Gjilanasja Esra Hyseini po e përfaqëson denjësisht Gjilanin e Kosovën
Gjilan – Esra Hyseini merr pjesë vazhdimisht në garat ndërkombëtare që zhvillohen në kategorinë e eksperimenteve që lidhen me ambientin. Ajo ka prezantuar denjësisht Kosovën në Indonezi vitin e kaluar, ku ka marrë medaljen e artë, kurse më 27 prill ajo pritet të marrë pjesë sërish në Nairobi të Kenias në një garë ndërkombëtare.
Esra Hyseini, është nga Gjilani, derisa ajo vijon mësimet në Kolegjin “Mehmet Akif” në klasën e 11-të. Esra tashmë njihet për rezultatet e treguara në arenën ndërkombëtare në fushën e ambientit dhe eksperimenteve që lidhen me këtë sferë.
Ajo edhe këtë vit pritet të sjell rezultate dhe medalje të arta për Kosovën.“Vitin e kaluar e përfaqësova Gjilanin dhe Kosovën në Olimpiadën ndërkombëtare “ISPRO” në Jakarta të Indonezisë në kategorinë e ambientit me një eksperiment për pastrimin e ujërave nga metalet e rënda me anë të mbetjeve të çajit turk dhe atij indian, ku u shpërbleva me medalje të artë. Edhe këtë vit mora pjesë në garën MAC po në kategorinë e ambientit garë e mbajtur në “International School of Prishtina” me një tjetër eksperiment për pastrimin e metaleve të renda duke përdorur kungull dhe fitova përsëri medaljen e artë së bashku me shoqen time nga Vushtrria Besarta Verbovci ku u kualifikuam për në garën ndërkombëtare “Golden Climate” në Nairobi të Kenias që do të mbahet nga 27 prilli deri me 3 maj” sqaron Esra për rajonipress.
Esra Hyseini thotë se ideja për këtë eksperiment na erdhi nga brenga se Kosova nuk ka burime natyrale të ujit, mungesa e reshjeve benë shpeshherë të kemi probleme me ujë.
“Për këtë shkak ne vendosëm të bënim kërkime për pastrimin e liqeneve artificiale dhe pak lumenjve që kemi” shprehet ajo./rajonipress/


