UBT

“Gjilani i zhgënjyer nga pushteti” – Ahmet Isufi akuzon qeverinë për stagnim dhe mungesë investimesh në Anamoravë

/ 2 minuta lexim
Mobi Casa

Gjilan – Kandidati për deputet nga AAK-ja, Ahmet Isufi, ka adresuar kritika të ashpra ndaj qeverisë aktuale, duke e cilësuar Gjilanin dhe gjithë rajonin e Anamoravës si një nga zonat më të neglizhuara në Kosovë për sa i përket zhvillimit ekonomik dhe investimeve kapitale.

Përmes një reagimi publik, Isufi ka thënë se gjatë qëndrimeve të tij të përditshme në Gjilan po sheh “zhgënjim të madh” te qytetarët, të cilët sipas tij kishin pritur ndryshim dhe zhvillim pas ardhjes në pushtet të qeverisë aktuale.

“Kur pritjet janë të mëdha, zhgënjimi bëhet edhe më i rëndë”, ka deklaruar ai, duke shtuar se qytetarët e Anamoravës ndihen të lënë anash dhe pa mbështetje konkrete nga institucionet qendrore.

Isufi ka potencuar se pas qeverisë Haradinaj nuk është sjellë asnjë projekt madhor serioz në Gjilan, ndërsa projektet e nisura më herët ose janë zvarritur për vite të tëra, ose janë ndalur krejtësisht.

Hidromorava

Sipas tij, paradoksi më i madh politik është fakti se Gjilani qeveriset nga e njëjta forcë politike që udhëheq edhe me nivelin qendror, por megjithatë qyteti vazhdon të përballet me stagnim të thellë zhvillimor.

Në deklarimin e tij, kandidati i Aleancës ka rikthyer në fokus edhe projektin e autostradës së Anamoravës, duke e konsideruar atë si nyje strategjike për zhvillimin ekonomik të rajonit dhe lidhjen me shqiptarët e Kosovës Lindore.

“Aleanca gjithmonë e ka pasur prioritet Gjilanin dhe ndërtimin e autostradës që e lidh këtë pjesë me bashkëkombasit tanë në Kosovën Lindore”, ka theksuar Isufi, duke shtuar se vetëm një ndryshim në pushtetin qendror mund ta nxjerrë Anamoravën nga izolimi zhvillimor dhe ekonomik.

Deklaratat e tij vijnë në një periudhë kur retorika politike në rajon po ashpërsohet dhe temat e investimeve infrastrukturore, zhvillimit ekonomik dhe përfaqësimit institucional po dominojnë debatin publik në prag të zgjedhjeve./rajonipress/