetar Komune në vitin ’45 e më pas babait të tij që ishte gjithashtu një intelektual i vyer.

Vëllai i doktor Ramush Osmanit, Nadir Osmani, ka falënderuar kryetarin e Komunës për këtë organizim dhe të pranishmit për pjesëmarrjen, duke theksuar se gjithmonë në shtëpinë e tyre doktor Ramushi ishte mësues i familjes dhe me shumë vendosmëri na mbante gjallë përmes sportit, muzikës, humorit dhe dashurisë për të ngritur një familje të edukuar dhe të qëndrueshme përmes punës dhe respektit maksimal.

“Tiparet e tij në familje ishin të panumërta, por befasues ishte pritja që stafi shëndetësor i kanë bërë dhe trajtimit gjatë gjithë kohës sa ai ka qëndruar në Gjilan e më vonë edhe në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Familja jonë e kemi pas shumë me vlera Dr. Ramushin, mirëpo ai kishte qenë anëtar i një familje edhe më të madhe, i asaj të mjekëve dhe mantelbardhëve në përgjithësi, që kështu na kishte krijuar një familje shumë më të madhe e të cilët si anëtarë të familjes po na trajtojnë edhe sot, falë vëllaut Dr. Ramush Osmanit”, ka thënë ai. /rajonipress/