Gjilani e përcjell Llapin me 3 gola
Skuadra e Gjilanit në javën e XI dhe të fundit të pjesës së parë të Kampionatit të Superligës, me një ndeshje tejet të mirë ka mposhtur skuadrën nga Podujeva, Llapin me rezultat 3-0.
Në një lojë të bukur futbollistët e Gjilanit në çdo element të lojës ishin më të mirë se kundërshtari i tyre, duke shënuar tre gola të bukur në rrjetën e portierit Afrim Ademit.
Mysafirët ishin ata që të parët rrezikuan në portën e Haxhihamzës në minutën e 15-të, Blendi Memaj godet nga 16 metra horizontalen e Gjilanit.
Një gjë të tillë e bën edhe futbollisti Bedri Greca i cili në minutën e 40-të godet shtyllën pingule të mysafireve.
Tre minuta para përfundimit të pjesës së parë futbollisti kroat, Tomisllav Busic me mjeshtri gjen rrjetën e Ademit të Llapit duke kaluar skuadrën e tij në epërsi në 1-0.
Në minutën e 60-të, Arbnor Ramadani gjuan fuqishëm por Haxhihamza me mund të madh shpëton portën e tij.
Në minutën e 72-të, mbrojtësi Erlis Frashëri pasi depërton rreth 20 metra me top pason në mënyrë fantastike gjerë të Bedri Breca i cili gjen rrjetën e Ademit për 2-0.
Në minutën e 85-të, pas një aksioni individual fantastik, Gerhard Prognit kalon tërë mbrojtjen mysafire dhe me mjeshtri gjen këndin e Ademit për ta vulos këtë takim me rezultat 3-0.
Trajneri i Llapit, Tahir Batatina, pas ndeshjes ka deklaruar.
“Pjesa e parë ishte e nivelizuar, ne patëm raste por nuk shënuam, duhet kuptuar se edhe humbja është pjesë e futbollit por kam një porosi FFK mos të mendon se ka vetëm dy skuadra Dritën e Gjilanin, kampionati është i gjatë ndërsa Gjilani kësaj radhe fitoj me meritë”.
Trajneri nga Vlora Gentjan Mezani, pas 90 minutave ka theksuar.
“Fituam ndaj një kundërshtari shumë të fort dhe cilësor, ne duhet të përmirësohemi ende pasiqë portieri ynë sot pati punë shumë por është një fitore e merituar”.
Pas përfundimit të ndeshjes, nuk ka shkuar qetë sikur që ishte ndeshja, disa persona jo zyrtarë e kanë goditur gjyqtarin anësorë, Meriton Berishën.
Policia e Kosovës në këtë përleshje ka arrestuar 3 persona, të cilët janë shoqëruar në stacionin e Policisë Rajonale të Gjilanit.
Gjilani pas kësaj fitore kryeson në tabelë me 24 pikë, ndërsa në javën e 12 do të takohet me Trepcën’89 në Gjilan./rajonipress/


