ZN

Gjilani ka siguri stabile

/ 4 minuta lexim
ZN

Gjilan- Gjendja e përgjithshme e sigurisë në komunën e Gjilanit, është vlerësuar stabile në mbledhjen e Komitetit për Komunitete, që është mbajtur të mërkurën, ku kanë marrë pjesë edhe komitetet nga disa komuna fqinje të rajonit të lindjes.

Përfaqësuesja e Policisë së Kosovës, Sadete Sadiku ka thënë se gjendja e sigurisë në komunën e Gjilanit vazhdon të jetë e qetë, duke nënvizuar se nuk ka pasur asnjë rast me prapavijë ndëretnike në periudhën mes dy takimeve të Komitetit.

Ajo ka thënë se policia po punon në ndriçimin e rastit të vjedhjes së mbajtëseve të qirinjve në varrezat ortodokse, që në bazë të hetimeve të deritashme, është kryer për përfitime individuale dhe nuk ka motive etnike. Sipas saj, janë identifikuar dy persona të dyshimtë.

Ndryshe, përfaqësues të Komiteteve nga komunat Kamenicë dhe Shtërpcë kanë shkëmbyer përvojat e tyre mbi mënyrën e funksionimit të këtyre trupave të vendimmarrjes komunale, të cilat tani kanë marrë edhe një Udhëzim nga Ministria e Pushtit Lokal, që do të lehtësojë në masë të madhe punën e tyre si dhe bashkëpunimin me Zyrat për Komunitete dhe Kthim, sepse përcakton obligimet e ndërsjella.

Sadri Arifi, shef i Shërbimit të Kuvendit Komunal në Gjilan, ka thënë se udhëzimi i MAPL do të jetë një ndihmesë e madhe në punën e Komiteteve, duke nënvizuar se deri tani komitetet kanë punuar në bazë të një rregulloreje komunale.

Ndryshe, ai e ka cilësuar të dobishëm bashkëpunimin ndërkomunal, duke nënvizuar se të gjitha komitetet për komunitete kanë qëllime të njëjta, por mund të dallojnë te mënyrat e punës, të cilat i përdorin për realizimin e objektivave të tyre, prandaj është i nevojshëm ky shkëmbim i përvojave.

Mobi Casa

Fadil Gashi ka thënë se Gjilani ka një traditë të mirë për sa i përket punës së komiteteve, ndërkohë që kërkoi përfaqësim të kësaj trupe edhe në Komisionin për Ri-integrim, që është formuar tani së voni, për të përcjellë drejtpërdrejt procesin e kthimit nga vendet e treta.

Sipas kryesuesit të Komitetit për Komunitete nga Kamenica, Zhivojin Milkoviq, në komunën e tij mungon një komision i tillë, por me këtë proces merret Zyra për Komunitete dhe Kthim.

Bardhyl Kadriu ka thënë se për hir të informimit të ndërsjellë rreth procesit të kthimit dhe ri-integrimit, është i nevojshëm përfaqësimi i këtij komiteti në Komisionin për ri-integrim, ndërsa përsëriti kërkesën për punësimin e një zyrtari shqiptar në ZKK, duke thënë se pjesa dërmuese e personave të riatdhesuar janë shqiptarë.

Kemal Shahin, kryesues i Komitetit për Komunitete, tha se problemet e deritashme në relacion me ZKK, janë tejkaluar, duke shtuar se bashkëpunimi me shefin e ri të kësaj zyre, është shumë i mirë, por ai nuk ka arritur ende të marrë dokumentacionin nga paraardhësi i tij, i cili është larguar nga puna.

Sa u përket ndihmave për të kthyerit, Shahin tha se dy shtëpi në fshatin Shillovë janë ndërtuar me mjete nga Zyra e kryeministrit, Presidenca dhe Komuna e Gjilanit dhe i përgëzoi përfituesit, të cilët, siç tha ai, deri tani kanë jetuar në kushte të këqija, ndërkohë që kërkoi të vazhdohet me këso investime të qëlluara.

Komiteti për Komunitete ka miratuar rekomandimet për përfaqësim në Komisionin për Ri-integrim si dhe për punësimin e një zyrtari shqiptar në Zyrën për Komunitete dhe Kthim, ashtu siç parashihet./rajonipress/

Mund të ju interesoj: