Gjilani lider për moszbatim të vendimeve dhe anarki institucionale
Gjilan- Arben Mehmeti shef i grupit të LDK-së në një takim me mediet tha se Gjilani ka probleme të mëdha meqë është kampion për moszbatim të vendimeve të Organit Mbikëqyrës të Pavarur si dhe është gjithashtu e para në nivel vendi për mos ekzekutimin e këtyre vendimeve.
Shefi i grupit parlamentar të LDK-së në Gjilan Arben Mehmeti ka fokusuar tri çështje thelbësore me të cilat po përballet administrata e Gjilanit dhe institucionet e saja, e për pasojë po krijohet anarki institucionale në vendimmarrje.
Mehmeti tha se mos respektimi i vendimeve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës (KPMB) si dhe mos ekzekutimi i këtyre vendimeve e sjellë Komunën e Gjilanit në një pozitë të palakmueshme sepse vetëm në vitin 2011 janë evidentuar mbi 174 ankesa që lidhen me marrëdhënien e punës së shërbyesve civil. “ Pas Prishtinës me këso ankesa Gjilani radhitet e dyta dhe është lider në këtë drejtim sikurse është kampion i mos ekzekutimit të vendimeve të KPMB, meqë deri tani ka 8 raste të pa ekzekutuara derisa Prishtina që ka më shumë të punësuar ka vetëm 2 raste të pazgjidhura” sqaroj Mehmeti.
Mehmeti tutje tha se një problem tjetër që po e rëndon administratën e Gjilanit është edhe kyçja e 37 personave të ashtuquajtur zyrtarë, por që nuk kanë kontrata pune .”Inkuadrimi në punë në mënyrë të paligjshme është rast për prokurori e gjykatë. Organet komunale po i keqpërdorin këta punëtorë për qëllime të caktuara politike. Kjo tregon se në Gjilan po dominon anarkia institucionale sepse këtë njerëz janë aktivistë të PDK-së. Realisht bëhet fjalë për instalim të PDK-së nëpër drejtoritë e caktuara komunale” tha Mehmeti.
Mehmeti mendon se për këso shkelje ligjore kryetari i komunës duhet të shkarkohet nga kryeministri kurse prokuroria nuk duhet të heshtë sepse ka obligim ligjor ta mbrojë ligjin.
Mehmeti ka folur edhe për rastin e pronarëve në rrugën “Adem Jashari”. “Në atë kompleks dhe investim privat më shumë kemi interesa personale sesa publike dhe LDK i mbron të drejtat e pronarëve” tha ai. Mehmeti tha se pronarët e atyre lokaleve po ftohen në biseda informative dhe kjo formë duhet të ndërpritet sepse po përfitojnë vetëm njerëz që janë të lidhur me pushtetin tha Mehmeti./rajonipress/