Gjilani bëhet gati për të shënuar ditën e Çlirimit
Gjilan – Aktivitetet për të shënuar ditën e çlirimit të Gjilanit tashmë kanë filluar. Bujar Haziri shef i sektorit të kulturës thotë se festa e çlirimit të Gjilanit këtë vit do të jetë krejt ndryshe sepse pos që ka program të bollshëm të të gjitha zhanreve, qytetarët do të kenë mundësi që në këtë kohë me diell të përcjellin shumicën e aktiviteteve në ambientet e hapura.
I titulluar si qershori i përkushtimeve dhe nën moton për paqe, për çlirim dhe për vlera kanë nisur aktivitetet për festën e ditës së çlirimit të Gjilanit. Në fakt tashmë këto aktivitete kanë nisur me përkujtimin e ditëlindjes së Beqir Musliut, pastaj turnirit në futboll revyal, derisa të shtunën ka nisur festivali “Gurra Popullore”.
Bujar Haziri thotë se ditët e çlirimit do të shënohen edhe përmes poetëve ku të dielën mbahet Trekëndëshi poetik i paqes, për të vazhduar të hënën me 15 qershor ku dita e çlirimit nis me homazhe tek varrezat e dëshmorëve dhe tek lapidarët, për të vazhduar me një mbledhje solemne të Kuvendit Komunal.
Në këtë ditë edhe jepet çmimi letrar “Beqir Musliu” 2015. Aktivitete do të ketë edhe në fushën e pikturës, koncert të muzikë klasike etj./rajonipress/


